Në lajmin e publikuar sot nga gazetaexpress.com dhe i ripublikuar nga ekonomiaonline.com, me titull “LVV si pushtetarë, mburret se po kursen ujë, harxhon derivate sa dhjetëra rroga minimale”, ndër tjera thuhet: “Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani – e cila garoi në listën zgjedhore të VV-së, ku kjo parti fitoi mbi 50% të votave – para pak ditësh, publikoi me krenari shpenzimet e Osmanit, duke thënë se asnjë cent s’u shpenzua dosido”.
Një sugjerim redaksional skandaloz në brendi të tekstit “mundesh me hjek krejt, vec nëse do m`i qepu Vjosës”, të cilin nuk kemi arritur ta verifikojmë se cili medium e ka vendosur brenda tekstit përbën shkelje të rëndë profesionale, tendencë të hapur mediale e politike të vazhdueshme për denigrim dhe njollosje të Presidentes.
Mediat e apostrofuara ia hedhin fajin njëra-tjetrës për këtë skandal, teksa kjo praktikë e këtyre mediumeve, u dëshmua se nuk përbën gabim, por qëllim.
Kërkojmë nga redaksitë e mediumeve përkatëse që të kërkojnë falje publikisht për këtë shkelje profesionale, sepse nuk është hera e parë që ndiqet një qasje e tillë në raportimet e tyre për Presidenten, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.