Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë të Grupit Punues për hartimin e Strategjisë për drejtësi tranzicionale, ka thënë se ky është momenti i fundit për ballafaqim të duhur me të kaluarën, është momenti i fundit për adresimin e krejt asaj që ka ndodhur, matjen e dëmeve, riparimin e tyre, përmbushjen e së drejtës për të vërtetën për viktimat e krimeve, të mbijetuarit dhe familjet e tyre.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se Strategjia për drejtësinë tranzicionale duhet të bashkojë të gjitha nismat e filluara si degëzime nga një burim i përbashkët, e që është nevoja për adresim të së kaluarës. Kjo strategji bëhet me qëllimin kryesor që të ofrojë një platformë veprimi dhe koordinimi në mes të nismave dhe të shërbejë si platformë reference për të gjithë ata që merren me ballafaqimin me të kaluarën.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se do të përkushtohet “në hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse, me fokus viktimat dhe duke pasur ndjeshmëri karshi aspektit gjinor”.
Ajo kërkoi nga grupi punues që hartimi i Strategjisë për drejtësi tranzicionale të bëhet në konsultim të vazhdueshëm me qytetarët që janë prekur nga lufta, në mënyrë që kjo strategji të pasqyrojë më së miri përvojat, nevojat dhe të drejtat e viktimave.
Në takim ishin të pranishëm anëtarët e Grupit Punues për hartimin e Strategjisë për drejtësi tranzicionale, që përbëhet nga zyrtarë shtetërorë dhe ekspertë për drejtësi transicionale, juristë, përfaqësues të shoqatave dhe të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dokumentues të krimeve të luftës si dhe përfaqësues të ambasadave dhe organizatave vendore e ndërkombëtare në Kosovë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.
Para disa muajve, pikërisht në këtë sallë e hapëm takimin e parë të grupit punues për hartimin e koncept dokumentit për themelimin e mekanizmit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Ndërkaq sot po e nisim takimin e parë të grupit punues për hartimin e strategjisë nacionale për drejtësi tranzicionale.
E nisa këtë fjalë timen duke përmendur grupin punues për mekanizmin për shkak se e mbaj mend që herën e kaluar, një ndër diskutimet më me rëndësi gjatë takimit, ishte nevoja për bashkërendim midis iniciativave të ndryshme. Diskutim ky me shumë rëndësi sipas mendimit tim. Siç e pata thënë edhe herën e kaluar, ky është momenti i fundit për ballafaqim me të kaluarën. Është momenti i fundit për adresimin e krejt asaj që ka ndodhur. Matjen e dëmeve, riparimin e tyre, përmbushjen e së drejtës për të vërtetën për viktimat e krimeve, të mbijetuarit dhe familjet e tyre.
E pikërisht sepse ky është momenti i fundit, është tejet e rëndësishme që gjërat t’i bëjmë siç duhet. Është absolutisht e nevojshme që të kemi koordinim të duhur në mes të grupeve punuese në mënyrë që të kemi konsistencë ndërmjet produkteve që nxirren.
Nuk i bëjmë nder as vetes, e as bartësve të dëmit në Kosovë, në rast se vazhdojmë të krijojmë nisma të cilat bien ndesh me njëra-tjetrën ose përsërisin vetveten.
Duke qenë se jemi në momentin e fundit me hapësirën e nevojshme për të adresuar atë që ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, konsideroj që është thelbësore që ta kemi të qartë një gjë të tillë.
Strategjia nacionale për drejtësinë tranzicionale duhet të bashkojë të gjitha nismat e filluara si degëzime nga një burim i përbashkët, e që është nevoja për adresim të së kaluarës.
Unë jam i bindur që një strategji e mirë do të mund të shërbejë si ombrellë. Një strategji që hartohet duke marrë parasysh gjithë sa është bërë deri tani, të adreson gabimet e bëra dhe të bëhet thirrje për plotësimin e zbrazëtirave të lëna e na udhëzon në rrugën që duhet ndjekur përpara.
Problemi dhe njëkohësisht gabimi më i madh i Kosovës si shtet dhe i Qeverive të Kosovës, ka qenë që kemi pasur nisma të panumërta ad hoc, të cilat në mungesë të bashkërendimit nga shteti, kanë përsëritur të gjeturat dhe nuk kanë arritur të adresojnë ashtu siç duhet e as siç e meritojnë bartësit e dëmit.
Kjo është vetëm një nga arsyet pse është me shumë rëndësi që kjo strategji të bëhet me qëllimin kryesor, që të ofrojë një platformë veprimi e besa edhe koordinimi në mes të nismave, por ashtu edhe në formë individuale të shërbejë si platformë reference për të gjithë ata që merren me ballafaqimin me të kaluarën.
Ne si Qeveri tashmë e kemi bërë të qartë fokusin tonë në ballafaqimin me të kaluarën. Për momentin ekzistojnë disa nisma që janë në proces e sipër, të gjitha të lidhura me krimet e kryera gjatë luftës. Përtej asaj që kjo strategji duhet të përfshijë të gjitha këto nisma, duhet që të ekzistojë edhe bashkëpunim i ngushtë e kuptimplotë në mes tyre.
Edhe pse është ende shumë herët që të flasim për rezultatin e Strategjisë, për Qeverinë tonë është me shumë e rëndësishme që kjo strategji të mos mbetet vetëm në letër. Për këtë dëshiroj që qysh në takimin e parë të bëj thirrje për themelimin e një trupi mbikëqyrës të Strategjisë, që do të themelohej me vendim të Qeverisë.
Të jeni të sigurtë, që për mua e as për Qeverinë që udhëheq unë, nuk është e rëndësishme që të kemi edhe një dokument tjetër edhe një dokument më shumë, që do të na bëjë të dukemi mirë në publik, por që nuk do të ofrojë asnjë zgjidhje substanciale në raport me ballafaqimin me të kaluarën.
E kam shumë të qartë që nuk do të jetë aspak lehtë, asnjëra prej nismave të ndërmarra në këtë drejtim, përfshirë edhe strategjinë këtu. Megjithëkëtë ne kemi pranuar interesimin nga shumë ekspertë të drejtësisë tranzicionale – vendorë e ndërkombëtarë, të cilët janë më se të gatshëm të na ndihmojnë në këtë drejtim. Andaj, kjo e bën të përballueshëm këtë proces dhe e ulë rrezikun e përsëritjes së gabimeve të njëjta.
Po e përmbyll fjalën time duke theksuar ato që i kam përmendur edhe herën e kaluar, sepse konsideroj se janë njësoj relevante edhe sot.
Ne nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe.
Nuk kemi mundësinë të eksperimentojmë e të dështojmë në eksperimentet tona.
Për këtë arsye është kruciale që të bashkojmë forcat dhe ta përkrahim njëri-tjetrin.
Të gjithë.
Shoqëria civile, organizatat shtetërore, hulumtuesit e pavarur, ekspertët e jashtëm, qytetarët, pra të gjithë.
Sepse qëllimi i të gjithë neve besoj që është i përbashkët, e ka të bëjë me krijimin e kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe gjithë gjeneratave të ardhshme, brezave që vijnë pas nesh.
Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme. Por, mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur mend është, që paqja kërkon drejtësi, por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë që të dyja.