Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot gjatë vizitës në Telekomin e Kosovës ka thënë se janë të interesuar që Telekomin, Valën ta bëjnë lider në Kosovë, ashtu siç ka qenë dhe se për këtë arsye Qeveria ka dhënë mbështetje financiare në vitin që e lamë pas.
Për vitin 2022 jemi të interesuar që bashkërisht, edhe Qeveria edhe Telekomi i Kosovës ta nxjerrim përfundimisht Telekomin nga kriza dhe ta vendosim në binarët e zhvillimit për të mirën e qytetarëve të Republikës si konsumatorë dhe të shtetit të Kosovës.
Bordi, menaxhmenti dhe punëtorët e Telekomit të Kosovës, u përgëzuan nga kryeministri për punën dhe angazhimin që e kanë bërë gjatë vitit 2021, por edhe më herët. Shumë prej punëtorëve këtu e kanë rimëkëmbur Telekomin e Kosovës, pas çlirimit të vendit, ndërsa para më shumë se një dekade i sillnin dividendë milionëshe buxhetit të Kosovës, tha kryeministri.
Së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Kryeministri Kurti takoi anëtarët e bordit dhe menaxhmentit të kësaj ndërmarrje publike, si dhe vizitoi centralin, ku takoi inxhinierët që mundësojnë operimin e Telekomit të Kosovës.
U ritheksua zotimi i Qeverisë për t’i përkrahur ndërmarrjet publike, dhe në veçanti Telekomin e Kosovës, duke pasur pritje të larta nga bordet e reja dhe strukturat e reja menaxheriale, në veçanti për vënie të ligjshmërisë e ndaljes së keqpërdorimeve, që i kanë karakterizuar ndërmarrjet në të kaluarën, ngritjes së performancës dhe të konkurrueshmërisë, si dhe uljes së shpenzimeve operative.
U theksua se Telekomi i Kosovës është ndër ndërmarrjet publike kryesore që do të vazhdojë të ketë vëmendjen e Qeverisë, jo vetëm sepse operon me infrastrukturë kritike të telekomunikimit, por edhe sepse në shumë mënyra përfaqëson dhe është shembull për atë çfarë ka ndodhur me ndërmarrjet publike në Kosovë. Telekomi i Kosovës, një nga ndërmarrjet më të suksesshme publike për shumë vite, ka arritur në një pikë kritike, për shkak të keqpërdorimeve, kontratave të dëmshme, e punësimeve jomeritore.
Në takim u falënderua në veçanti kryeshefja e Telekomit të Kosovës, znj. Burbuqe Hana për punën e saj, që Telekomi i Kosovës të rikthehet ku e ka vendin, si epiqendër e telekomunikacionit në Kosovë.
U bisedua për performancën e kësaj ndërmarrje gjatë vitit 2021 dhe planet për të ardhmen, që do të sigurojnë që Telekomi i Kosovës të përmirësojë konkurrueshmërinë në treg, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.