Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Mbrojtjes, Armend Mehaj, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të dy nxënësve që u vranë nga sulmi me armë zjarri në autobusin me nxënës, në Gllogjan të Deçanit.
Ai u shprehu ngushëllime familjeve Mustafaj dhe Hamzaj për humbjen e tyre nga ky akt kriminal dhe mizor. Krahas pikëllimit dhe mallëngjimit, ndejmë zemërim dhe indinjatë për këtë vrasje të trefishtë, u shpreh kryeministri Kurti, teksa tha se Policia e Kosovës e ka siguruar që po bëjnë gjithçka që është e mundur që sa më parë ta kapin vrasësin ose vrasësit dhe ta mundësojnë drejtësisë dhe ndëshkimin për ta.
Nga Gllogjani, kryeministri Kurti përsëriti edhe një herë apelin ndaj qytetarëve që të ndajnë me organet e rendit çdo informacion të mundshëm që mund të çojë deri te zbardhja apo zbulimi i këtij rasti, duke i siguruar ata që do t’u ruhet konfidencialiteti i tyre. Qytetarët mund ta bëjnë këtë në numrat e telefonit 0 800 199 99 apo 192 dhe adresën elektronike info@kosovopolice.
Bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla, me ministrat Sveçla dhe Mehaj erdhëm sot këtu në Gllogjan që t’ua japim lamtumirën e fundit Gentianës dhe Ledionit të cilëve ju këput jeta në lule të rinisë, ndërkohë që jemi në ditën e dytë e nuk e kemi kapur akoma vrasësin ose vrasësit. Unë u shpreha ngushëllime familjeve Mustafaj dhe Hamzaj. Askush nuk e ka imagjinuar që për festën e 28 Nëntorit, për Ditën e Flamurit, do të vijmë për zie këtu në Gllogjan. Kemi pikëllim e mallëngjim, por kemi edhe zemërim e indinjatë për këtë vrasje të trefishtë.
Për këtë akt kriminal e mizor. Policia e Kosovës na ka siguruar që po bëjnë gjithçka që është e mundur që sa më parë ta kapin vrasësin ose vrasësit dhe ta mundësojnë drejtësisë dhe ndëshkimin për ta. Unë prej këtu po vazhdoj edhe në stacion të Policisë këtu në Deçan, për të parë punën konkrete të tyre. Ju siguroj të gjithë qytetarëve të Republikës se të gjithë jemi të hidhëruar e të indinjuar dhe me mekanizmat shtetëror jemi në krye të detyrës për të zbuluar e zbardhur këtë rast sa më parë.
Si qeveri, unë si Kryeministër, kemi ofruar edhe një shpërblim prej 20 mijë eurove kushdo që ka informacion që na shpije te zbardhja apo zbulimi i këtij rasti. I ftojmë të gjithë qytetarët që kanë çfarëdo të dhëne që të kontaktojnë në numrat e telefonit 0 800 199 99 ose 192. Me ketë rast në mënyrë strikte ruhet konfidencialiteti i qytetarit i cili raporton informacionin apo çfarëdo të dhënash që do të na shpijnë në zbulimin e zbardhjen e këtij rasti.