Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në zyrën e tij, në përmbyllje të shërbimit në Kosovë, shefin e Stafit të KFOR-it, Gjeneral Brigadierin e Ushtrisë Amerikane në Kosovë, Larry Henry.
Gjeneral Brigadieri Henry i dorëzoi kryeministrit flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është ngritur më 8 nëntor, në nderim të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Njësitin mbështetës të ShBA-së, në Film City në Prishtinë.
Flamuri shoqërohet me përshkrimin: “Ndriçuar në errësirë nga drita e drejtësisë, ky flamur dëshmon sakrificën dhe guximin e atyre burrave dhe grave në luftë me forcat armike që kërcënojnë lirinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe botës”.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin e Gjeneral Brigadierit Henry gjatë shërbimit të tij, dhe për rolin e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ruajtjen e sigurisë në Republikën e Kosovës. Gjatë këtij takimi u bisedua për gjendjen aktuale të sigurisë në vend, që është prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.
Njëherit, ky ishte takim njoftues me shefin e ri të Stafit të KFOR-it, Gjeneralin Maier, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.