Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kryeministri Kurti: Mos e nënvlerësoni Omicronin

Jan 27, 2022

Në debatin parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në vend, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke iu drejtuar Kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës foli për situatën aktuale epidemiologjike pas shfaqjes së variantit Omicron të virusit dhe për veprimet institucionale me qëllim menaxhimin e saj.

Përballë këtij varianti jashtëzakonisht ngjitës, kryeministri tha se Kosova ka pasur një avantazh të dukshëm në krahasim me disa vende tjera për shkak të përgatitjeve dhe reagimit me kohë nga ana e institucioneve dhe bashkëpunimit me qytetarët. Ndryshe nga vende tjera në Evropë dhe rajon, vala e këtij varianti në Kosovë filloi në një kohë kur ishin më pak se 10 raste të reja në ditë dhe më pak se 5 pacientë të spitalizuar me COVID-19.

Megjithatë, në dyjavëshin e fundit, rastet e reja ditore janë rritur për më shumë se 10-fish dhe ka filluar të vërehet një rritje e dukshme e numrit të spitalizimeve, tha kryeministri Kurti.

Sado që numri i spitalizimeve në këtë fazë mund të duket relativisht i ulët dhe përkundër numrit të madh të të vaksinuarve me dy doza, që tashmë ka arritur numrin prej 800 mijë qytetarë, duhet theksuar që kjo nuk na ofron aspak siguri për ditët dhe javët në vijim,  tërhoqi vëmendjen kryeministri Kurti.

Ai tha se qëllimi kryesor i masave aktuale është, që të ngadalësohet aq sa është e mundur rritja e rasteve të reja, sepse ato nuk ndalen dot. Masat synojnë, që në njërën e anë të sigurojnë, që sistemi shëndetësor të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar dhe në anën tjetër nëpërmjet ngadalësimit të shpërndarjes, t’u japin kohë qytetarëve, që të vaksinohet sa më masivisht.

Sa i përket vendimmarrjes për masat e miratuara, kryeministri Kurti tha se kanë qenë rezultat i një procesi të kujdesshëm ndërinstitucional dhe reflektojnë një balancim në mes të vlerave dhe parimeve të ndryshme. Ato nuk janë ekstreme, por janë thelbësisht të moderuara. Duke i referuar studiuesve nga Universiteti i Oksfordit, kryeministri tha se ashpërsia e masave në shumë shtete të Evropës është më e lartë se në Kosovë. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore janë duke monitoruar në vazhdimësi situatën epidemiologjike në vend e më gjerë, në mënyrë që këtë balancë ta ruajmë gjatë ditëve dhe javëve në vijim, me përditësim të masave sipas nevojës. Pra, vendimet tona politike e qeveritare gjithmonë do ta kenë substancën e do të paraprihen nga vlerësimet shkencore, shtoi më tej ai.

 “Mos e nënvlerësoni Omicronin”, ishte mesazhi i kryeministrit Kurti në përfundim të fjalës së tij, meqë ky variant ka shkaktuar dhe po vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda edhe në vendet më të zhvilluar të botës, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

Në fund të vitit që e lamë pas, pra më 26 dhjetor, varianti Omicron u detektua edhe te ne. Në kohën kur e gjithë bota por edhe rajoni po përballeshin me shifra alarmante të të infektuarve, ishte vetëm çështje kohe kur ky variant i virusit do të përhapej edhe në vendin tonë. Ashtu siç parashihej nga analizat e projeksionet, si dhe nga ajo që pamë në vendet e tjera me këtë variant, tani edhe në Kosovë kemi këtë shfaqje të Omicron me rritje eksponenciale të rasteve.

 

Kjo rritje rezulton prej faktit se varianti Omicron përhapet shumë më lehtë dhe shumë më shpejt sesa variantet e mëparshme të virusit Corona. Sipas të dhënave më të fundit nga vende të tjera, çdo person i infektuar me variantin Omicron po infekton mesatarisht 4 persona të tjerë, edhe pse një shumicë e madhe e personave në këto vende janë të vaksinuar apo kanë kaluar një variant të mëparshëm të virusit. Për më tepër, një person i infektuar, po ua bart virusin të tjerëve, mesatarisht, vetëm dy ditë pasi është infektuar vetë. Pikërisht ky kombinim i tipareve është duke shkaktuar një rritje ekplozive të rasteve brenda dhe jashtë Kosovës.

 

Mirëpo, përballë këtij varianti jashtëzakonisht ngjitës, Kosova, fillimisht, ka pasur një avantazh të dukshëm në krahasim me disa vende tjera. Për shkak të përgatitjeve dhe reagimit me kohë nga ana e institucioneve tona, si dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me qytetarët, gjatë muajve para ardhjes së variantit Omicron, vala e këtij varianti filloi në Kosovë në një kohë kur kishim më pak se 10 raste të reja në ditë dhe më pak se 5 pacientë të shtrirë në spital me Covid aktiv. Ndryshe nga vende të tjera të Evropës dhe të rajonit, pra, vala e Omicronit në Kosovë i ka gjetur institucionet tona shëndetësore në gjendje të gatishmërisë së plotë.

 

Megjithatë, sot ndodhemi në mes të fazës më aktive të kësaj vale. Në dyjavëshin e fundit, rastet e reja ditore janë rritur për më shumë se 10-fish dhe ka filluar të vërehet një rritje e dukshme në numrin e spitalizimeve dhe humbjeve të jetës gjatë ditëve të fundit. Sipas të dhënave më të fundit nga ShSKUK-s, sot kemi 181 pacientë të shtrirë me Covid-19 ose post-Covid nëpër spitalet tona, ndërsa gjatë javës së fundit, 7 qytetarë kanë humbur betejën kundër kësaj sëmundjeje.

 

Numri i spitalizimeve dhe humbjeve të jetës, në këtë fazë, mund të duket relativisht i ulët. Kjo natyrisht për shkak se një numër i madh i qytetarëve tanimë janë vaksinuar me dy doza dhe po vazhdon mirë edhe vaksinimi me dozën e tretë përforcuese. Pikërisht sot është dita kur shënojmë 800 mijë qytetarë të Republikës sonë me dy doza. Mirëpo, përkundër numrit të madh të të vaksinuarve dhe këtyre shifrave inkurajuese, duhet theksuar që nuk na ofrojnë aspak siguri për ditët dhe javët në vijim. Sepse botërisht është e ditur që numri i spitalizimeve dhe humbjeve të jetës nuk rritet menjëherë pas rritjes së numrit të rasteve të reja. Përkundrazi, rritja në numrin e spitalizimeve nuk shfaqet menjëherë pas rritjes së rasteve, ndërsa numri i vdekjeve fillon të rritet vetëm pas disa javësh.

 

Për këtë arsye, jemi detyruar edhe në Kosovë që të marrim masa kufizuese. Për shkak të natyrës jashtëzakonisht ngjitëse të variantit Omicron, rritja eksponenciale e rasteve, të paktën për një kohë, do të jetë e pashmangshme, çfarëdo kufizimesh që të vendosim. Ta zëmë konfederata zvicerane ka pasur dje përafërsisht 10-fishin e infektimeve të reja çfarë ne kishim sot. Pra është si qëllimi kryesor i masave të miratuara që së paku që të ngadalësohet, me aq sa kemi mundësi, rritjen enorme e rasteve të reja, sepse nuk e ndalim dot. Por ajo çka mund të bëjmë është ta ngadalsojmë. Dhe kjo është për dy arsye.

 

Së pari, ngadalësimi i rritjes do të sigurojë që funksionimi i sistemit shëndetësor të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar, sepse edhe këtë ne e kemi rrezik të madh. Sëmundjen e personelit shëndetësor. Edhe numrin e shtretërve, edhe numrin e punonjësve i kemi të kufizuar në spitalet tona. Pra, na duhet me doemos që të reduktojmë sa më shumë që të kemi mundësi shpejtësinë e përhapjes së virusit.

 

Së dyti, dhe po aq e rëndësishme, një ngadalësim i tillë iu jep kohë qytetarëve që të vaksinohen sa më masivisht, qoftë me dy dozat e para, qoftë me dozën përforcuese. Interesimi mes qytetarëve të Republikës për t’u vaksinuar po shtohet nga dita në ditë. Qytetarët po iu përgjigjet thirrjeve tona në këtë drejtim dhe  kjo rritje e dukshme në interesim do ta ndihmojë vendin tonë që të kalojë këtë valë sa më shpejt dhe me pasoja sa më të lehta. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse qytetarët kanë mundësi të vaksinohen dhe të zhvillojnë imunitet të mjaftueshëm para se të infektohen.

 

Më lejoni të theksoj edhe një herë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, rëndësinë e vaksinimit sa më të gjerë jo vetëm me dy dozat e para, por edhe me dozën e tretë përforcuese. Deri tani, vendet të cilat janë treguar më shumë sukses në betejën kundër variantit Omicron, kanë qenë pikërisht ato me përqindjen më të lartë të qytetarëve të vaksinuar plotësisht me të tri doza. Kjo për arsye se, disa muaj pas marrjes së dozës së dytë, mbrojtja e ofruar kundër infektimit dhe sëmundjes së rëndë fillon të bjerë. Mirëpo, për fat të mirë, marrja e dozës përforcuese e rrit përsëri mbrojtjen prej spitalizimit deri në 90%, si dhe ofron një mbrojtje jo të vogël kundër infektimit. Prandaj, i inkurajoj të gjithë qytetarët e Republikës që të vaksinohen sa më shpejt, duke përfshirë të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç me dozën përforcuese posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë.

