Build Skills with our trainings

Sign up now!

Edhe pejanët u vetëdijësuan për vaksinimin si mbrojtje më e mirë ndaj COVID-it

Dhj 20, 2021

Artiola Dreshaj, banore në Pejë, e cila aktualisht është studente, tregon për KosovaLive eksperiencën e saj rreth vaksinimit si dhe ecurinë e kësaj procedure në qytetin e saj. Prindërit e saj kishin qenë të parët të cilët ishin vaksinuar, si staf mjekësor dhe pjesë e fazës së parë të vaksinimit siç e kishte përcaktuar edhe IKSHPK-ja. Nga eksperienca e prindërve dhe njoftimeve të shumta nga qendrat shëndetësore, ajo ishte gati për dozën e parë të vaksinës. 

“Nga puna e madhe, stresi dhe tërë ai fluks i qytetarëve, stafi mjekësor ka arritur ta menaxhojë shumë mirë. Në anën tjetër nuk kam parë ankesa, apo edhe hezitim nga qytetarët që të marrin vaksinën, në të njëjtën kohë kishte qytetarë, të cilët po merrnin edhe dozën e dytë”, tregon Dreshaj.

Sipas Dreshajt, edhe pse kishte qenë temë diskutimi se a do jenë të rrezikshme dhe me pasoja afatgjate këto vaksina, pjesa më e madhe e moshatarëve dhe rrethit të saj social e kishin kuptuar këtë ecuri si të mirëqenë dhe diçka të nevojshme për ta parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje. 

“Më vjen mirë që një pjesë e madhe e shoqërisë sime nuk kanë rënë pre e teorive konspirative mbi pasojat që mund të sjellë kjo vaksinë. Do ishte disi e pamundur të ndalej hovi i të infektuarve”, shton ajo.

Vënia nën kontroll e pandemisë COVID-19 nuk është edhe aq e lehtë. Nga 13 marsi i vitit 2020, kur u shënuan rastet e para me virusin Corona, e deri më sot, Qeveria e Kosovës ka reaguar, shpeshherë kundrejt përhapjes së tij me masa kufizuese si: mbyllja e kafeneve, lokaleve të natës, restoranteve, qendrave tregtare, kufijve tokësorë për ata të cilët nuk ishin shtetas kosovarë, si dhe pezullimin e fluturimeve. 

Mekanizmat kryesorë reagues dhe mbrojtës të cilat ishin miratuar nga Qeveria për frontin shëndetësorë përfshinin katër pika kryesore ku aty hynin distanca sociale, rritja e kapacitetit të personelit, tejkalimi i mungesave kritike, si dhe komunikimi publik. 

Mekanizëm i cili tash e disa muaj po përdoret si mjet kryesor për luftimin ndaj këtij virusi, përkundër masave mbrojtëse dhe disa kufizimeve, është vaksinimi. Në vitin 2020, Qeveria rishikoi procedurën për futjen në përdorim të vaksinës dhe krijoi një procedurë të re për futjen në përdorim të vaksinës kundër COVID-19, e cila dallon nga procedura standarde për futjen e vaksinave të reja në programin e rregullt rutinë të imunizimit. Sipas kësaj procedure dhe “Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”, Ministria e Shëndetësisë bëhet përgjegjëse për sigurimin e vaksinës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) bëhet përgjegjës për kryerjen e vaksinimit.

Sipas IKSHPK-së, deri në përgatitjen e përgatitjen e këtij shkrimi, numri i të vaksinuarve me vetëm një dozë ishte 1.624.584 qytetarë, kurse numri i atyre që ishin vaksinuar me të dy dozat ishte 765.669

Edhe në Pejë, si në qytetet e tjera, vaksinimi kundër COVID-19 kishte filluar me kohë. Në këtë qytet, deri më sot janë vaksinuar 91,903 qytetarë me vetëm njërën dozë. 

Detaje tjera të rëndësishme rreth ecurisë së vaksinimit në qytetin e Pejës, jap edhe drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie në Pejë, Petrit Loci. Si në çdo qytet tjetër të Kosovës edhe në Pejë Drejtoria për Shëndetësi kishte marrë detyrat dhe përgjegjësitë për vaksinimin e qytetarëve. Duke filluar nga data 15 qershor ishte hapur Qendra e Vaksinimit në Galerinë e Arteve, duke punuar kështu me një orar që nga ora 07:00 deri në orën 19:00. Ajo ishte e hapur për të gjithë qytetarët të cilët kishin bërë terminet në mënyrë fizike tek Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare edhe për ata të cilët kishin aplikuar në mënyrë virtuale tek faqja eKosova

“Vaksinimi i qytetarëve filloi me datën 15 qershor në Qendër e Vaksinimit në ambientet e Galerisë së Arteve në katin përdhesë të objektit të kulturës. Ekipe mjekësore kanë qenë dhe janë në dispozicion që nga ora 07:00 deri në 19:00 çdo ditë të javës, ku kohët e fundit punojnë edhe gjatë vikendeve si dhe deri në ora 20:00. Pos qendrës së vaksinimit edhe Ekipi Mobil ishte gati që t’u dilte në ndihmë qytetarëve”, potencon ai.

