Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministri, Dukagjin Pupovci kanë pritur sot në takim me njërin ndër ideatorët e Fondit Kosovaro-Amerikan të Edukimit (KAEF), njëherësh drejtor i parë i USAID në Kosovë, Dale Pfeiffer.
Ministrja Nagavci e falënderoi Pfeiffer për mbështetjen e madhe që i ka dhënë arsimit ndër vite, veçanërisht mbështetjen për të rinjtë tanë përmes Fondit të themeluar nga ai e që ka mbështetur shumë të rinjë me bursa për studime në universitete të njohura amerikane.
Në këtë takim ndër të tjera u bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe krijimin e kushteve që Fondi të arrijë të mbështesë financiarisht numër më të madh të studentëve për një periudhë më të gjatë kohore.
Pfeiffer falënderoi ministren Nagavci dhe zv/ministrin Pupovci për gatishmërinë e tyre për të çuar përpara bashkëpunimin me këtë Fond.
Fondi Kosovaro-Amerikan për Edukim është një program prestigjioz që ofron bursa në nivel masteri dhe synon të fuqizojë liderët e ardhshëm të Kosovës me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të promovuar zhvillimin ekonomik të vendit. Që nga themelimi i programit në vitin 2004, mbi 100 studentë kanë ndjekur studimet e tyre të masterit në Shtetet e Bashkuara përmes bursës KAEF, thuhet në postimin në Facebook të MASHTI-t.