Përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, takuan Këshillin Grevistë të Gjimnazit “Sami Frashëri”, me ç’rast u informuan për gjendjen e krijuar në këtë shkollë. Sipas mësimdhënësve, ata nuk e pranuan drejtoreshën e cila është përzgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe se ata janë të vendosur të mos mbajnë mësim deri në plotësimin e kërkesës. Grevës i janë bashkangjitur 46 mësimdhënës ndërsa 2 të tjerë nuk janë pjesë e grevës. Mësimdhënësit pohuan se ata kanë pasur informata disa muaj më parë se e njejta do të vijë si drejtoreshë dhe pohuan se ajo ka pasur pretendime se do të “vendos rregull” në këtë shkollë.
Mësimdhënësit pohuan se që nga njoftimi publik i DKA-së së Komunës së Prishtinës për përzgjedhjen e kandidatit të suksesshëm, kanë dorëzuar një peticion me të cilin shprehin pakënaqësitë për gjithë procesin duke e përfshirë edhe procesin e intervistimit, ku sipas të njejtëve as Komisioni vlerësues nuk ka qenë i kompletuar. Që në ditën e parë të punës si drejtoreshë, stafi në shenjë pakënaqësie në momentin kur drejtoresha ka hyrë në sallën e profesorëve, kanë lëshuar sallën të gjithë. Sipas mësimdhënësve, kanë pasur edhe presion nga jashtë dhe veçanërisht nga DKA e Prishtinës për ndërprerje të grevës.
Në këtë konkurs kanë qenë kandidatë zv drejtori aktual dhe një mësimdhënës, të cilët pohuan se nuk kanë marrë pjesë në intervistim ngase kanë pasur informata se drejtoresha aktuale do të emërohet në këtë pozitë dhe se ata nuk kanë dashur të jenë pjesë e një procesi të montuar duke përfsihirë tejkalimin e afateve ligjore për zhvillimin e procedurave.
Mësimdhënësit kanë kërkuar që të kenë edhe një takim me kryetarin e Komunës, sipas të cilëve besojnë se ka qenë vendim tij për emërimin e drejtoreshës.
KMDLNj gjithashtu takoi drejtoreshën aktuale, Fahrije Retkoceri e cila na pohoi se ajo nuk ka asgjë personale me asnjërin nga mësimdhënësit. Ajo na prezantoi për punën dhe angazhimin e saj disavjeçar në sektorin e arsimit, përfshirë këtu edhe një periudhë 10 vjeçare si drejtoreshë në Shkollën e Gjelëbrt. Sipas të njejtës ajo ka përfillur të gjitha procedurat të cilat kërkohen me konkurs dhe ligj dhe se ajo nuk ka asnjë pretendim siç pohojnë disa nga mësimdhënësit grevistë. Retkoceri pretendon se ka pasur presion edhe nga disa medie të caktuara të cilat kanë përhapur dhe lajme jo të vërteta. Përzgjedhja e saj po tentohet të politizohet por ajo nuk është përkrahëse e as anëtare e asnjë subjekti politik.
Gjithashtu, ajo u shpreh e gatshme për bashkëpunim me të gjitha institucionet për të gjetur zgjidhje.
KMDLNj fton Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës që të gjejë një zgjidhje sa më parë për këtë situatë të krijuar ngase sot është dita e 5-të që nuk po zhvillohet mësimi në këtë shkollë. Moszhvillimi i mësimit për një periudhë kaq të gjatë, e e cila nuk dihet se kur do të përfundojë është jashtëzakonisht shqetësuese, duke pasur parasysh se ka dy vite që për arsye pandemike nuk është zhvilluar mësimi normal në institucionet shkollore.
Sipas KMDLNJ-së se në rastin konkret, nxënësit e kësaj shkolle po e pësojnë për faktin se pa fajin e tyre janë të përjashtuar nga procesi mësimor duke ua shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut.
Për këtë arsye KMDLNj fton të gjitha palët ta tejkalojnë situatën e krijuar, të vazhdohet procesi mësimor dhe të hetohet rasti, që nga shpallja e konkursit, intervistimi e deri te përzgjedhja pas së cilës do të përcaktohej përgjegjësia konkrete për situatën e krijuar dhe në përputhje me këtë do të ndërmireshin masat ndaj atyre që iu dëshmohet përgjegjësia. Vetëm ndërprerja dhe vazhdimi i procesit mësimor është e pranueshme kurse kundërshtimi i zgjedhjes së drejtoreshës që po kundërshtohet mund dhe duhet të bëhet vetëm dhe përmes rrugëve ligjore, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.