Zyrtarët policor nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit-Vermicë, pas pranimit të një informate për një automjet të dyshuar në Prevallë të Prizrenit, menjëherë kanë ndaluar një kamion.
Gjatë kontrollit të automjetit (kamionit) me targa vendore, janë hasur 25 (njëzet e pesë) viça që dyshohet se janë kontrabanduar.
Policia ka identifikuar tre persona që dyshohet të janë marrë me këtë veprimtari, ata janë: A.K., (viti i lindjes 1980, mashkull kosovar), K.B., (viti i lindjes 1976, mashkull kosovar) dhe R.R., (viti i lindjes 1994, mashkull kosovar).
Gjatë procedurave policore është kuptuar se kafshët (viçat) e gjetura në kamion ishin të kontrabanduar nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Kafshët janë dorëzuar në Doganën e Kosovës.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, është iniciuar rasti ndaj tre të dyshuarve të lartcekur, ata janë intervistuar dhe më vendim të prokurorit rasti vazhdohet në procedurë të rregullt, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.