Në mbledhjen e mbajtur sot në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka nënshkruar dy marrëveshje me homologet nga Shqipëria, përkatësisht Ministren Ibrahimaj dhe Ministren Manastirliu. Marrëveshjet e nënshkruara sot synojnë zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit në mes të të dy vendeve në fushën e mirëqenies sociale.
Marrëveshje e nënshkruar në mes të Ministrit Murati dhe Ministres Ibrahimaj në fushën e Sigurimeve Shoqërore si objektiv kryesor ka sigurimin e mbrojtjes shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy vendet, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës, si dhe të realizojnë të drejtën në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale. Me fjalë të tjera, përmes kësaj marrëveshje qytetarët e të dy vendeve do të kenë mundësi që të pranojnë pensionet përkatëse që u takojnë sipas legjislacionit të vendeve të tyre, në vendin ku ata janë duke jetuar pas pensionimit, në Kosovë apo në Shqipëri.
Në anën tjetër, marrëveshja e nënshkruar në mes të Ministrit Murati dhe Ministres Manastirliu përkon me Fushën e Mbrojtjes Sociale dhe ka për qëllim bashkëpunimin në mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtave të tyre. Përmes kësaj marrëveshje synohet përcaktimi i rregullave të bashkëpunimit në mes të të dy palëve për të siguruar mbrojtën e fëmijëve pa kujdes prindëror, riatdhesimin e fëmijëve të pashoqëruar, si dhe lehtësira për realizimin e kontaktit të fëmijëve me prindër të shkurorëzuar.
Të dyja këto marrëveshje edhe më tej fuqizojnë bashkëpunimin e suksesshëm e të vazhdueshëm me Republikën e Shqipërisë dhe shtyjnë përpara vizionin e përbashkët për ngritje të mirëqenies shoqërore të qytetarëve në të dy vendet, thuhet në komunikatën për media e MF-së.