Për të parë nga afër përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci gjatë këtyre ditëve ka vizituar disa shkolla në Kosovë.
Pas vizitës që ka pasur në shkollën “Këlmend Rizvanolli” dhe në shkollën “Zekeria Rexha” në Gjakovë, ministrja Nagavci sot ka qëndruar edhe në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë dhe në atë “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, shkolla të cilat kanë numër të madh të nxënësve.
Me menaxhmentet e shkollave dhe mësimdhënës, ministrja Nagavci ka biseduar për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit shkollor në këto shkolla, por edhe për vështirësitë dhe sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë pandemisë, e të cilat mbeten sfiduese edhe për këtë vit shkollor.
Ministrja Nagavci falënderoi mësimdhënësit në gjithë Kosovën që me punën dhe përkushtimin e tyre kanë bërë që të arrihen rezultatet më të mira, për aq sa ka qenë e mundur, edhe përkundër shumë vështirësive që kanë hasur.
Në këto takime, ministrja Nagavci ka shprehur shqetësimin e saj për numrin e lartë të të infektuarve me COVID gjatë ditëve të fundit, e në veçanti për variantin Delta që po i prekë edhe moshat e reja.
Duke qenë se janë kontakti më i afërt me nxënësit, ministrja ka kërkuar nga mësimdhënësit mendimin e tyre për atë se çfarë mund të bëjë MAShTI për të lehtësuar punën e tyre në mësimdhënie dhe mësimnxënie në kushte të pandemisë, pasi që ka theksuar se nxënësit janë ata që kanë humbur më së shumti gjatë kësaj periudhe.
Menaxhmentet e shkollave kanë theksuar se shkollat janë të përgatitura për të pritur nxënësit, por kanë shprehur shqetësimin e tyre për mënyrën se si do të arrijnë ta menaxhojnë procesin mësimor në kushte pandemie, sidomos me moshat e vogla.
Mësimdhënësit në veçanti theksuan vështirësitë që kanë hasur gjatë periudhave të mësimit online për të cilin thanë se është treguar joefektiv në mësimnxënie, ndërsa theksuan se janë të gatshëm të realizojnë procesin mësimor me pjesëmarrje në shkollë.
Gjatë këtyre takimeve, ministrja Nagavci ka biseduar me mësimdhënës edhe për çështje të tjera me rëndësi në sistemin arsimor, siç janë tekstet mësimore dhe trajnimet e mësimdhënësve, thuhet në faqen zyrtare të MASHTI.