Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani priti në takim deputetin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, njëherësh edhe kryetar i grupit të miqësisë Zvicër-Kosovë në Parlamentin e Zvicrës, Cédric Wermuth.
Wermuth i uroi për marrjen e detyrës, Osmanit dhe konfirmoi gatishmërinë dhe disponimin e Zvicrës për ta mbështetur Republikën e Kosovës në përmbushjen e reformave.
Duke folur për zhvillimet e fundit politike në vend, Osmani foli për angazhimin e institucioneve të vendit për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit me vendet aleate, potencoi raportet e shkëlqyera me Zvicrën. Ajo theksoi se mërgata mbetet përherë lidhje e veçantë e Kosovës me Zvicrën. Sipas saj institucionet vendore janë të përkushtuara drejt intensifikimit të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat.
Theks i veçantë në takim është vënë në menaxhimin e situatës me pandeminë. Presidentja Osmani deklaroi që Kosova ka nevojë për mbështetjen e miqve në mënyrë që kjo sfidë të adresohet me sukses, e vënë theks të veçantë në mbështetjen për sigurimin e vaksinave, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.