Build Skills with our trainings

Sign up now!

Po forcohet roli i logopedit tek fëmijët me autizëm 

Jan 11, 2022

Sahadete Kica Mema, infermiere në spitalin e përgjithshëm të Pejës, tregon se si seancat logopedike kanë ndihmuar përmirësimin e komunikimit të nipit të saj me autizëm. Ajo thekson se ndihma e logopedit tek këta fëmijë është e madhe dhe shumë e domosdoshme.

“Seancat logopedike kanë luajtur rol të rëndësishëm për të, pasi ai në fillim e kishte të vështirë për të bërë pyetje dhe për t’u përgjigjur atyre pa ndihmën e logopedit. Kishte ngecje, por them se seancat e rregullta nga logopedi kanë ndihmuar shumë që ai sot të jetë në gjendje të formulojë dhe të kuptojë qoftë pyetje, qoftë fjali më mirë“, shprehet ajo.

Logopedia si shkencë e re në Kosovë përfshinë në gjirin e saj një varg studiuesish të cilët nga dita në ditë aftësohen për ta ushtruar profesionin e tyre. Ndonëse rëndësia po rritet, ky profesion vazhdon të ushtrohet në qendra dhe në ordinanca private, kurse në shkolla ende mungon. Logopedi si terapist i të folurit parandalon dhe identifikon problemet që lidhen me komunikimin, duke krijuar kështu një ndërlidhje dhe rol të pazëvendësueshëm edhe për fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit.

Çrregullimi i spektrit të autizmit (ASD) është një paaftësi zhvillimore që mund të shkaktojë sfida të rëndësishme sociale, komunikuese dhe të sjelljes. Fëmijët me autizëm kanë vështirësi në zhvillimin e aftësive gjuhësore dhe në komunikimin joverbal, ku përfshihen kontaktet me sy, lëvizjet e kokës dhe shprehjet e fytyrës. Disa nga fëmijët me autizëm mund të mos jenë në gjendje të komunikojnë duke përdorur gjuhën dhe të folurit, disa kanë aftësi të limituar të të folurit, kurse të tjerë mund të kenë fjalor të pasur dhe mund të flasin për tema specifike në detaje.

Fëmijët me autizëm duhet të marrin trajtimin e duhur. Një ndër trajtimet me rol kyç është edhe ai logopedik. Roli i logopedit është i rëndësishëm te këto raste pasi ai do të kryejë një vlerësim gjithëpërfshirës të aftësisë së fëmijës për të komunikuar, dhe bazuar në ketë do të hartojë një program të përshtatshëm terapeutik.

Liridon Ahmetaj, logoped në ordinancën logopedike FJALA flet për zhvillimin gjuhësor te fëmijët me autizëm varësisht nga mosha. Ai thotë se deri nga mosha 1 vjeçare fëmija do të tregojë shenja që kanë të bëjnë me lirimin ose jo të tingujve dhe britmave të shpeshta, pastaj të qara vështirë të interpretueshme dhe s’do të jetë në gjendje të imitojë gjeste.

Në moshën 1-2 vjeçare, fëmija ka mungesë të zhvillimit gjuhësor, fjalë që mund të shfaqen por edhe mund të zhduken në mënyrë spontane. Nga mosha 2-4 vjeçare, fëmija ka vonesë ose mungesë të të folurit, vështirësi në të kuptuar dhe prirje për përsëritje fjalësh (Echolali). Pastaj nga mosha 4–6 vjeçare, të shprehurit është e kufizuar, kemi praninë e Echohali-së dhe fëmija kombinon dy deri në tri fjalë“, thotë ai.

Ahmetaj tregon se një seancë logopedike zgjat deri në 45 minuta, pasi brenda kësaj periudhe kohore përqendrimi dhe vëmendja është më e madhe. Ai thekson edhe rëndësinë e rolit të prindërve pas seancës.

Bashkëpunimi me prindërit luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, pasi fëmija me autizëm duhet të zhvillojë aktivitete të ndryshme edhe më pas, por gjithmonë duke iu përmbajtur rekomandimeve të logopedit“, vazhdon ai.

Metodat e trajtimit mund të jenë të ndryshme varësisht nga rasti dhe nga synimet e caktuara për të cilat punohet që të arrihen.

Trajtimi logopedik, nëse përdoren teknikat dhe metodat adekuate ndihmon shumë në aspektin e përgjithshëm, në objektivat e veçanta të cilat i kemi identifikuar, aftësive që mungojnë dhe atyre që kemi për qëllim t’i arrijmë. Autikët janë unik, ata janë të dashur dhe duhen të trajtohen me kujdes.“, shton Ahmetaj.

Duke qenë se janë tre nivele të çrregullimit të spektrit të autizmit, të gjithat ndikojnë në aftësinë komunikuese, pra  aspektin verbal dhe joverbal. Sipas këtyre niveleve që variojnë nga niveli më i butë deri tek ai më i rëndë i simptomave të autizmit, specialistët përkujdesen të përshkruajnë terapinë dhe trajtimin e duhur për rastin e caktuar.

