Ambasada e Japonisë në Kosovë, përmes Organizatës “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, i dhuroi një donacion me pajisje mjekësore Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, që kushton 53 mijë e 570 euro.
Donacioni, të cilin zyrtarisht e pranoi drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, përmban 3 mikroskopë trinokularë dhe 2 inkubatorë transportues.
Krasniqi falënderoi shtetin japonez për ndihmën e vazhdueshme, në veçanti gjatë periudhës së pandemisë, e cila ka ndikuar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe në ngritjen e nivelit të sigurisë tek personeli shëndetësor.
“Kjo kohë ka treguar se Kosova ka shumë miq në botë, në mesin e tyre Japoninë, dhe bashkërisht ne jemi shumë të sigurt që do t’ia dalim ta menaxhojmë pandeminë edhe në nivel global, shpresoj”.
“ Edhe koronavirusi ka treguar se sa të afërt janë njerëzit mes vete, pavarësisht ku jetojnë dhe, në të njëjtën kohë, sa të ndjeshëm jemi ndaj kërcënimeve të përbashkëta, që i kanosen njerëzimit në përgjithësi”, tha Krasniqi.
Njëri mikroskop trinokular do të instalohet në Institutin e Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare, ndërsa dy të tjerë në Spitalin e Prizrenit dhe në Spitalin e Gjilanit.
Spitali i Gjakovës dhe i Mitrovicës, ndërkaq, do të pajisen me nga një inkubator transportues.
Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori, shpreson që pajisjet e dhuruara do t’i ndihmojnë spitaleve që të ofrojnë trajtim më të mirë mjekësor për pacientët.
“Së bashku me trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID -19, është e rëndësishme që njerëzit në Kosovë të përmirësojnë sistemin shëndetësor, për të ofruar shërbime shëndetësore, duke përfshirë kujdesin shëndetësor të nënës dhe fëmijës”, tha Mitsunori, thuhet në faqen zyrtare të ShSKUK-së