Sot shënohet 70 vjetori i Konventës së Refugjatëve të vitit 1951, një traktat ndërkombëtar kyç. UNHCR, Agjencia e OKB për Refugjatët, thotë se riangazhimi ndaj frymës dhe parimeve themelore të tij është më urgjent sot se kurrë më parë.
“Konventa vazhdon të mbrojë të drejtat e refugjatëve në të gjithë botën,” tha Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatët.
“Falë Konventës, miliona jetë janë shpëtuar. Shtatëdhjetë vjet që kur është hartuar, është thelbësore që komuniteti ndërkombëtare të mbrojë parimet e saj”.
Ai shprehu alarmin për përpjekjet e fundit nga disa qeveri për të shpërfillur ose anashkaluar parimet e Konventës, nga dëbimet dhe largimet e refugjatëve dhe azilkërkuesve në kufijtë tokësorë dhe detarë, te propozimet për t’i transferuar me forcë në shtetet e treta për përpunim informacioni pa masa mbrojtëse të duhura.
Duke folur 70 vjet pas ditës kur Konventa e vitit 1951 në lidhje me statusin e refugjatëve u prezantua shteteve për nënshkrim, Grandi tha se traktati ishte një përbërës thelbësor i ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe mbetet po aq i rëndësishëm tani sa ishte kur u hartua dhe u dakordësua.
“Gjuha e Konventës është e qartë për të drejtat e refugjatëve dhe mbetet e zbatueshme në kontekstin e sfidave dhe emergjencave bashkëkohore dhe pa precedent – të tilla si pandemia COVID-19,” tha Grandi.
Si Konventa e vitit 1951 për Refugjatët, ashtu edhe Kompakti Global më i fundit për refugjatët, kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar për të gjetur një sërë zgjidhjesh për refugjatët.
Grandi theksoi nevojën që komuniteti ndërkombëtare të mbështesë parimet kryesore të mbrojtjes së refugjatëve siç përcaktohen në Konventë, përfshirë të drejtën e dikujt që largohet nga persekutimi për të mos u dërguar përsëri në një situatë të rrezikshme.
70 vjetori i Konventës së Refugjatëve vjen vetëm disa muaj pasi vetë UNHCR shënoi shtatë dekada si organizata e mandatuar në botë për mbrojtjen e të zhvendosurve me forcë, thuhet në komunikatën për media e UNHCR-së.