Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi me bashkëpunëtorë qëndroi sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku vizitoi disa prej klinikave të saj.
Ai vizitoi së pari Klinikën Infektive ku nga drejtori i SHSKUK-së, dr. Valbon Krasniqi dhe drejtori i Infektivës, dr. Arben Vishaj u njoftur për gjendjen aktuale sa u përket kapaciteteve për trajtimin e pacientëve me COVID-19 si dhe mobilizimin e shërbimeve të tjera.
Aktualisht në këtë klinikë është një numër i vogël i pacientëve me COVID-19 në trajtim, por u vlerësua se numri në rritje i rasteve me COVID-19 mund të rris edhe numrin e pacientëve që kërkojnë trajtim spitalor, për çka të gjitha shërbimet duhet të jenë të gatshme.
Ministri Latifi, që shoqërohej edhe nga sekretari i përgjithshëm i MSh-së, dr. Naim Bardiqi, më pas vizitoi edhe Klinikën Emergjente ku nga personeli aty është njoftuar me punën që bëhet, triazhimin dhe trajtimin e rasteve në këtë klinikë, për të vazhduar pastaj me vizitë në Klinikën e Kardiologjisë, me theks në njësinë e kardiologjisë invazive.
Ministri është informuar aty për rritjen e vëllimit të punës, derisa prioritet u tha që mbetet edhe rritja e cilësisë së shërbimeve.
Ministri Latifi vizitoi edhe Klinikën e Pulmologjisë ku aktualisht janë duke u trajtuar disa pacientë post covid-19 dhe është informuar për punën që është bërë aty gjatë pandemisë, por edhe për trajtimin e patologjive të tjera, përveç COVID-19.
Ministri Latifi ka kërkuar që klinikat e QKUK-së dhe institucionet e tjera shëndetësore të jenë të gatshme për t’u ballafaqur me çfarëdo zhvillimi të situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19, ndërsa profesionistëve shëndetësor u kërkoi që të vaksinohen plotësisht, përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë, theksoi ministri, është për të mbështetur institucionet dhe për të krijuar kushte sa më të mira për punë me qëllim që pacientëve t’u sigurohn dhe ofrohen shërbimet e duhura shëndetësore.
Gjithashtu, ministri Latifi u ka bërë thirrje edhe popullatës që vaksinohen plotësisht kundër COVID-19, thuhet në komunikatën për media e MSh-së.