Në sallën “1 Tetori” me rastin e fillimit të procesit të vaksinimit të qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19, në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se menaxhimi i pandemisë dhe ringjallja ekonomike janë dhe mbeten prioritetet e qeverisjes sonë.
Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe partnerët e tjerë, i ka bërë përgatitje për fillimin dhe realizimin e Planit të Veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë.
Vitia ka nkurajuar që qytetarët të aplikojnë për vaksinim në platformën eKosova ku tani procedurat janë të thjeshta dhe një qytetar mund të regjistrojë deri në pesë të tjerë për marrje të vaksinës, thuhet në faqen zyrtare të MSH-së.
Të dashur qytetarë,
Menaxhimi i pandemisë dhe ringjallja ekonomike janë dhe mbeten prioritetet e qeverisjes sonë. Pa të parën, nuk arrihet dot e dyta. Sot po fillojmë një proces thelbësor për të parën, dhe parakusht për të dytën.
Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe partnerët e tjerë, i ka bërë përgatitje për fillimin dhe realizimin e Planit të Veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19.
Pra, nga sot po hyjmë në një fazë të re të procesit të vaksinimit kundër COVID-19. Sikurse jemi zotuar para juve, sot, me 15 qershor, po fillon ky proces i vaksinimit.
Ky moment shënon një kapërcim në luftën tonë kundër COVID-19, sepse vaksinimi në masë është proces jetik për sigurimin e imunitetit kolektiv të popullatës sonë, dhe krijimin e kushteve për kthimin në një realitet të ri.
Normaliteti në të cilin sektori shëndetësor do të ketë mundësi t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve, pas një periudhe të gjatë e të tejngarkuar. Pas një pune të jashtëzakonshme të punëtorëve tonë shëndetësorë. Ndërsa sektorët e tjerë – sidomos ai i ekonomisë, përmes ushtrimit të lirë të veprimtarive të tyre t’i kthehen kapaciteteve tyre të plota të shërbimeve dhe prodhimit.
Vaksinimi masiv është proces që kërkon përgatitje, mobilizim dhe mbi të gjitha profesionalizim dhe vullnet për të kontribuar. Kjo do të jetë një ndërmarrje institucionale dhe organizative e pa provuar ndonjëherë në vendin tonë.
Ne kemi bërë përgatitjen për zbatimin e saj, dhe jemi të gatshëm për ta përmirësuar atë përgjatë rrugës përballë çdo sfide.
Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, Ministria, në bashkëpunim me komunat, ka krijuar hapësira të reja për vaksinim; ka shtuar kapacitetet njerëzore
duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi (nga 89 sa ishin deri tani); ka ngritur infrastrukturën e nevojshme.
Ka siguruar vaksina të mjaftueshme; ka zhvilluar modulin e vaksinimit; dhe riorganizuar edhe aspektet logjistike, me qëllim që vaksinimi në masë të fillojë dhe qytetarët të vaksinohen sipas kategorive të përcaktuara në Planin Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 dhe kategorive të përcaktuara në tre fazat e këtij plani.
Falenderojmë edhe inspektorët, forcat tona policore dhe ushtarët tanë të cilët po ndihmojnë vazhdimisht në këtë proces. Ky për momentin është procesi më i rëndësishëm në vendin tonë, marrë parasysh se shumë sfera të jetës sonë të përditshme varen nga suksesi i këtij procesi.
Sot kemi kaluar shifrën prej 100.000 të vaksinuarve.
Objektivi ynë mbetet vaksinimi i deri në 60% të qytetarëve. Me pjesëmarrjen, bashkëpunimin dhe punën e të gjithëve, ne do ta arrijmë këtë.
Aktualisht, janë duke u vaksinuar kategoria e personave mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, pa dallim moshe. Me zgjerimin e procesit do të vaksinohen edhe mësimdhënësit, forcat e sigurisë të ndërlidhura drejtpërdrejt me menaxhimin e COVID-19. Për të vazhduar pastaj në fazën e tretë me grup-moshat nën 65 vjeç, punëtorët e sektorit publik dhe kategoritë e tjera të popullatës. Me një fjalë të gjithë ata që duhet vaksinuar dhe imunizuar.
munizimi kundër COVID-19 është kryefjala e angazhimeve tona në këtë kohë. Sigurimi i vaksinave të nevojshme dhe administrimit të tyre është përgjegjësi e jonë e e Qeverisë suaj, por njëkohësisht gatishmëria juaj për t’iu përgjigjur pozitivisht thirrjes për vaksinim është e domosdoshme.
Me të vertetë masat janë liruar dhe situata është përmirësuar, por pandemia nuk ka kaluar ende. Kontributi, kujdesi dhe përgjegjshmëria e secilit, sipas rolit e thirrjes, vazhdon të jetë tejet i rëndësishëm.
Krahas mirëmbajtjes së masave në fuqi si bartja e maskës, ruajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, vaksina mbetet mënyra më efikase për mbrojtje kundër COVID-19.
Për këtë arsye, ju inkurajojmë që të aplikoni për vaksinim në platformën eKosova ku tani procedurat janë të thjeshta dhe një qytetar mund të regjistrojë deri në pesë të tjerë për marrje të vaksinës.
Prandaj, ta bëjmë këtë për shëndetin tonë, të familjes dhe për shëndetin e githësecilit prej nesh.