Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim shefin e ri të Zyrës Diplomatike të Belgjikës, Julien Sassel, të cilit i shprehu mirëseardhje dhe e uroi për marrjen e detyrës.
Kryeministri Kurti theksoi kontributin e shtetit belg në pavarësimin e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Po ashtu theksoi marrëdhëniet e mira tregtare dhe interesimin e kompanive belge për investim në Kosovë, siç është rasti me kompaninë “PowerPack”. U fol për rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve të ndryshme bilaterale, si ajo për bashkëpunim policor, për arsim dhe taksim të dyfishtë.
U bisedua për situatën me pandeminë dhe masat që ka ndërmarrë Qeveria për menaxhimin e variantit Delta.
Kryeministri i ofroi shefit të ri të misionit diplomatik belg bashkëpunimin e plotë për avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Sassel tha se Belgjika do të vazhdojë të përkrahë Qeverinë dhe popullin e Kosovës në rrugën e integrimeve europiane dhe euroatlantike, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.