Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, sot në konferencën për media ka thënë se për të eliminuar keqpërdorime të taksapaguesve të Republikës së Kosovës, MD kanë ndërmarrë masa të menjëhershme, kanë hartuar draftin e ri të Vendimit i cili bazohet në ligjin në fuqi lidhur me Metodën e Llogaritjes së Tarifave për Shërbimet e ofruara në fushën e mjekësisë ligjore, kompensimin e punës jashtë orarit të punës dhe pjesëmarrjen e ekspertëve mjeko-ligjorë në seanca dëgjimore.
Aso kohe Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte propozuar ish ministres Dhurata Hoxha, që të rishikohet udhëzimi që rregullonte mënyrën e kompensimit, për shkak se i njëjti ishte bazuar në ligjin i cili ishte shfuqizuar. Ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm nga KPK në vlerë prej 785.000 euro, përgjatë 5 viteve të fundit, përmes një udhëzimi administrativ.
Për këtë ka qenë në dijeni edhe KPK, edhe ata që kanë përfituar jashtëligjshëm por edhe ish ministrja Dhurata Hoxha, thuhet në komunikatën për media e MD-së.
Deri në ardhjen e Qeverisë Kurti, shpërdorimet e përfitimet ilegale duket që kanë qenë të përhapura në nivele të larta dhe pothuajse u patën normalizuar si të zakonshme.
Qysh në fillim të mandatit tonë qeverisës, jemi zotuar që do të angazhohemi pandërprerë për ta luftuar secilin keqpërdorim, me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë dhe kthimin e besimit qytetarë në institucione.
Gjithashtu, jemi zotuar për transparencë në punën tonë, prandaj edhe kemi raportuar e publikuar pareshtur secilin abuzim që ka ndodhur, pavarësisht personave që i kanë kryer ato, si qasje e domosdoshme drejt çlirimin dhe vënies së drejtësisë në institucionet e Republikës.
Në vitin 2016, më 6 prill 2016, ka hyrë në fuqi ligji për Institutin për Mjekësi Ligjore. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që ishin bazuar në ligjin paraprak.
Më tutje, në vitin 2017, Këshilli Prokurorial i Kosovës, aso kohe me kryesues Blerim Isufaj, i kishte shkruar ish Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, lidhur me Udhëzimin nr. 07/2013 që rregullonte mënyrën e kompensimit të ekspertëve mjekoligjor të IML-së.
Aso kohe Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte propozuar ish ministres Dhurata Hoxha, që të rishikohet udhëzimi që rregullonte mënyrën e kompensimit, për shkak se i njëjti ishte bazuar në ligjin i cili ishte shfuqizuar.
Pavarësisht që në vitin 2016 kishte hyrë në fuqi ligji i ri për Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe pavarësisht faktit që Këshilli Prokurorial ia kishte tërhequr vëmendjen ish ministres Dhurata Hoxha për kompensimin e jashtëligjshëm të ekspertëve mjekoligjor, e njëjta nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në mbrojte të parasë publike dhe në respektim të legjislacionit. Një letër e tillë thjesht ishte injoruar nga ish Ministrja.
Për shkak të këtij mosveprimi, ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm nga KPK në vlerë prej 785.000 euro, përgjatë 5 viteve të fundit, përmes një udhëzimi administrativ nr. 07/2013 të vitit 2013 i cili është bazuar në ligjin e vitit 2010, e i cili nga viti 2016 nuk është më në fuqi.
Konkretisht, Udhëzimi 07/03 i vitit 2013 për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të eksperteve mjeko-ligjorë është bazuar në Ligjin për Mjekësisë Ligjore të vitit 2010. Ligji i vitit 2010 për Mjekësinë Ligjore është shfuqizuar me Ligjin e ri për Mjekësinë Ligjore të vitit 2016, që automatikisht nënkupton se është abroguar edhe udhëzimi administrativ i vitit 2013.
Për më tepër, ligji i vitit 2016 në nenin 19 e ka obliguar MD-në për nxjerrjen e akteve nënligjore brenda afatit prej 6 muajsh, mirëpo tash jemi në vitin 2021 dhe një e gjë e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur nga qeveritë paraprake.
Kësisoj, edhe pas transformimit ligjor, Këshilli Prokurorial ka vazhduar ndarjen e mjeteve financiare ne mënyrë të kundërligjshme për grupe të caktuara të ekspertëve mjeko-ligjorë me udhëzimin i cili është i bazuar në ligjin që është shfuqizuar.
Kjo kundërligjshmëri është përsëritur vit pas viti deri sot nga viti 2016 dhe vlera që është kompensuar kundërligjshëm arrin shumën prej 785.000 euro të buxhetit të shtetit.
Për këtë ka qenë në dijeni edhe KPK, edhe ata që kanë përfituar jashtëligjshëm por edhe ish ministrja Dhurata Hoxha.
Kjo zbrazëtirë ligjore ka mundësuar mos-transparencë dhe selektivitet nga ana e Këshillit Prokurorial, me ç’rast përmes komunikimeve elektronike jemi lajmëruar se individë të caktuar e të përzgjedhur (drejtpërdrejt pa kaluar kërkesa në IML në shkelje ligji), si ekspertë mjeko-ligjorë janë favorizuar duke u ftuar në vijimësi në më shumë raste për ekzaminime mjeko-ligjore, duke përfituar më shumë mjete sesa disa ekspertë të tjerë mjeko-ligjorë që janë diskriminuar!
Këtë rast, si Ministri e kemi denoncuar porsa e kemi kuptuar dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë të jemi të pa kompromise ndaj çdokujt që ka vepruar pa u bazuar në ligje apo në kundërshtim me to.
Për të eliminuar keqpërdorime të taksapaguesve të Republikës së Kosovës, kemi ndërmarrë masa të menjëhershme, ku kemi hartuar draftin e ri të Vendimit i cili bazohet në ligjin në fuqi lidhur me Metodën e Llogaritjes së Tarifave për Shërbimet e ofruara në fushën e mjekësisë ligjore, kompensimin e punës jashtë orarit të punës dhe pjesëmarrjen e ekspertëve mjeko-ligjorë në seanca dëgjimore.
Në këtë kuptim, ky vendim mundëson funksionim stabil të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me sistem të rregulluar e të mirëfilltë të pagesave, duke eliminuar mundësinë aktuale që ekspertët ligjorë për çdo mendim lidhur me ekspertizën ligjore, ta marrin shumën totale të parave për dhënien e atij mendimi e krejt kjo në dëm të IML-së.
Pra, me këtë vendim “vdes” përfundimisht mundësia që të shfrytëzohen të gjitha resurset e IML-së dhe në të njëjtën kohë shuma totale për dhënien e mendimit për ekspertiza mjekoligjore të kalojë në xhirollogarinë e ekspertit mjeko-ligjor në dëm të IML-së, siç ka ndodhur deri tash.
Më konkretisht, ky vendim parasheh që për dhënien e çdo mendimi të ekspertizës mjekoligjore Instituti do të kompensohet me 70% të mjeteve financiare dhe 30% për ekipin mjeko-ligjorë që e kryen ekspertizën.
Edhe një herë ju falënderoj për praninë në këtë konferencë dhe jam në dispozicionin tuaj për pyetjet eventuale që i keni!”, ka thënë zëvendësministri Sallahu.