KMDLNj e fton Policinë e Kosovës të ruajë profesionalizmin, paanësinë dhe pavarësinë nga çdo ndikim politik apo të tjetër natyre nëse mendon ta ruajë reputacionin e fituar si një institucion me besueshmëri më të lartë në Kosovë.
Kamermani duhet të lirohet menjëherë dhe duhet të nisin hetimet ndaj atyre që, me arrestimin e kamermanit duan të krijojnë terr informativ përmes frikësimit të atyre që me profesionalizëm dhe ndershmëri duan ta informojnë publikun, të një pjese të papërgjegjshme të Policisë së Kosovës.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në objektin e Ndërmarrjes “ Agro Kosova Holding” , pas kërkesës së AKP-së, është arrestuar dhunshëm kamermani i agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online” që ishte në përcjellje të intervenimit policor. KMDLNj e përkujton Policinë e Kosovës se veprimtaria e gazetarëve ( në rastin konkret të kamermanit) është e garantuar dhe e mbrojtur me ligj dhe se ata nuk duhet të pengohen në kryerjen e punëve për të cilën janë të thirrur; krijimin e shpërndarjen e informatës për interes të publikut e që në rastin konkret kjo e drejtë është shkelur në mënyrë flagrante. Këto veprimtari janë pjesë e të drejtave të njeriut dhe ato duhet të mbrohen profesionalisht, moralisht dhe me forcën e ligjit.
Në fund, nëse dikush i ka shkaktuar dëm të jashtëzakonshëm ekonomisë së Kosovës është pikërisht AKP që ka dëmtuar rëndë të drejtat e qindra dhe mijëra punëtorëve kosovarë andaj duhet të sqarohet e kaluara e saj.
KMDLNj solidarizohet me kamermanin e arrestuar për faktin se i janë shkelur të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.