Qeveria e Republikës së Kosovës bën të ditur se me të gjitha institucionet dhe kapacitetet e veta po punon maksimalisht për kthimin e bashkatdhetarëve tanë të aksidentuar në Kroaci.
Insititucionet e Kosovës në koordinim me institucionet e Kroacisë, kanë organizuar kthimin e bashkqytetarëve tanë në Kosovë, gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile. Ata do të vijnë sonte me transport ajror, pas orës 22:00.
Qeveria do të organizojë transportin dhe përcjelljen e bashkqytetarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” deri te familjet, në vendbanimet e tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave lidhur me procedurat e kthimit në Kosovë të trupave të personave që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës, thuhet në postimin në Facebook të Qeverisë së Kosovës.