Me nderime të larta shtetërore, në ceremoninë e organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Në vizitën e tij të parë në Kosovë, pas marrjes së mandatit të ri, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama është pritur në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave dhe anëtarëve të kabineteve, u theksua për mundësitë dhe potencialin për rritje të bashkëpunimit për më shumë drejtësi, barazi e mirëqenie për shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe në të gjithë rajonin.
U bisedua për hapa konkret drejt avancimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve. Janë rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle, të nënshkruara nga viti 2014, në mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive. U dakorduan për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilin do ta udhëheqë Gentian Sala.
U diskutuan hapa konkret për projekte të përbashkëta të cilat lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve, për lehtësira doganore dhe lehtësira në kalimin e pikave kufitare si dhe shfrytëzimit të objekteve të përbashkëta për konsullata e ambasada.
Po ashtu, u pajtuan që të fillohet me përgatitjet nga dy kabinetet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive që pritet të mbahet në fund të muajit nëntor.
Në takimin e përbashkët, për çështje konkrete në fushëveprimet e ministrive përkatëse diskutuan ministrat e Kabinetit Qeveritar të Republikës së Kosovës: Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Edona Maloku Bërdyna, zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; me ministrat e Kabinetit Qeveritar të Republikës së Shqipërisë: Bledar Çuçi, ministër i Punëve të Brendshme. Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, Evis Kushi, ministre e Arsimit dhe Sportit, znj.Elva Margariti, ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit, Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.