M.K anëtare në grupe të ndryshme në rrjete sociale tregon se si këto grupe kanë efekte pozitive në shoqëri.
“Më kujtohet 2 vite më parë kisha disa probleme me kompjuterin tim personal. Fillimisht duke hulumtuar në Facebook gjeta grupe në cilat e tregova problemin tim. Pas një ore kishte komente në të cilat më sugjeronin se si të veproja. Edhe pse unë ndoshta nuk kuptoj nga teknologjia nuk dija si të veproja, më pëlqeu reagimi i tyre dhe shpresoj se në të ardhmen të ketë sa më shumë grupe të tilla të cilat i ndihmojnë shoqërisë e në veçanti të rinjëve”, thotë ajo.
Rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës. Shumë njerëz përmes telefonave të mençur kanë hapur llogaritë e tyre në rrjete sociale si Facebook, Instagram, Twitter e platforma tjera online. Arsyet janë të ndryshme dhe të shumta.
Ndër veçoritë kryesore të Facebook-it mund të thuhet se janë: informimi për mësime e gjëra të reja si dhe rejat më të fundit rreth miqve përmes postimeve me shkrime dhe fotografi për ngjarje të ndryshme si: diplomim, aheng familjar e ceromoni të ndryshme. Shumë kompani, organizata të ndryshme Facebookun e kanë shfrytëzuar si mundësi për të paraqitur shërbimet e tyre, reklamim apo edhe mundësim punësimi e ofertash për audiencën apo edhe hapjen e grupeve humanitare për familje e persona në nevojë.
Mirëpo, si shumëçka e cila përveç anës pozitive ka edhe anën negative, e njëjta vlen edhe për Facebook-un. Koha e kaluar pa limit në Facebook bën që gjërat tjera si familja, shoqëria, mësimi shpesh të lihen anash. Fotografitë, komentet, postimet e publikuara mund të mirren nga dikush tjetër dhe të keqpërdoren në forma të ndryshme. Humbja e privatësisë është gjithashtu ndër dukuritë negative.
Facebook ka gjetur përdorim nga nga të gjitha moshat mirëpo sipas të dhënave të agjensisë Hallakate në Kosovë, rrjetet sociale zakonisht konsumohen nga të rinjtë.
Mosha: 13-17 vjeç | 39 mijë përdorues | |
Mosha: 18-24 vjeç | 260 mijë përdorues | |
Mosha: 25 -34 vjeç | 310 mijë përdorues | |
Mosha: 35-44 vjeç | 170 mijë përdorues | |
Mosha: 45+ | 180 mijë përdorues |
Në Facebook, aktualisht ekzistojnë mijëra grupe edhe në gjuhën shqipe me qëllime dhe funksione të ndryshme. Ndër më të njohurat janë: Marakli t’shpijave me mbi 120 mijë anëtarë, Maniakë të fotografisë 28 mijë anëtarë, Network Prishtina me 81 mijë anëtarë, Marakli të kerreve 102 mijë anëtarë, Maniakë t‘teknologjisë me 59 mijë anëtarë, Të bashkuar për kafshët 16 mijë anëtarë e shumë grupe tjera të cilat bazuar në postimet dhe komentet e tyre shoqërisë i kanë ofruar njohuri, këshilla, vërejtje, ndihmë, organizime humanitare e shumë efekte tjera pozitive .
Marakli t’shpijave është grup i hapur katër vite më parë. Gjatë kësaj periudhe ai arriti të hyjë në mesin e grupeve më të frekuentura, që e arsyeton fakti se brenda ditës bëhen më shumë se 41 postime. Secila ndryshe nga tjetra . Diskutimet në përgjithësi lidhen rreth shtëpisë, dekorit, problemeve, oborrit e shumë tematika tjera. I ndërtuar me një listë rregullash si: respekti për të gjithë, ndalimi i gjuhës së urrejtjes dhe komenteve poshtëruese në aspekte të ndryshme, ai plotëson kriteret e një grupi adekuat për shoqërinë.
Administratori i këtij grupi Berat Binaku në një bisedë për Kosova Live treguar se si i erdhi ideja për hapjen e një grupit të tillë .
‘’Ideja e hapjes se grupit erdhi në shkurt te vitit 2018, pas hulumtimit për grupe rreth ndertimtarisë dhe shtëpijave, pash mungesë në rrjetet sociale dhe erdhi ideja për hapjen e grupit,’’ është shprehur ai.
Ndër qëllimet kryesore të hapjes se grupit ishte që të grumbulloheshin të gjitha kompanitë e ndërtimit, renovimeve, arkitektët, dhe grumbullimi i një audience sa më të madhe, pra që këto kategori të kenë ku të shfaqin punën e tyre. Gjithashtu edhe që njerëzit që kanë nevojë për mjeshtër ta gjejnë sa më lehtësisht, me një fjalë shumëçka të gjindet në një vend…
‘’Besoj se qëllimi është arritur, kemi arritur të grumbullojmë audiencë mbi 120,000 persona, dhe shumë kompani. Njerëzit tani e kanë më të lehtë që të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre. Gjithashtu kemi arritur edhe qëllime tjera si nē bamirësi, ku kemi bërë pjesë në ndërtimin e disa shtëpive dhe grumbullimin e të hollave për blerje të banesave për familjet në nevojë.’’