Edhe pse autizmi mund të jetë paraqitur në formën më të lehtë, i njohur ndryshe si autizëm me funksion të lartë, gjasat për trajtimin logopedik janë të mundshme, pasi edhe pse këta fëmijë mund të formojnë fjalë dhe fjali, ka të ngjarë që ta keqkuptojnë dhe keqpërdorin gjuhën gjatë përdorimit.

Besë Ibrahimi, logopede në organizatën joqeveritare “Autizmi” në Prishtinë, flet se si qendra ofron shërbime si psikoterapi, logopedi dhe ergoterapi për fëmijët me çrregullimet e spektrit te autizmit.

“ Shoqata jonë është e përbërë prej ekipeve multi-diciplinare, dhe në bashkëpunim me psikologë, seancat logopedike realizohen me bazë të terapisë ABA (Applied Behavioral Analysis) e cila përveç tjerash realizohet me shpërblim, lojëra dhe nxitje për punë të mire gjatë seancës. Kjo gjë motivon fëmijët dhe paralelisht ofron koncentrim dhe vëmendje të përbashkët“, tregon ajo.

Sipas saj, marrëdhëniet me fëmijët dhe arritjet e rezultateve të pritshme me punën dhe trajtimin e duhur, duhen bërë kështu që ato të shihen fillimisht te hapat e vegjël ndërsa puna madhore vetë pas disa muajve apo viteve.

“Natyra e punës tonë është e ndjeshme dhe gjithmonë krijojmë empati për fëmijët dhe bëhemi një bashkë me ta për t’u dalë në ndihmë përballë sfidave që ata kanë. Varësisht se deri në cilat shkallë fëmija posedon aftësitë, vihen edhe proceset e synimit terapeutik. Synimet duhet të jenë me hapa të vegjël dhe të përshtatshme për nivelin e zhvillimit gjuhësor“, ka thënë ajo.

Rezultati kohor, thotë ajo, është varësisht nga shkalla e prekshmërisë me spektrin e autizmit dhe niveli i vështirësisë gjuhësore, pa lënë anash dhe stimulimin e duhur gjuhësor nga terapisti, familja dhe rrethi.

Ajo madje ka një mesazh për prindërit e fëmijëve me autizëm duke u porositur atyre të jenë sa më të qartë dhe të stimulojnë sa më shumë të folurit e fëmijës, gjë të cilën mund ta bëjnë duke emërtuar çdo gjë që i rrethon dhe u ngjall interes fëmijëve.

“Në vend të pyetjeve që kërkojnë përgjigje PO/JO pyesin p.sh ‘A do qumësht apo lëng?’ Herën tjetër ndërroni pyetjen ‘Lëng apo qumësht?’ Mbani gjërat para jush, pranë fytyrës ndërsa thoni pyetjet. Nëse fëmija kërkon qumësht, por ju e dini se ai apo ajo e urren qumështin, dhuro atë që fëmija ka kërkuar. Kjo do t’u japë atyre mundësinë për të bërë zgjedhje të reja.“, përfundon ajo.

Besë Ibrahimi, logopede në qendrën Autizmi

Puna që logopedët realizojnë jo gjithmonë paguhet me para xhepi. Shumë nga logopedët bëjnë punë vullnetare duke shprehur dashurinë dhe vullnetin e tyre të lirë që të asistojnë te fëmijët me autizëm.

E.Preteni studente në vitin e tretë në kolegji Heimerer ndan për KosovaLive përvojën dhe sfidat e saj si vullnetare në njërin nga institucionet parashkollore të Prishtinës, ku për 8 muaj ajo asistoi një fëmijë me spektër të autizmit.

“Ka qenë sfiduese por njëkohësisht e bukur. Them sfiduese sepse rastin të cilin kam asistuar ka qenë joverbal, hiperaktiv dhe ka pasur raste kur nuk ka qenë bashkëpunues. Vështirësi kam hasur sidomos në fillimet e punës kur nuk kuptoja cilët janë shkaktarët që po shfaqet sjellja refuzuese. Megjithatë ka qenë bukur teksa shihje që pas një kohe pune intensive arrihet përmirësimi dhe objektivat e caktuara“, u shpreh ajo.

Ajo tregon për fokusin kryesor gjatë seancave, gjithnjë duke pasur parasysh rastin që ajo po trajtonte e duke njohur diversitetin dhe faktin se sa unik secili fëmijë me autizëm është.

“Kurrë nuk është e mundur t’u qasesh me të njëjtën metodë pune dy rasteve me autizëm. Gjatë seancave me të kryesisht jam fokusuar në të kuptuarit dhe të shprehurit e gjuhës verbale si dhe në reduktimin e sjelljeve lënduese. Kujdes të posaçëm është dashur të tregohet në momentet kur ka paraqitur sjellje refuzuese të cilat do të kenë ardhur nga disponimi jo i mire apo nga shkaku se nuk dëshironte të punonte“, vazhdon ajo.

Dëshira e saj në lidhje me këtë çështje është të rritet niveli i vedijësimit dhe të pranohen fëmijët nga shoqëria ashtu siç janë.

“Do të doja shumë që njerëzit të jenë më të informuar dhe mirëkuptues ndaj sjelljeve të këtyre fëmijëve, sepse ata janë unik dhe ofrojnë dashuri në mënyrën si ata dinë“, thotë Preteni.

Orgesa Roka

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM