Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, vizituan Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, për të takuar dhe diskutuar me udhëheqësinë dhe kompanitë anëtare të organizatës.
Zëvendësndihmësi i Sekretarit Palmer tha se e kupton mirë rolin e Odave Amerikane përgjatë rajonit, dhe në këtë rast të Odës Amerikane në Kosovë, e cila ofron bazament solid për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Ai falënderoi Odën Amerikane për promovimin e partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve, si në krijimin e mundësive për bizneset amerikane që të investojnë në Kosovë, ashtu edhe për bizneset nga Kosova që të investojnë në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se rrjeti i Odave Amerikane përgjatë tërë rajonit paraqet një kornizë pozitive, produktive dhe influencuese për ballafaqim me sfidat aktuale me të cilat përballet rajoni.
Palmer shprehu dëshirën të dëgjojë nga anëtarët e Odës Amerikane lidhur me klimën lokale të biznesit si dhe klimën rajonale të biznesit, aspekte këto që zënë vend me prioritet të lartë në agjendën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për promovim të integrimit ekonomik rajonal, për uljen e pengesave në integrimin ekonomik dhe në lëvizjen e njerëzve dhe kapitalit, duke i vlerësuar ato si një kornizë për integrimin e Kosovës në sistemin evropian, në mënyrë ideale si anëtare e Bashkimit Evropian, e që është edhe objektiv i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ardhmen e Kosovës. Ai po ashtu tha se një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kyç për tërheqjen e më shumë investimeve amerikane dhe të tjera të huaja, si dhe për krijimin e vendeve aq shumë të nevojshme të punës për popullin e Kosovës dhe tërë rajonit.
Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë folën për rëndësinë e një dialogu më të fuqishëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat, por edhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, zhvillimin e kapaciteteve energjetike, si dhe trajnimin e fuqisë punëtore, thuhet në komunikatën për media e OEAK-së.