Në emër të popullit të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka uruar popullin turk për Ditën e Republikës së Turqisë.
“Sot jemi këtu në Ambasadën e Republikës së Turqisë, për t’i dërguar urimet tona më të mira popullit turk dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan. Ne, populli i Kosovës dhe populli i Turqisë jemi të lidhur së bashku në një miqësi të fortë që qëndron jo vetëm në histori, por edhe në të tashmen dhe do të zgjasë edhe në të ardhmen”, tha kryeministri.
Nuk do ta harrojmë kurrë kontributin e Turqisë në intervenimin e drejtë të NATO-s për ndalimin e gjenocidit ndaj popullit tonë dhe do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Turqisë për njohjen e menjëhershme të Republikës së Kosovës, tha ai.
Duke u shprehur i lumtur për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy republikave, kryeministri theksoi se marrëdhëniet do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe në të ardhmen, sepse këtë e dëshirojnë dy popujt tanë.
“Në miqësinë tonë kanë kontribuar edhe komuniteti turk në Kosovë dhe shqiptarët që jetojnë brez pas brezi në Turqi”, tha kryeministri.
Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë aktuale të Kosovës për të vazhduar angazhimin për thellimin e bashkëpunimit me Turqinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke përfshirë sigurinë, ekonominë, kulturën dhe arsimin, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.