Build Skills with our trainings

Sign up now!

Qeveria e Kosovës miratoi projektbuxhetin për vitin 2022

Tet 29, 2021

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt, të 43-ën me radhë, ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Falë performancës së shkëlqyer ekonomike, buxheti i parashikuar për vitin 2022 është më i larti dhe më gjithëpërfshirësi ndonjëherë, duke kapur vlerën prej 2 miliardë e 748 milionë euro, apo 8.7% rritje krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti. Të hyrat buxhetore pritet të jenë në vlerë prej 2 miliardë e 364 milionë euro, gjë që paraqet rritje prej 15% në krahasim me vitin paraprak.

Projektbuxheti i vitit 2022 ka për qëllim konsolidimin e ringjalljes ekonomike, sigurimin e qëndrueshmërisë së financave publike, ri-orientimin e ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, si dhe përkrahjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Në hapje të mbledhjes kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se për herë të parë do të votojmë një buxhet që është i yni.

“Sot në mëngjes, para fillimit të punës, jam takuar me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve me të cilin e kemi shqyrtuar edhe njëherë versionin final të buxhetit, dhe më duhet të them që, jo vetëm pse ky buxhet është i yni, por këso buxheti nuk ka pasur asnjëherë më parë”, tha kryeministri Kurti.

Ai falënderoi të gjithë ministrat për kontributin e jashtëzakonshëm sepse, siç u tha ai, një buxhet i këtillë kaq gjithëpërfshirës e kaq ambicioz nuk do të ishte i mundur pa kontributin tuaj.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime buxhetore në kategoritë e shpenzimeve për paga dhe shtesa për të siguruar harmonizimin e linjave buxhetore të pagave për muajin tetor 2021.

Miratimin e ka marrë edhe kërkesa tjetër e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për kursime dhe ndarje buxhetore në kategorinë e shpenzimeve në shumën prej pesë milionë e njëqind e tridhjetë e gjashtë mijë euro, bazuar në kërkesën  e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës. Mjetet transferohen te Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar në kategorinë e shpenzimeve dhe shërbimeve për furnizim me barna, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.

 

Mirë se e gjejmë njëri tjetrin në këtë mbledhje të 43-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot më 29 tetor 2021, me ç’rast kam kënaqësinë që ndodhemi bashkë, që për herë të parë të votojmë një buxhet që është i yni.

Më lejoni t’ju falënderoj të gjithë ministrave për kontributin e jashtëzakonshëm sepse një buxhet i këtillë kaq gjithëpërfshirës e kaq ambicioz nuk do të ishte i mundur pa kontributin tuaj.

Sot në mëngjes, para fillimit të punës, jam takuar me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve me të cilin e kemi shqyrtuar edhe njëherë versionin final të buxhetit, dhe më duhet të them që, jo vetëm pse ky buxhet është i yni, por këso buxheti nuk ka pasur asnjëherë më parë.

Me këtë buxhet, ne do të fillojmë ndërtimin e 50 çerdheve në tërë vendin, në mënyrë që fëmijët të kenë kujdesin e duhur, e gratë të integrohen në tregun e punës.

Me këtë buxhet, ne kemi ndarë 45 milionë euro për të mbështetur nënat përmes pagesës për të gjitha lehonat dhe për shtesat për fëmijë.

Kemi bërë studimet falas për të gjithë studentët, dhe do të ndajmë edhe 2 mijë bursa shtesë për ata që janë më të mirët. Me këtë buxhet do të mbështesim shkencën dhe hulumtimin.

Kemi shtuar 35 milionë euro te pensionet dhe skemat sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, dhe shtesa për skemat sociale prej 30% të bëhet e përhershme.

Kemi shtuar edhe 24 milionë euro buxhet shtesë për sigurimin e barnave esenciale.

Me këtë buxhet, do të nisim ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë, që do të bashkojë dy qytetet që i ndan mali i përbashkët i Sharrit.

Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës, në shumë prej 2 milionë euro.

Kemi ndarë 50 milionë euro për të paguar borxhet e shpronësimeve që kemi trashëguar, ashtu që më në fund të mund të kryhen rrugët që tashmë janë në proces për sa e sa vite.

Kemi ndarë buxhetin dhe do të fillojmë projektin e banimit social e të përballueshëm, sapo të përfundojë studimi i fizibilitetit në pranverën që vjen.

Kemi ndarë 20 milionë euro për skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, dhe do të mbështesim bizneset start-up dhe ato në teknologji të informacionit.

Kemi rritur buxhetin për kulturën e sportin, dhe për trashëgiminë kulturore.

Për herë të parë, kemi ndarë 10 milionë euro për blerjen e ambasadave në shtetet aleate.

Kemi rritur buxhetin për bujqësinë në mbi 70 milionë euro për herë të parë, dhe me grantet e donatorëve mbështetja totale do të rritet edhe më shumë.

Prodhuesit vendor do t’i mbështesim me 40 milionë euro për të zgjeruar kapacitetet, për të rritur cilësinë, dhe për të gjetur tregje për eksport.

40 milionë euro të tjera i kemi ndarë për të financuar investimet në ndërmarrjet publike, në Trepçë e në Telekom, ashtu që këto asete të kthehen në gjenerues të mirëqenies.

Do të furnizojmë policinë e zjarrfikësit me pajisje moderne e të sigurta. Për këtë kemi ndarë 10 milionë euro.

Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej mbi 100 milionë euro, apo 1.3% të Bruto Produktit Vendor, e synimi ynë është që brenda mandatit ta sjellim në 2% të Bruto Produktit Vendor, aq sa e kërkon standardi i NATO-s.

Nga kursimet në paga që ka bërë menaxhmenti i ri i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, na është mundësuar që ato mjete t’i ri-orientojmë në ushtri, dhe si rezultat do të rekrutojmë 840 ushtarë të rinj, drejt përmbushjes së objektivave të tranzicionit.

Këto, e shumë investime të tjera, janë bërë të mundura me vetëm 7 muaj qeverisje të mirë. Tek tani mund të vërehet se sa ka vuajtur shteti ynë për një qeverisje që nuk vjedh e nuk abuzon me paranë publike.

Puna e mirë ka filluar, dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit.

Ju faleminderit edhe njëherë të gjithë ministrave për kontributin e angazhimin, dhe tani e ftoj Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, zotëri Hekuran Muratin, që të na prezantojë me indikatorët kryesorë të Projektligjit të Buxhetit për vitin 2022.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM