Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna në konferencën e rregullt për media ka prezantuar punën e Ministrisë së Arsimit përgjatë këtyre dy javëve të fundit, sfidat dhe të arriturat në arsim.
Zëvendësministrja Maloku Bërdyna edhe një herë në emër të MASHTI ka bërë thirrje për respektimin e masave për mbrojtje nga Covid-19 dhe për vaksinim të nxënësve mbi moshën 12 vjeç, pasi respektimi me përpikëri i masave të rekomanduara nga ekspertët shëndetësor, përveç që është domosdoshmëri për mbrojtjen e shëndetit publik, është edhe mundësia më e mirë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor me prezencë fizike në shkollë.
Duke folur për të arriturat, zv/ministrja Maloku Bërdyna ka përmendur ratifikimin e marrëveshjes për Programin “Horizon Europe” dhe atë për shkëmbim akademik “Fulbright”.
Maloku Bërdyna theksoi se, Programi “Horizon Europe”, ku Kosova merr statusin e asociuar në program me të drejta të plota, është programi kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e punës kërkimore dhe inovacionit me buxhet të përgjithshëm prej 95.5 miliard euro.
Ndërsa, ajo tha se Programi “Fulbright”, studentëve tanë ua hapë rrugën për studime në institucione prestigjioze amerikane, në programe me interes për zhvillimin e vendit, si dhe mundëson rrjetëzimin dhe hulumtimin me institucione hulumtuese amerikane, që në planin afatgjatë kontribuon në ngritjen e performacës së hulumtimit në vend.
Sa i përket Planit Strategjik të Arsimit 2022-2026, Zëvendësministrja tha se, Ministria ka diskutuar me partnerët zhvillimorë draftin e këtij Plani, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve që kanë të bëjnë me implementimin e tij.
Ndër të tjera, Maloku Bërdyna bëri të ditur se është hartuar Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme dhe është dërguar në konsultim paraprak. Ky ligj do të rregullojë ofrimin e edukimit cilësor në të gjitha format e organizimit të edukimit për fëmijët e moshës nga 0 deri në 6 vjet.
Maloku Bërdyna po ashtu ka vlerësuar lartë mundësinë e aplikimit për bursa për studentët tanë në programin e bursave Japoni/Banka Botërore. Programi i Përbashkët i Bursave, këtë vit për herë të parë e ka vënë Kosovën në listën e vendeve të pranueshme për aplikim në këtë program, duke iu dhënë kështu mundësi aplikimi edhe studentëve nga Kosova. Programi ofron financim për studime master në fusha të ndryshme.
Në lidhje me ecurinë e procesit mësimor, zëvendësministrja Maloku Bërdyna theksoi se nga të dhënat e Inspektoratit, 672 shkolla janë duke e siguruar procesin mësimor sipas seknarit Rikthimi, 7 shkolla sipas senarit A, 5 shkolla sipas skenarit B dhe 90 shkolla sipas skenarit C, ndërsa aktiv me Covid 19 janë të regjistruar 1489 mësimdhënës dhe 6687 nxënës, thuhet në postmin në Facebook të MAShTI-t.