Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural respekton të drejtën për protestë të secilit fermerë dhe përfaqësuesve të tyre dhe po ashtu i pranon e trajton me kujdes kërkesat që i adresojnë ata ndaj programeve mbështetëse të Ministrisë. Duke pasur parasysh që kërkesat e fermerëve dhe përfaqësuesve të tyre adresohen çdo vit gjatë procedurave të hartimit të programeve mbështetëse, MBPZhR-ja bën shqyrtimin dhe më pastaj edhe inkorporimin e tyre në programet dhe politikat e saj, konform ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi.
MBPZhR-ja gjatë hartimit të Programit të Pagesave Direkte –Subvencioneve për vitin 2021, i ka përfshirë në grupet punuese edhe përfaqësuesit e fermerëve të nënsektorit të grurit dhe nënsektorëve të tjerë.
Gjatë këtij viti, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në programet dhe politikat bujqësore i ka adresuar vërejtjet dhe mangësitë e gjetura në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe po ashtu gjatë hartimit të tyre janë marrë parasysh edhe rrethanat e krijuara nga zhvillimet që kanë ndodhur në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, mangësi këto që janë shfaqur edhe gjatë viteve të kaluara.
Duhet theksuar se MBPZhR-ja, Programin e Pagesave Direkte -Subvencioneve për vitin 2021 e ka hartuar bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte për vitin 2021, i cili paraprakisht i ka kaluar të gjitha proceset konsultative institucionale dhe me publikun. Pra, kriteret dhe të gjitha procedurat tjera në kuadër të këtij programi janë bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi, thuhet në faqen zyrtare të MBPZhR-së.