Pas ofensivave të ushtrisë serbe të vjeshtës së vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvendoset nga Likoci këtu në Divjakë. Këto vargmale, me fshatrat Divjakë, Berishë e Kleqkë, u shndërruan në bazat më të mëdha dhe më të fuqishme organizative të UÇK-së, të udhëhequra nga Shtabi i Përgjithshëm, i cili u vendos këtu. Kjo shtëpi dhe ky vend, jo rastësisht u bënë strehë e UÇK-së. Në këto vise dhe shtëpi, u strehuan dhe u zhvilluan aktivitetet e organizatave e veprimtarëve të shumtë, të cilët punonin për lirinë e atdheut, siç ishte për shembull edhe Afrim Zhitia.Riorganizimi i Ushtrisë Çlirimtare me vendosjen e Shtabit të Përgjithshëm në Divjakë, shënoi një hap të rëndësishëm në mbajtjen e linjave komunikuese më të lehta edhe me zonat e tjera, por jo vetëm: konfiguracioni i këtij vendi si pozicion mjaft strategjik i mundësoi UÇK-së të zhvillojë një strategji luftarake sulmuese, por edhe mbrojtëse të pozicioneve të veta duke mos lejuar përparim të forcave serbe në drejtim të bazave kyçe të UÇK-së, siç ishte Shtabi i Përgjithshëm, Spitali Ushtarak, selia e Radios “Kosova e Lirë” dhe agjencisë së lajmeve “Kosovapress”.Ky vend këtu nuk u shkel asnjëherë nga forcat serbe, edhe pse pati mësymje të shumta, jo vetëm nga këmbësoria, por edhe nga ajri. Falë rezistencës dhe luftës së organizuar të njësive të UÇK-së që vepronin në këto vargmale, siç ishte Brigada 121 “Ismet Jashari”, Njësia Speciale pranë Shtabit, Njësia e Logjistikës e të tjera, jo vetëm se mbrojtën hapësirat ku vepronin, por u bënë mburoja për qindra mijëra shqiptarë civilë që ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe të cilët strehohëshin nëpër të gjitha këto gryka malesh përreth kësaj zone.Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë që udhëhiqej nga Shefi i Shtabit, Gjeneral Agim Çeku, i cili po e pasonte Gjeneral Sylejman Selimin, ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s kur ata zbarkuan nga ajri qysh më 10 qershor 1999. Ky vend dhe kjo shtëpi Shtab, shënon një moment historik të miqësisë dhe bashkëpunimit me NATO-n. Kjo shtëpi ishte e plakut Nezir Zogaj, i burgosur politik me neve të tjerëve që ishim rob lufte, edhe pas mbarimit të luftës, me Nait Hasanin, Bislim Zogajn, Enver Dugollin, e shumë e shumë të tjerë nëpër burgjet e Serbisë. Baca Nezë është i paharrueshëm edhe pas vdekjes, ashtu siç është kjo shtëpi edhe pas çlirimit.12 Qershori, është dita e çlirimit të Kosovës, prandaj e kujtojmë gjithmonë dhe krenohemi përherë që për lirinë e Kosovës organizuam luftën çlirimtare, duke fituar jo vetëm lirinë e shumëpritur, por edhe miqësinë dhe mbështetjen e NATO-s me të cilët u rreshtuam drejt dhe dolëm fitimtarë.Në këtë ditë dhe në vazhdimësi, i kujtojmë dhe nuk do t’i harrojmë, heronjtë dhe dëshmorët, luftëtarët dhe patriotët e të gjithë brezave e të të gjitha kohërave të cilët na mundësuan që ne sot të gëzojmë lirinë. Lavdi të gjithë atyre!




Sporti si mjet për gjithëpërfshirje dhe zhvillim të të rinjve
Sporti si mjet për gjithëpërfshirje dhe zhvillim të të rinjve ...