Adelina Gashi, staf mjekësor në qendrën e vaksinimit në Pejë, ndan me KosovaLive eksperiencën e saj gjatë kësaj kohe sa kishte filluar vaksinimi. Qysh nga fillimi ata kishin në posedim dy lloje të kësaj vaksine, Pfizer dhe AstraZeneca. Ajo tregon se ka mbetur e habitur nga gatishmëria e qytetarëve për t’u vaksinuar, ku sot qytetarët pyesin se nëse kanë mundësi që të marrin edhe dozën e tretë. Por sigurisht ende ekziston një frikë tek një pjesë tjetër e qytetarëve të cilët hezitojnë të marrin edhe dozën e parë.

“Qytetarët të cilët kanë paraqitur dëshirë që të marrin vaksinën kanë pasur mundësi zgjedhjeje mes Astra Zeneca dhe Phizer. Ka pasur nga ata të cilët kanë ndërruar mendje si janë ulur në karrige, ka pasur edhe nga ata të cilët me padurim kanë pritur që të vaksinohen”, tregon ajo.

Pavarësisht këtyre gjërave qysh nga fillimi i procesit të vaksinimit në këtë komunë, çdo gjë kishte shkuar në rregull pa hasur në ndonj problem signifikues. Edhe pse tash janë bërë disa muaj që ky proces mbahet në linjë, fluksi më i madh kishte qenë nga fundi i muajit korrik e deri në fund të muajit shtator. Krahas këtyre muajve, në fazën e parë nuk kishte pasur edhe aq shumë qytetarë pasi që dozat ishin rezervuar për një pjesë të popullsisë ku primarë ishin stafi mjekësor dhe të moshuarit të cilët nuk e përballonin lehtë luftën me këtë virus.

“Ndihemi jashtëzakonisht mirë që deri më tani çdo gjë ka ecur mbarë dhe pa ndonjë incident. Do ishte mirë që çdo qytetar të jetë i pajisur me dozën e dytë, duke mos përmendur se sa e rëndësishme është e para përderisa të moshuarit janë gati të marrin edhe dozën e tretë”, thotë Gashi.

Hidajete Berisha, një e moshuar nga po i njëjti qytet, e cila dikur kishte pasur profesionin e mësueses. Duke parë në medie ngritjen e njëpasnjëshme të të infektuarve dhe rasteve të cilat e humbnin betejën me këtë virus, ajo kishte pritur me padurim që të merrte vaksinën si masë parandaluese për infektim. Ajo tregon se ndihej e thyer kur shikonte që shkollat ishin të mbyllura dhe çdo aktivitet mësimor zhvillohej në mënyrë virtuale. 

“Jam mjaft e moshuar, por nuk do ishte korrekte që të sëmurem tani nga ky virus kur kam mundësi që të marrë vaksinën, e aspak korrekte nuk do ishte që unë të refuzoja këtë të mirë. Ndihem keq kur shoh fëmijët të mbyllur në shtëpi duke ndjekur virtualisht mësimin kur mund të ishin në bankat shkollore po të mos ekzistonte një gjë e tillë”, shprehet Berisha.

Berisha tregon se stafi mjekësor kishin pas konsideratë ndaj saj si më e vjetër në moshë duke i dhënë kujdes maksimal. Ajo kishte vendosur që të merrte të dy dozat nga Pfizer me vet dëshirën e saj. Pos kësaj, ajo tregon se ekipet mobile nga qendra e vaksinimit kishin qenë gati që të shkonin edhe në shtëpi të saj vetëm e vetëm që të kryenin punën dhe obligim për të cilin ishin caktuar.

“U ndjeva mirë kur kuptova që nuk po hezitonin e nuk po gjenin arsye që mos të vini deri në shtëpi. Falë Zotit jam ende e fortë që të shkoj deri atje vetëm. Nëse edhe unë kam mundësi atëherë pse të mos kenë edhe të tjerët”, shton ajo.

Se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe e duhur që të shpëtojmë vetën, por edhe rrethin e familjes dhe shoqërisë, tregon edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Vaksinat e përdorura janë të sigurta dhe përmbushin standardet më të larta të sigurisë dhe efikasitetit, ku nga këto mjete të tilla kaq të vogla mund të krijohet një siguri sociale dhe tejkalim i gjendjeve të jashtëzakonshme. Si vaksinat vektoriale virale AstraZeneca të cilat kanë në përmbajtje një virus të padëmshëm që bart proteinat e korona virusit për të siguruar imunitet ashtu edhe vaksina e acidit nukleik Pfizer, vaksina këto të cilat janë aprovuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe janë përdorur si mjete për stabilizimin e situatës pandemike në të gjithë Kosovën.

Krenare Lika 

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM