Reformimi i vazhdueshëm i kornizës ligjore në përputhje me kërkesat e sektorit privat është parakusht për krijimin e një mjedisi nxitës për investimet e brendshme dhe atraktiv për investimet e jashtme. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bënë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të ndjekin një agjendë dinamike legjislative, duke përshpejtuar hartimin dhe aprovimin e akteve ligjore që mundësojnë reformën e domosdoshme.
Oda Amerikane rikujton se për shkak të mungesës së stabilitetit qeverisës të viteve të fundit, një pjesë e akteve të rëndësishme ligjore presin aprovimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për më shumë se dy vite, siç është rasti me legjislacionin tatimor, atë për nënshkrimin elektronik, si dhe për themelimin e gjykatës komerciale.
Po ashtu, Oda Amerikane beson që me qëllim të shmangies së përkeqësimit të perceptimit negativ që ekziston në mesin e investitorëve të jashtëm, nevojitet trajtim me prioritet i aplikacioneve për statusin e investitorëve strategjikë. Investimet e huaja direkte janë të rëndësishme për krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe rritjen e përshpejtuar ekonomike. Prandaj, përmirësimi i ofertës, reduktimi i procedurave burokratike dhe shkurtimi i kohës së trajtimit të kërkesave të investitorëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm për promovimin e imazhit të Kosovës si vend i hapur për investitorët.
Oda Amerikane beson që korniza ligjore e vendit duhet me patjetër të reflektojë edhe rrethanat e reja të krijuara pas shpërthimit të pandemisë COVID19, jo vetëm me qëllim të reagimit adekuat ndaj vështirësive të sektorit privat, por edhe adresimit të trendeve të reja globale ekonomike.
Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane u bënë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës që të fuqizojnë dialogun me përfaqësuesit e sektorit privat përmes mekanizmave ekzistues të dialogimit, meqë vetëm në këtë mënyrë sigurohet adresimi i rekomandimeve të sektorit privat, si dhe përmirësimi i klimës së investimeve, thuhet në komunikatën për media e OEAK-së.