Build Skills with our trainings

Sign up now!

Samiti BE-SHBA: Një moment premtues në marrëdhëniet transatlantike

Qer 16, 2021

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i bashkon një histori e përbashkët dhe vlerat e përbashkëta. Ne kemi punuar përkrah njëri tjetrit për ta siguruar paqen dhe prosperitetin, si për qytetarët tanë, ashtu edhe për njerëzit në mbarë botën. Në kohë të krizave, evropianët dhe amerikanët e kanë pasur mbështetjen e njëri tjetrit.

Sot, jemi në një udhëkryq, duke u përballur me sfida ndaj vetë themeleve të shoqërive dhe vlerave tona. Në të vërtetë, kjo është ndoshta periudha më e rëndësishme në marrëdhëniet transatlantike gjatë një gjenerate. Duke u mbështetur në “Agjendën e re BE-ShBA për Ndryshimin Global” që BE-ja e paraqiti në dhjetor, Samiti BE-ShBA i javës së ardhshme është thirrje për ta shfrytëzuar forcën tonë kolektive, për t’i mbrojtur interesat tona të përbashkëta dhe për ta siguruar bashkërisht lidershipin global.

Aksioni i përbashkët BE-ShBA për trajtimin e sfidave globale

Prioriteti ynë i parë i përbashkët është që t’i japim fund pandemisë COVID-19 dhe ta sigurojmë një rimëkëmbje të qëndrueshme. BE-ja tashmë i ka siguruar 1.8 trilionë euro si fuqi stimuluese buxhetore për ta rilansuar ekonominë e Evropës në një mënyrë që e bën atë më të gjelbër, më digjitale dhe më të paanshme. Administrata e Biden-it e miratoi Planin Amerikan të Shpëtimit në vlerë prej 1.9 trilionë dollarësh në mars. Me këto veprime, BE-ja dhe ShBA-të do të jenë të dyja në gjendje që “të rimëkëmben më mirë”.

Në luftën kundër virusit, kapaciteti ynë shkencor i pashoq është demonstruar përmes partneritetit tonë për zhvillimin e vaksinave. Vaksina e parë e aprovuar për përdorim në BE dhe ShBA, BioNTech/Pfizer, ishte përpjekje e përbashkët nga një kompani farmaceutike evro-amerikane. Së bashku, ne u japim si donacion miliona doza të vaksinave vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, përmes mekanizmit COVAX dhe po ashtu e mbështesim dhe forcojmë Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Tash që kanë mbetur vetëm edhe disa muaj deri në COP26, ka ardhur koha që t’i japim trajtë një agjende të gjelbër transatlantike gjithëpërfshirëse dhe ambicioze, duke filluar jo vetëm me një angazhim të përbashkët për emetimet neto zero deri në vitin 2050, por edhe duke punuar përkrah njëri tjetrit për ta bërë emetuesin më të madh në botë që të lëvizë më tej dhe më shpejt. Vendimi i administratës së Presidentit Biden për t’iu bashkuar Marrëveshjes së Parisit dhe për të caktuar caqe ambicioze për t’i ulur emetimet është hap i mirëpritur.

Ndërtimi i një ekonomie transatlantike për të ardhmen

Me një fokus në pasqyrimin e prioriteteve dhe interesave të brendshme të BE-së dhe ShBA-ve, marrëdhënia jonë ekonomike mbetet burim i madh i prosperitetit, nxitës i inovacionit dhe dëshmi e qëndrueshmërisë. Miliona vende të mira të punës janë krijuar në mbarë Atlantikun, ndërsa 780 milionë konsumatorët tanë kanë përfituar nga arteria globale ekonomike më fitimprurëse në botë. Por, nevojitet më shumë sesa stimul financiar për t’i bërë ekonomitë tona që të lëvizin përsëri.

Në anën tjetër, irrituesit e tregtisë kanë ekzistuar gjithmonë, prandaj është në interesin tonë të përbashkët t’u drejtohemi atyre në një frymë bashkëpunimi, duke mbajtur mend se janë të tjerë ata që do të përfitojnë nga çfarëdo ndasie. Ne duhet ta rikthejmë besimin në Organizatën Botërore të Tregtisë, përderisa i udhëheqim përpjekjet për ta reformuar atë.

Trajtimi i sfidave të sigurisë ndërkombëtare

Ne mbetemi dy promovuesit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në botë. Duhet të qëndrojmë vigjilentë në mbrojtjen e demokracisë edhe së brendshmi, përfshirë përmes angazhimit tonë për drejtësi sociale dhe barazi racore dhe gjinore.

BE-ja dhe ShBA-të duhet t’i bashkojnë forcat për t’iu kundërvënë ngritjes së autoritarizmit, shkeljes së të drejtave të njeriut dhe korrupsionit. Nëse e mposhtim pandeminë dhe e rikthejmë veprimtarinë ekonomike në një mënyrë që i ndihmon planetit tonë, kjo mund të jetë dëshmia më bindëse për qytetarët tanë se demokracia vërtetë funksionon dhe se popullizmi dhe autoritarizmi nuk janë përgjigjet e duhur.

BE-ja dhe ShBA-të mbeten garantuesit më të mëdhenj të sigurisë dhe paqes në mbarë botën. Ne në BE jemi të përkushtuar që ta luajmë rolin tonë, duke i forcuar aftësitë tona në një mënyrë që e përplotëson dhe përforcon NATO-n në mënyrë të ndërsjellë, veçanërisht përmes vënies së Bashkëpunimit të Strukturuar të Përhershëm. SHBA-të dhe partnerët e tjerë të ngushtë tashmë na janë bashkuar në këtë rrugëtim.

Sa i përket Kinës, qasja jonë është gjithnjë e më harmonizuar, e bazuar në konkurrencë kur është e pashmangshme. Që nga kriza e Ukrainës e vitit 2014, BE-ja dhe ShBA-të po ashtu kanë punuar së bashku për ta zmbrapsur sjelljen destabilizuese të Rusisë dhe për t’i mbështetur parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial. Ne jemi të gatshëm të zbatojmë sanksione kur është e nevojshme, në bashkërendim kur të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë, duhet të përpiqemi për bashkëpunim, kur të jetë e nevojshme dhe e mundur, dhe të vazhdojmë të angazhohemi për çështjet që janë me interes për ne dhe si ta diktojë situata.

Samiti BE-ShBA është përfundimisht një mundësi për ta rikonfirmuar bashkërisht mbështetjen tonë për një rend shumëpalësh të bazuar në rregulla. Do të angazhohemi që t’i forcojmë dhe reformojmë institucionet shumëpalëshe, për të siguruar që ato të reagojnë ndaj sfidave aktuale.

Nuk kemi kurrfarë iluzionesh sa i përket ashpërsisë së sfidave me të cilat përballemi. Në Samitin BE-ShBA, ne do të bashkëpunojmë me administratën e Biden duke u bazuar në një parim të thjeshtë: Jemi më të fortë së bashku, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Bashkimit Evropian.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM