“Puna ‘freelancing’ është një punë me kosto të ulëta. Krejt çka të duhet është një laptop, dëgjuese, maus dhe një lidhje e fortë me internet edhe je i gatshëm për të punuar për secilëndo kompani”. Kështu e përkufizon punën “freelance” Dren Sopi, i cili aktualisht është i angazhuar si praktikant në ICK (Innovation Center Kosovo), por gjithashtu punon edhe “freelance”.
Në punën e tij prej kohësh si punëtor “freelance”, Dreni ka punuar në fushën e menaxhimit të biznesit, zhvillim biznesi si dhe marketing digjital. Për të, puna “freelance” në Kosovë është një mënyrë shumë e mirë për t’u lidhur me biznese në të gjitha anët e botës.
Fillimisht, le të përcaktojmë konceptin e punës “freelance”.
Puna “freelance” nënkupton vetëpunësim, pra, të punosh për vetën sesa për një kompani të caktuar. Anipse gjatë bashkëpunimit të punëtorëve me biznese dhe kompani lidhen kontrata, në esencë, personat e përfshirë në këtë lloj punësimi janë të vetëpunësuar, rrjedhimisht edhe të pavarur.
Punëtorët e pavarur (“freelancers”) janë të lirë të zgjedhin fushën ku ata duan të angazhohen, si dhe të caktojnë orarin e punës. Praktikisht, ata nuk janë punëtorë të kompanive ose bizneseve me të cilat lidhin kontrata; bizneset dhe kompanitë janë klientë të punëtorëve të pavarur.
Një hulumtim i kryer në SHBA në vitin 2019, shpalos që rreth 41 milionë amerikanë identifikohen si punëtorë të pavarur (“freelancers”). Po ashtu, 15 milionë prej tyre ishin punëtorë të pavarur me orar të përgjysmuar në krahasim me 12.4 milionë që punojnë “freelance” me orar të plotë.
Në anën tjetër, Anketa e Fuqisë Punëtore e vitit 2021 e realizuar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës jep një pikëpamje deri diku shqetësuese për tregun e punës në Kosovë. Shkalla e punësimit në këtë anketë për tremujorin e parë të vitit 2021 del të jetë 29.3% kurse ajo e papunësisë 25.8%. Gjykuar nga fakti se shkalla e punësisë dhe e papunësisë gati se përkojnë me njëra tjetrën, paraqitet nevojë e menjëhershme për vende të reja të punës.
Duke marrë shkak vështirësinë e qasjes në tregun e punës në Kosovë, Dren Sopi e cilëson punën e pavarur si një rrugë adekuate punësimi.
“Duke parë se si tregu i punës është mjaft i vështirë për t’u qasur, e sidomos në diçka të cilën të rinjtë në Kosovë preferojnë, me anë të punës ‘freelance’ ata mund të zgjedhin sektorin, pozitën dhe ambientin në të cilin do punojnë, çka edhe lë hapësirë shumë për të provuar ide të reja”, shpreh ai.
Tutje, ai tregon se kohëve të fundit është rritur interesimi te të rinjtë për të punuar “freelance” e këtë Drini e arsyeton me faktin se ka vazhdimisht kërkesa për t’i shfrytëzuar hapësirat për punë (co-working space) në ICK, e shumica prej këtyre kërkesave vinë mu nga punëtorët e pavarur (“freelancers”).
Edhe Dorentina Lokaj bën punë të pavarur tash e 2 vite. Ajo ka filluar angazhimin e saj si “freelancer” në disa biznese lokale në fushën e dizajnit grafik, punë kjo që e ka ndihmuar Dorentinën të aftësohet akoma më tepër dhe të fitojë përvojë në këtë fushë.
“Duke ditur se si mundësi punësimi është shumë e përhapur (më shumë në shtetet e tjera sesa në Kosovë) dhe fakti se ofron mundësi të shumta dhe kërkesat janë të pa limituara, kjo më ka shtyer mua të punoj edhe si ‘freelance’,” shprehet Lokaj teksa tregon se përpos punës që ka tani si punëtore e pavarur, ajo është edhe e punësuar në sektorin privat.
Të tilla histori si e Drinit dhe Dorentinës japin mesazh që të rinjtë edhe mund të punësohen diku përderisa kryejnë punë të tjera përmes ‘freelancing’.
“Disa prej të mirave që një karrierë si ‘freelancer’ ofron është paga, komforti i ambientit të punës, orari fleksibil, puna me klientë nga shtetet e jashtme, liria për të zgjedhur klientët, mundësia për të zgjedhur vetë sa do të punosh e të tjera,” vazhdon tutje Drini.
Sido që të jetë, puna e tillë e pavarur, pavarësisht favoreve që t’i ofron, mund të ketë edhe të meta. Arlind Nushi, dikur drejtor i departamentit të web-it në kompaninë Trokit, aktualisht zhvillues i web-it në platformën “Laborator Creative” si të metë e sheh faktin se punëtorët e pavarur nganjëherë mund të ndihen “të izoluar” si pasojë e pavarësisë dhe kjo pastaj ndikon në disponimin e punëtorit, anipse shton se shumë punëtorë dinë ta balancojnë e ta menaxhojnë mirë këtë.
Tutje, përmend edhe një të metë tjetër që ai e sheh te kjo mënyrë punësimi.
“Si e metë tjetër që unë shoh në këtë aspekt është edhe transparenca mes punëdhënësit dhe punëtorit, ku çdo konflikt eventual të vendosë në pozitë të pafavorshme që mund të çojë edhe te mospagimi për punën e kryer,” tha Nushi.
Ndërkaq, si të metë Drin Sopi sheh “faktin se kur je, të themi, në një linjë pune, nuk e ke punën e siguruar, që do të thotë se vendi yt i punës është labil, me këtë edhe të hyrat janë labile. Nganjëherë ke mjaft punë dhe të hyrat rriten e nganjëherë nuk ke hiç punë dhe mbetesh pa të hyra.”
Edhe ai e përmendi faktin se punëtorët e pavarur ndihen më të izoluar pasi janë thuajse gjithë ditën në punë dhe iu mungon kontakti me njerëz. Drini tregon se kur “freelancers” shkojnë në hapësirat e ICK-së, ku ai është aktualisht i angazhuar, shpesh vinë me arsyetimin se “nuk po ke çka me bo në shtëpi,” “po du me pa njerëz e me kriju lidhje,” “thash ta ndërroj pak ambientin”.
Prej platformave më të njohura ku njerëzit mund të kërkojnë punë “freelance”, edhe ata nga Kosova, është Upwork. Upwork lejon klientët të intervistojnë, punësojnë dhe të punojnë me punëtorë dhe agjenci të pavarura përmes platformës së kompanisë. Klienti poston një përshkrim të punës së tyre dhe një shkallë çmimesh të mundshme dhe është i gatshëm të paguajë një punëtor të pavarur për të kryer punë.
Vitin që shkoi, Upwork ka kryer një hulumtim me bazë në punëtorët e pavarur, arritjet dhe sfidat e tyre, sidomos gjatë pandemisë. Në këtë hulumtim u evidentua se përgjatë vitit 2020, 59 milionë amerikanë kanë punuar përmes “freelancing”, e që përbën 30% të fuqisë punëtore në ShBA. Si pasojë e pandemisë Covid-19, 10% e fuqisë punëtore ka pauzuar punën e pavarur për arsye se këta të fundit kanë qenë duke punuar në kompani që janë ndikuar shumë nga distancimi social dhe nuk ofronin punë në distancë.
E gjë tjetër interesante është se, përderisa një pjesë e mirë e punëtorëve të pavarur pauzuan, të tjerët e panë këtë si mundësi të mirë për të punuar “freelance”, me ç’rast 12% e fuqisë punëtore filluan punën si punëtorë të pavarur gjatë pandemisë. Edhe pse kanë punuar për një kohë të shkurtër, punëtorët e rinj kanë shfaqur përmirësime në aspektin financiar dhe probabiliteti që ata të vazhdojnë më punë “freelance” edhe në të ardhmen është 96%.
Në raport me Kosovën, Arlind Nushi thotë se si shtysë kryesore për të rinjtë për t’u marrë me këtë lloj punësimi e për të dalë edhe jashtë kufijve të Kosovës është tregu konkurrues ndërkombëtar dhe pagesa për shërbimet që marrin punëtorët e pavarur.
“Nëse në Kosovë e njëjta punë do të ishte kryer, pagesa do të ishte më e ulët. Ky është një faktor se pse të rinjtë duhet dhe po synojnë gjithnjë punë ‘freelancing’”, përfundoi Nushi.
Kurse Lokaj thotë se të rinjtë mund të motivohen të punojnë “freelance” duke promovuar shumëllojshmërinë e punëve, kulturën e punës që ekziston jashtë Kosovës, duke promovuar dobitë dhe duke theksuar se me anë të “freelancing” mund të gjesh se ku dëshiron të përcaktohesh në term afatgjatë e ndoshta edhe të hap një biznes privat në të ardhmen.
Arta Drenica
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.