 

I kam disa të dhëna të rëndësishme:

 

Në Kosovë, në dy javët e fundit janë raportuar 27,100 raste pozitive dhe 10 raste të vdekjes.

Sipas të dhënave tona, nga korriku 2021 deri me 25 janar 2022, 74% të infektuarve kanë qenë të pa vaksinuar. Mbi 80% e rasteve të vdekjes nuk kanë qenë të vaksinuar.

 

Me variantin Omicron në javën e fundit, grupmosha më e prekur ka qenë prej 10-19 vjeç, me 30%, që i përkasin moshës e cila është qoftë e pavaksinueshme, ose përqindje e ulët e përfshirjes me vaksinim.

 

Të nderuar deputetë,

 

Masat anti-Covid që kemi marrë në Kosovë më 21 janar 2022 nuk kanë rënë nga qielli. Përkundrazi, ato kanë qenë rezultati i një procesi të kujdesshëm ndërinstitucional, duke filluar me rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë në Komisionin këshillëdhënës për masat Anti-Covid, duke u pasuar nga shqyrtimi i këtyre masave nga përfaqësues të institucioneve kyçe për menaxhimin e pandemisë në Komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me Covid-19. Ne jemi një qeveri që nuk merr vendime ad-hoc, shkel e shko apo për përfitime politike. Jemi një qeveri e cila është e gatshme për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur, edhe vendime të vështira por për të mirën e qytetarëve. Dhe jemi një qeveri që merr vendime duke u bazuar në konsultime të vazhdueshme me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe me akterët institucionalë të vendit. Vetëm pas përfundimit të një procesi të tillë të konsultimit, pra, Ministria e Shëndetësisë i ka propozuar zyrtarisht këto masa për miratim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

 

Masat e miratuara reflektojnë një balancim në mes të vlerave dhe parimeve të ndryshme. Pra nga njëra anë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam detyrë më parësore sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që Qeveria i ka në dispozicion. Sikurse prej fillimit, jeta dhe shëndeti i qytetarëve e kanë fjalën e parë dhe të fundit në të gjitha vendimet tona lidhur me pandeminë Covid-19.

 

Por nga ana tjetër, jo vetëm unë, por i gjithë kabineti qeveritar, jemi të vetëdijshëm për pasojat që masat kufizuese mund të shkaktojnë në jetën ekonomike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Për këtë arsye, gjatë hartimit të masave të fundit, Ministria e Shëndetësisë është përpjekur, si gjithmonë, që t’i kufizojë sa më pak që të jetë e mundur sektorët me numrin më të lartë të punonjësve. Po ashtu, jemi përpjekur që t’i lejojmë institucionet kulturore të vazhdojnë veprimtarinë e tyre, ndonëse me kapacitet të reduktuar. Dhe më e rëndësishme, për të ruajtur mirëqenien e fëmijëve nga pasoja të dëmshme afatgjata, kemi vendosur që të mbajmë të hapura institucionet arsimore në përgjithësi dhe t’i mbyllim vetëm ato shkolla ku niveli i infektimit kalon 5% të nxënësve.

 

Masat e reja të miratuara nga Qeveria, pra, nuk janë ekstreme. Janë thelbësisht të moderuara. Sipas studiuesve nga Universiteti i Oksfordit, ashpërsia e masave në shumë shtete të Evropës është më e lartë se në Kosovë, madje në Gjermani gjatë valës Omikron, Indeksi i Ashpërsisë së Masave e ka vlerën dy herë më të lartë se në Kosovë. Po ashtu, në Holandë, megjithëse sistemin shëndetësor e ka ndër më të fortat në Evropë, autoritetet shtetërore prapëseprapë vendosën të mbyllnin vendin për një periudhë njëmujore, në mënyrë që të ngadalësohej rritja e rasteve dhe që t’iu lihej kohë qytetarëve për të marrë dozën e tretë përforcuese. Vetëm pas kësaj periudhe të gjatë të mbylljes së ashpër, autoritetet e Holandës kanë vendosur t’i largojnë gradualisht kufizimet.

 

Duke marrë parasysh pasojat e rënda të një qasjeje të tillë, sidomos për ekonominë e vendit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të mos imponojë kufizime kaq të ashpra, pavarësisht nga rritja e theksuar e rasteve të reja gjatë ditëve të fundit. Në vend të kësaj, kemi zgjedhur një rrugë më të balancuar, duke vendosur kufizime vetëm në ata sektorë që janë me rrezik të shtuar.

