Ka vkekur ish kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kolë Berisha, njëri nga bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në postimin e saj në Facebook ka ngushëlluar familjen me rastin e vdekjes së Kolë Berishës duke thënë se ai ishte mësues i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë.
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit të tij.
Sot, ai u nda nga ne, duke na lënë të pikëlluar, por edhe krenarë për veprën e tij shumëdimensionale. Mësues i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!