Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas lajmit që Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ka vdekur ka thënë se ai nuk ishte vetëm një profesionist i pashoq, por edhe një njeri i përkushtuar e i angazhuar, me interes të veçantë për Kosovën duke e mbështetur atë në rrugën e integrimit evropian.
Osmani në postimin e saj në Facebook ka ngushëlluar familjen e miqtë e tij, si dhe të gjithë shtëpinë e madhe evropiane, në të cilën ai punoi me përkushtim, si një mbështetës i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Sot bota politike mbeti pa Presidentin e Parlamentit Evropian, z.David Sassoli. Ai iku befasisht, duke lënë një zbrazëtirë jo vetëm në postin që mbajti, por edhe në skenën politike, si një njeri racional, i hapur dhe evropian i dedikuar. Një vit më parë, pata nderin ta takoj z. Sassoli në Bruksel – një takim e një diskutim që do të mbetet me mua përherë. Ai nuk ishte vetëm një profesionist i pashoq, por edhe një njeri i përkushtuar e i angazhuar, me interes të veçantë për Kosovën duke e mbështetur atë në rrugën e integrimit evropian.
Ngushëllime të sinqerta për familjen e miqtë e tij, si dhe të gjithë shtëpinë e madhe evropiane, në të cilën ai punoi me përkushtim, si një mbështetës i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Z.Sassoli u prehtë në paqe!