Kopshtari është përgjegjës për mbjelljen, kultivimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave duke filluar nga ato të kopshteve e parqeve deri tek hapësirat me sipërfaqe të mëdha publike në zonat urbane dhe rurale. Edhe pse detyra e tij është mirëmbajtja e shëndetshme e hapësirave të gjelbra, sot jo të gjithë punësojnë një kopshtar për oborret e tyre.
Banorët e lagjes “Koço Flloku” në Pejë bëjnë të ditur se të gjithë kujdesen vetë për oborret e shtëpive të tyre dhe asnjëri nga ata nuk punëson kopshtar.
Hidajete Musaj tregon se si ajo vetë së bashku me dy motrat mirëmban oborrin e shtëpisë nga njohuritë e saj të deritanishme.
“Oborri diku ka rreth 300 m2 por sërish nuk më duket e mundimshme rregullimi dhe mirëmbajtja e tij. Këtë e bëj gjithmonë me kënaqësi edhe në kohën time të lirë”, thotë ajo.
Ajo shprehet se si i ka fituar njohuritë bazë nga prindërit e saj të cilët në atë kohë po ashtu kujdeseshin vetë për kopshtin e shtëpisë.
“Ia kam dalë të kultivoj pemë e perime dhe nëse ndonjëherë kisha ngecje thjesht shfrytëzoja internetin për informacion. Më duket bukur të shoh lulet e mia shumëngjyrëshe në pranverë dhe drurët tani në dimër. Shpresoj të gjithë të kenë një kujdes dhe dashuri për bimët e kopshteve të tyre”, shprehet ajo.
Kujdesi për peisazhin pos njohurive kërkon forcë e shëndet. Shpeshherë mungesa e tyre na dërgon në probleme si dhembje shpine, djegie nga dielli, probleme me muskuj dhe në rrezik nga bimët të cilat mund të jenë të dëmshme për shëndetin tonë.
Izet Kastrati, kopshtar, thekson se kualiteti është pika themelore që një kopshtar duhet të ketë në punën e tij, duke mos e lënë anash as pastërtinë.
“Mirëmbajtja e kopshtit nga një kopshtar do të ndikojë patjetër që rendimenti të jetë më i lartë, për vetë faktin se shumë nga ne kemi ndjekur trajnime të shumta për këtë gjë dhe njohim më mirë probleme si çka mund ta ketë dëmtuar llojin e caktuar të bimës dhe si ta shërojmë kopshtin në përgjithësi”, shprehet ai.
Shumica e kopshtarëve sot janë të njohur me krijimin e peisazheve rezistente ndaj stuhive dhe shpesh bëhen dizajne të oborrit posaçërisht për mbrojtjen ndaj erërave të forta, përmbytjeve apo zjarreve. Prania e bimëve me gjelbërim të përhershëm siç është pisha Ponderosa, është një mënyrë për mbrojtjen e kopshtit nga erërat e forta.
Kastrati tregon për problemet me të cilat ai ballafaqohet e që më shpesh janë ato atmosferike të cilat janë të pashmangshme dhe jo lehtë të rikuperueshme.
“Pavarësisht punës sonë, breshëri dhe shirat e rrëmbyeshëm janë diçka e pakontrollueshme që ndikon negativisht sado mirë që të kujdesemi. Problemet tjera lidhen me ekspozimin e duhur ndaj dritës,me faktin nëse toka është e kontaminuar ose jo”, ka thënë ai.
Nga të gjitha lulet, trëndafili vazhdon të mbetet lulja më e njohur e kopshtit. Shumë nga kopshtarët e cilësojnë si lulen më të popullarizuar të cilën e hasin pothuajse në çdo kopsht. Kopshti më i vjetër publik, zyrtar i trëndafilave në Amerikën e Veriut është në Hartford Connecticut dhe u krijua në 1904 nga Theodore Wirth.
“Ne kemi të bëjmë me blerës që interesohen për kultivimin e bimëve në oborret e tyre, por pasi ato kërkojnë më shumë kohë e kujdes shitja e tyre ka rënë dukshëm. Interesi rritet për lulet që dhurohen në raste solemne. Krahas bimëve si trëndafili ose orchidea për të cilat kërkesa është e madhe, ka kërkesa edhe për bimë që mbahen në hapësira të mbyllura pasi nevoja për ujitjen e tyre është më e vogël”, thonë nga lulishtja Red Flower në Prishtinë.
Labinot Kryeziu, master në mbrojtje të bimëve, bën të ditur se pavarësisht hapësirës së oborrit, mirëmbajtja e kopshteve është më shumë e përhapur në kopshtet private sesa në ato publike.
“Në zonat urbane ka gjithmonë drunjë dekorativ dhe shkurre shumëvjeçare me rritje të lartë. Është interesante fakti se në vend të mureve të larta, sot kopshtet private po përdorin gjithnjë lloje të bimëve për ndarjen e oborreve. Të tilla si Cuppresocyparis Leyladi dhe Prunus laurocerasus”, tha ai.
Si një prej faktorëve të mungesës së punësimit të kopshtarit në mirëmbajtjen e oborreve ai sheh jetën dinamike në të cilën jetojmë sot.
“Në ditët e sotme jo të gjithë gjejnë kohë të mjaftueshme për obligimet e tyre. Kjo ka bërë që këtu të përfshihet edhe kujdesi ndaj kopshtit, që si pasojë sjell mungesën e një kopshtari. Pavarësisht kësaj prania e një kopshtari do ta reduktonte hulumtimin dhe lodhjen tonë drejt një kopshti të shëndetshëm duke bërë kështu që të kemi gjithmonë një hapësirë të gjelbëruar dhe të mirëmbajtur mirë”, përfundoi ai.
Orgesa Roka
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.