 

Le të mos harrojmë se masat e marra, edhe pse mund të shkaktojnë vështirësi në jetën e përditshme, janë megjithatë të përkohshme. Për fat të mirë, përvoja e vendeve të tjera tregon se vala e variantit Omicroni kalon relativisht shpejt në krahasim me valët e mëhershme të Covid-19. Unë ju garantoj juve dhe të gjithë qytetarëve, pra, që posa të bëhet e qartë se masat e vendosura nuk janë më të nevojshme për të parandaluar mbingarkesën e sistemit shëndetësor, ne do të fillojmë menjëherë që t’i lehtësojmë. 

 

Megjithatë, kohëzgjatja e këtyre masave nuk varet vetëm nga Qeveria. Kohëzgjatja e masave varet nga të gjithë qytetarët e Republikës. Edhe pse dy doza të vaksinës vazhdojnë të ofrojnë një mbrojtje të fortë kundër formave të rënda të sëmundjes, e vetmja mënyrë efikase për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron është marrja sa më e gjerë e dozave përforcuese mes popullatës sonë. Duke marrë këtë dozë sa më masivisht, qytetarët mund të sigurojnë që kjo valë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe, po ashtu, që kufizimet të largohen sa më parë.

 

Të nderuar deputetë,

 

Kam një mesazh të fundit dhe shumë të rëndësishëm jo vetëm për ju, por për të gjithë qytetarët: Mos e nënvlerësoni Omicronin. Ky variant ka shkaktuar dhe po vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda edhe në vendet më të zhvilluara të botës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shembull, ka shënuar gjatë kësaj vale numrin më të lartë të spitalizimeve që nga fillimi i pandemisë, si dhe numrin më të lartë të vdekjeve që gati një vit. Dhe numri i të vdekurve po shtohet nga dita në ditë. 

 

Po ashtu, në vendet e rajonit vala Omicron po tregohet tejet e aftë për të rrezikuar shëndetin publik. Në Kroaci gjatë kësaj vale janë regjistruar edhe mbi 60 vdekje në ditë – 64 vdekje kanë qenë në Kroaci më 26 janar, dje – , ndërsa në Maqedoni Veriore janë shënuar 20-25 vdekje në ditë, e në Bosnjë 49 vdekje dje – më 26 janar. Të gjitha këto të dhëna nga ShBA-të dhe rajoni tregojnë që Omicroni po shkakton ngarkesë të jashtëzakonshme të sistemit shëndetësor dhe fatalitete në nivele të larta, sidomos në vendet të cilat çalojnë me shkallën e vaksinimit me dozën përforcuese.

 

Është më se e qartë, pra, që omikroni nuk është grip siç kanë shpresuar disa. Omikroni vret, omikroni mund ta ngarkojë tej mase sistemin shëndetësor, ndërsa shqetësuese janë edhe raportimet nga vendet tjera për rritjen rekorde të spitalizimeve tek fëmijët e moshës prej 0-4 vjeç. Në ditët dhe javët në vijim, mund të dalë që Kosova do të kalojë këtë valë më lehtë sesa vende të tjera. Ne shpresoj e urojmë që të jetë kështu. Kjo është ajo çka të gjithë ne po e shpresojmë. Mirëpo, do të na duhet ca kohë për të matur nëse kjo shpresë do të pasqyrohet në realitet. Deri atëherë, Kosova nuk e ka luksin të injorojë një valë të re të pandemisë. Reagimi i shtetit duhet të jetë adekuat, me një qasje parandaluese. Për këtë arsye, dhe vetëm për këtë arsye, kemi qenë të detyruar që të marrim masa shtesë.

 

Të nderuar deputetë,

 

Asnjë vendim nuk duhet të jetë i bazuar në emocione të momentit, por në analizimin e kujdesshëm të situatës i cili merr për bazë pasojat në shëndetin publik dhe kapacitetet spitalore të vendit, duke mos harruar që të tregohemi të kujdesshëm lidhur me jetën ekonomike, kulturore dhe shoqërore të vendit dhe mirëqenien afatgjatë të fëmijëve. Në këtë kontekst Kosova po arrin të ruajë balancën e duhur. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore janë duke monitoruar jo vetëm çdo ditë, por çdo minutë, situatën epidemiologjike në vend e më gjerë, në mënyrë që këtë balancë ta ruajmë në vazhdimësi gjatë ditëve dhe javëve në vijim, me përditësim të masave sipas nevojës. Pra, vendimet tona politike e qeveritare gjithmonë do ta kenë substancën e do të paraprihen nga vlerësimet shkencore.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM