Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në kulturë e trashëgimi, përpos dy marrëveshjeve që u nënshkruan të premten, u konkretizua edhe me pesë marrëveshje të tjera që i hapin rrugë forcimit të raporteve mes institucioneve kombëtare të kulturës e të trashëgimisë kulturore të të dyja vendeve tona.
Marrëveshjet që u nënshkruan në takimin mes dy delegacioneve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, janë:
– Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë;
– Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit – Ansamblit Popullor (TKOBAP) të Republikës së Shqipërisë;
– Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë;
– Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia të Shqipërisë dhe Parkut Arkeologjik Ulpiana të Kosovës; dhe
– Marrëveshje bashkëpunimi mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.
Fillimisht, takimin dypalësh e hapën me fjalët përshëndetëse ministrat Elva Margariti dhe Hajrulla Çeku.
Ministri Çeku tha se jemi bashkë në Tiranë për të shprehur përkushtimin e dy ministrive tona drejt thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. “Kultura si indikator kryesor i zhvillimit shoqëror çdo ditë e më tepër vlerësohet si motor kyç për zhvillim të qëndrueshëm. Vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta kulturore, materiale dhe shpirtërore të cilat janë zhvilluar nga e kaluara e deri më sot, dhe që në vete bartin potencialin për zhvillim, për një të ardhme të përbashkët më të mirë.
Në anën tjetër, trashëgimia kulturore është një prej burimeve më të fuqishme të identitetit, lidhja jonë me historinë, ndjenjën e pronësisë dhe kujdesin ndaj vlerave dhe nxit përgjegjësinë ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh. Duke e mbrojtur trashëgiminë kulturore ne e mirëmbajmë kujtesën kolektive”, u shpreh mes tjerash ministri duke theksuar se marrëveshjet e nënshkruara mundësojnë konkretizimin e bashkëpunimit të institucioneve kombëtare të kulturës e të trashëgimisë.
Në anën tjetër, ministrja Margariti u shpreh se është mjaft domethënëse që Kosova dhe Shqipëria në vigjilje të Festës së Flamurit bashkojnë shqiptarët kudo ku janë, ngase institucionet tona angazhohen bashkë për të promovuar kulturën, të bukurën shqiptare, ajo çfarë na bën unike në hartën e kombeve. “Ne shqiptarët duhet të ndjehemi me fat sepse kemi trashëguar një pasuri kulturore të jashtëzakonshme dhe shumë kombe nuk e kanë, e kërkojnë, e krijojnë, ndërsa ne e kemi detyrën që atë që e kemi ta ruajmë”, u shpreh ndër të tjera ministrja Margariti.
Tutje, në vazhdën e takimit të përbashkët, u nënshkruan marrëveshjet nga titullarët e institucioneve gjegjëse.
Drejtorët e Bibliotekave Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, Fazli Gajraku, respektivisht Piro Misha, nënshkruan marrëveshjen e parë që parasheh bashkëpunimin mes institucioneve në fjalë. Marrëveshja, ndër tjerash, përfshin grumbullimin, pasurimin, ruajtjen, mirëmbajtjen e trashëgimisë kombëtare të shkruar dhe të shtypshkruar, promovimin, shkëmbimin e botimeve dhe të informacionit, organizimin e veprimtarive bibliotekare, organizimin e Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë si dhe shkëmbimin e përvojave bibliotekare.
Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, bashkë me Ornela Durmishaj, Drejtoreshë e Parkut Arkeologjik Apolonia, nënshkruan Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Parkut Arkeologjik Ulpiana të Kosovës dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia të Shqipërisë; kurse Protokollin e bashkëpunimit ndërmjet Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit – Ansamblit Popullor (TKOBAP) të Republikës së Shqipërisë e nënshkroi sekretari Bislimi dhe drejtoresha Zana Çela.
Në marrëveshjen për bashkëpunim mes institucioneve të operës, filarmonisë dhe ansambleve parashihet të bëhet krijimi i kushteve për realizimin e përbashkët të performansave të institucioneve në fjalë duke shfrytëzuar hapësirat dhe kapacitetet shtesë të njëri-tjetrit. Ndërkaq, në marrëveshjen për parqet arkeologjike përcaktohen format e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të këtyre parqeve; shkëmbimin e përvojës dhe kuadrit profesional-shkencor; hulumtime të përbashkëta; organizimin e ekspozitave arkeologjike; qasje në laboratorët e Parqeve me qëllim të kryerjes së analizave laboratorike.
Ajet Leci, drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë nënshkruan marrëveshjen për muzetë. Bashkëpunimi pritet të zhvillohet në ekspozita të ndërsjella të materialeve dokumentare dhe formave tjera, realizimin e ngjarjeve të përbashkëta që shënojnë data të rëndësishme të historisë dhe kulturës kombëtare, shkëmbimin e botimeve dhe të kuadrit profesional si dhe aftësimin e tij dhe ekspeditat e përbashkëta shkencore.
Marrëveshjen e fundit në vargun e dokumenteve që u nënshkruan sot ishte marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë që i nënshkruan Bedri Zyberaj, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë, dhe Ardit Bido, Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë. Marrëveshja parasheh shkëmbimin e specialistëve të veprimtarisë arkivore dhe unifikimin e shërbimit me qëllim studimor, zhvillimin e sistemeve softuerike “Arkiva online”, “Arkiva onsite” dhe të sistemit elektronik për elemente financiare që të interesuarit që marrin shërbime arkivore, pagesat për shërbimet e kryera t’i kryejnë në mënyrë elektronike, thuhet në komunikatën për media e MKRS-së.