Komisioni Evropian (KE) dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) kanë bashkuar forcat për të mbështetur institucionet përgjegjëse për politikat e punësimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor përmes Garancisë për të Rinjtë (GR). Fondacioni Evropian i Trajnimit (ETF) është gjithashtu partner për realizimin e ndërhyrjeve në këtë kuadër. Bazuar në skema të ngjashme të zbatuara në Shtetet Anëtare të BE-së, garancia për të rinjtë është angazhim për të mbështetur çdo të ri/re nën moshën 30 vjeç që nuk është në marrëdhënie pune, në arsim apo trajnim (të ashtuquajturit NEET). Ky angazhim u jep të drejtë të rinjve që të përfitojnë nga ofertat cilësore për punësim, stazh pune, praktikë profesionale afatgjatë ose trajnim, brenda katër muajve pas përfundimit të shkollës ose daljes si të papunë.
Mbështetja e ofruar nga KE/ ILO përfshin përshtatjen e garancisë për të rinjtë në kontekstin e Ballkanit Perëndimor përmes mbështetjes në programimin dhe monitorimin e politikave, trajnimit të avancuar dhe të përfitimit të përvojave nga vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor dhe në BE.
Instrumenti i Ndihmës Teknike (INT) të KE/ ILO vjen pas Takimit të dytë Ministror midis vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për Punësimin dhe Çështjet Sociale i mbajtur më 8 korrik, ku ministrat dhe përfaqësuesit përgjegjës për punësimin miratuan Deklaratën për garantimin e integrimit të qëndrueshëm të të rinjve në tregun e punës. Deklarata pohon ndikimin negativ disproporcional të pandemisë Covid-19 në situatën e të rinjve në tregun e punës dhe shpreh angazhimin për zbatimin gradual të garancive për të rinjtë në rajon. Deklarata frymëzohet nga Rekomandimi i Këshillit të BE-së, datë 30 tetor 2020 për Urën drejt Vendeve të Punës – Përforcimi i Garancisë për të Rinjtë.
Të rinjtë po mbajnë barrën e pasojave të mëdha ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Në rang botëror, në vitin 2020, punësimi i të rinjve ka pësuar nje rënie me 8.7 përqind krahasuar me 3.7 përqind për të rriturit. Analiza e përqindjes e të rinjve që nuk janë janë të angazhuar në punësim, arsim apo trajnim (NEET), na ndihmon të kuptojmë cënueshmërinë e tyre në përgjithesi në këtë situatë ekonomike. Thënë thjesht, nëse niveli i punësimit bie, niveli i NEET ose niveli i pjesëmarrjes në arsim (ose të dyja) duhet të rriten. Qartazi, një rënie e punësimit e kompensuar me një rritje ne nivelin e pjesmarrjes në arsim është, në parim, më e dëshirueshme sesa rritja e nivelit të NEET. Sidoqoftë, në Ballkanin Perëndimor, humbja e punësimit dhe rritja e inaktivitetit – në përgjithësi – nuk është kompensuar me kthimin e të rinjve në sistemin arsimor. Në Malin e Zi, për shembull, katër nga pesë të rinj që humbën vendin e punës u kthyen në joaktivë më tepër sesa të papunë, por gjithësesi, nuk iu kthyen studimeve. Nivelet e NEET në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor mbetën mbi nivelin e periudhës para krizës, gjatë gjithë vitit 2020, megjithëse në disa raste, ato pësuan një farë rënie në Tremujorin 2 të vitit 2020, falë masave të zbatuara. Në Serbi, një në pesë të rinj ranë në kategorinë NEET, por kjo kategori mund të arrijë deri në një në tre të rinj, në pjesë të tjera të rajonit.
ILO i ka bëre thirrje qeverive që të ndërmarrin masa për të parandaluar shndërrimin e daljes afatshkurtër të të rinjve nga tregu i punës, në një përjashtim afatgjatë për një brez të tërë të rinjsh. Zbatimi i garancisë për të rinjtë mund të ndihmojë në shmangien e efekteve negative afatgjata, d.m.th. rritjen e gjasave për të tjera momente massive papunësie ose inaktiviteti, me mundësi më të pakta fitimi dhe shanse më të ulëta për gjetjen e një vendi cilësor pune.
ILO është agjencia teknike e specializuar që udhëheq aktivitetin e sistemit të Kombeve të Bashkuara për punësimin dhe botën e punës. Ky partneritet me Komisionin Evropian për të lehtësuar krijimin e garancive për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor bazohet në Veprimin e Përbashkët të KE/ ILO për Garancinë e të Rinjve të zbatuar më herët në vendet anëtare të BE-së. Ai kontribuon në arritjen e objektivave të përcaktuara në Planin Ekonomik dhe të Investimeve të KE-së për Ballkanin Perëndimor (PEI) në tetor të vitit 2020. PEI promovon rimëkëmbjen ekonomike afatgjatë, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, integrimin rajonal dhe konvergjencën me Bashkimin Evropian; ai përfshin nismën kryesore për Garancinë e të Rinjve me qëllim ofrimin e perspektivave më të mira për të rinjtë dhe zbutjen e fenomenit të largimit të trurit, thuhet në komunikatën për media e KE.