Ai është shprehur se punët me grupin janë duke shkuar mirë edhe pse rrallë ndonjëherë mund të paraqiten probleme të vogla. Berati shpreson se së bashku me grupin Marakli t’shpijave do i vazhdojnë angazhimet rreth bamirësisë së audiencës si dhe ndërtimin e më shumë shtëpive tjera për familjet në nevojë.
Maniakë të fotografisë është grup tjetër i popullarizuar në të cilën 28 mijë anëtarë përveç punës shprehin talentin e tyre në art e kreativitet.
‘’Grupet ‘Maniakë’ i kemi krijuar me dy shokë, Luanin dhe Kushtrimin që me i mbledhë njerëzit me pasione të njëjta në vitin 2012. Fillimisht krijuam ‘Maniakë t’Filmave’ ku qëllimi ishte të japim vlerësimet tona për filma e me pas anëtarët kërkuan të hapim një grup tjetër për seriale apo TV Shows,” rrëfen historinë dhe idetë e grupit, themeluesi Egzon Bunjaku.
Kjo i kishte ndihmuar të mendonin më gjerësisht rreth krijimit të komuniteteve të ndryshme me qëllim të pasurit e grupeve me sa më shumë cilësi. Kështu, ata zgjodhën Facebookun pasi vite më parë ai ishte platforma më e madhe në rritje si dhe ofronte mundësi të krijimit të grupeve.
‘’Facebook lejonte që lehtësisht të ftoni miqte tuaj në grup dhe kjo na e mundësoi që të kemi antarë të shumtë pa humbur kohë në zhvillimin e ndonjë platforme ose web faqeje që në atë kohë ishte kohë tejet e veshtirë dhe e kushtueshme,’’ është shprehur ai.
Ndër arsyet kryesore se përse e hapi këtë grup Egzoni përmend faktin se Kosova ka shumë pamje të bukura dhe se të gjitha këto e meritonin një vend të dedikuar dhe përmbledhur në fotografi. Deri më tani ai së bashku me anëtarët tjerë kanë arritur të bëjnë fushata të shumta promovimi vendit dhe fotografëve. Rugova si një ndër destinacionet me bukuri natyrore në Kosovë ka qenë vendi i aktivitetit të cilin Maniakët e Fotografisë e kanë zhvilluar me të cilin janë shprehur se kanë shijuar pamje të bukura.
Mirëpo, përvec grupeve në platformën e Facebookut ia vlen të përmendet edhe grupi i krijuar në rrjetin e Viber-it Rinia Kosovare.
Ashtu siç mund të kuptohet nga emri, ky grup i dedikohet të rinjëve në Kosovë. Me mbi 1 mijë e 318 anëtarë ky grup po vazhdon të krijojë lidhje mes të rinjëve duke kërkuar ndihmë, këshilla, informacione apo edhe duke ndarë të reja në qëllim të së mirës për të tjerët.
Themeluesi i këtij grupi Avi Gashi në një bisedë për KosovaLive thotë se në punën e tij për të mirën e Kosovës, rininë e ka në qendër sepse mendon se nëpërmjet rinisë mund ta ndërtojmë Kosovën që e kemi si vizion.
“Punën për Kosovën dhe rininë e bëj sepse e ndjej fuqishëm dëshirën për ta zhvilluar Kosovën nëpërmjet fuqizimit të rinisë. Duke e pa se gjeneratat sa më të reja po e përdorin facebookun çdo ditë e më pak, poashtu ngjashëm edhe me instagramin, atëherë kam vendosur të krijoj këtë grup me dëshirën e vetme që rinia e Kosovës të ketë një vend ku i merr të gjitha informacionet dhe mos t’i ikë asgjë, asnjë mundësi. Të njëjtën kohë, të shërbejë si platformë për ndihmë mes njëri-tjetrit për nevojat e tyre çfarëdo qofshin ato,” shprehet ai duke shtuar se deri tani ka marrë komente shumë pozitive për këtë grup sepse i ka ndihmuar shumë të rinj/reja.
Viber-in e kishte zgjedhur pasi mendon se Facebook-u nuk po përdoret nga rinia, ndërkohë që Instagram-i përdoret por vetëm scroll. Viber community nuk ka hapësirë për manovra me algoritme, pasi që të gjitha informatat janë në një vend, dhe rinisë nuk mund t’I ik asgjë.
‘’Kur foli për rininë e Kosovës sa t’mirë janë, sa shumë potencial kanë, m’mbushen sytë me lot, e m’rritet entuziazmi. Mundet me të tingëllu klishe, por me pas mundësi financiare ose fuqi politike s’kisha lanë guri pa lëviz me i përkrahë me i bo me arrit majat në çdo fushë të mundshme. Për momentin kam kaq mundësi sa t’i fuqizoj nëpërmjet kësaj forme, nëpërmjet aktivizmit qytetar, lobimit për interesat e tyre etj dhe këtë po e bëj. Grupi është i hapur për motivim, për informata rreth trajnimeve, aktiviteteve, rreth këshillave, rreth çkado që kanë nevojë’’, është shprehur ai.
Ai konsideron se ende nuk e ka arritur qëllimin që brenda grupit të jenë mbi 100,000 të rinjë, nga secila pjesë e Kosovës madje edhe nga zonat më thella malore si formë e gjithëpërfshirjes. Në të ardhmën ai beson se së bashku me rininë do zhvillojë aktivitete nga më të ndryshmet.
Flutura Sogonjeva
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.