Ministria e Shëndetësisë i siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se të gjitha vaksinat kundër COVID-19, të cilat janë duke u dhënë në Kosovë, përfshirë edhe ato që janë marrë këtë javë donacion nga Mbretëria e Norvegjisë kanë afat të mjaftueshëm përdorimi dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt.
Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e marra nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individ të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesë të respektit ndaj donatorit-shtetit të Norvegjisë.
Duke u bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë përmes platformës eKosova (https://ekosova.rks-gov.net/) për marrje të vaksinës kundër COVID-19, MSh rikujton faktin se Kosova është nga shtetet e rralla në rajon që nuk ka pranuar të marrë vaksina të pa aprovuara nga EMA dhe OBSh për përdorim kundër COVID-19, thuhet në komunikatën për media e MSh-së.