Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pazari i hapura (flea market): Një mundësi përfitimi për bizneset e vogla

Shk 23, 2022

24 vjeçari Endrit Tasholli gjatë këtij viti ka filluar të menaxhojë një biznes të tij të vogël me aksesorë (vathë, qafore, unaza). Materialet që i përdor për biznesin e tij “Prej gurit” janë kryesisht të reciklueshme dhe jo-konvencionale, por që ai arrin t’i kthejë në aksesorë shumë të bukur për t’u blerë.

“Materialet që i përdori janë materiale që i gjej përreth meje, duke pasur gjithmonë qëllim të krijoj diçka me atë material, si për shembull me tel nga radio të vjetra. Me një fjalë, përdori material të reciklueshëm,” tregon Endriti.

Duke qenë se ka pak kohë prej kur ka filluar këtë biznes, ai nuk ka ndonjë hapësirë private ku mund t’i ekspozojë krijimet e tij, përpos rrjeteve sociale; ndaj, për Endritin, si udhë përfitimi i janë dukur pazaret e hapura (flea markets). Në fillim thotë se ka hezituar t’i promovojë produktet e tij, mirëpo tutje ka vazhduar të jetë pjesë e “flea markets”.

“Deri më tani jam shumë i kënaqur pasi biznesi që drejtoj është diçka që bëj në kohën e lirë. Si rrjedhojë, në këto organizime kaloj shumë bukur dhe krijohet një atmosferë shumë e këndshme aty,” tha ai teksa shpreh se do vazhdojë të jetë pjesë e tyre.

“Flea markets” dhe tregu më i madh i rishitjes, siç janë dyqanet e sendeve të dorës së dytë (thrift shops) kanë parë një rigjallërim vitet e fundit pasi mendësia e konsumatorëve ndryshon dhe gjeneratat e reja të konsumatorëve hyjnë në treg.

Përkufizimi “flea markets” rrjedh nga frëngjishtja “marche aux puces,” që në gjuhën shqipe përkthehet si “pazar i hapur”. Ky përkufizim nënkupton organizime që mbledhin biznese të ndryshme të vogla, të rajoneve të ndryshme, për t’i ekspozuar produktet e tyre (kryesisht të përdorura, por jo vetëm), që mund të jenë qoftë veshmbathje, punime dore, aksesorë të ndryshëm, elemente shtëpiake, mobilje e shumë produkte të tjera që në “flea markets” janë të mirëseardhura.

Pazaret e hapura organizohen kudo; nga Madridi i Spanjës, Meksikë, Rio de Janeiro e deri te Londra dhe New York-u, është gati e pamundur të mos hasen pazare të tilla. Ndërsa në Kosovë, një ndër hapësirat që iu ofron mundësinë bizneseve që të shesin produktet e tyre është qendra Termokiss në Prishtinë. Kjo qendër është e drejtuar nga komuniteti dhe është aktive që nga korriku i 2016-tës, pas marrjes së nismës nga një grup vullnetarësh për rijetësimin e një objekti të braktisur për një kohë të gjatë në Prishtinë.

Aktivitetet e Termokiss janë të shumëllojshme dhe përgjatë pesë viteve kanë përfshirë koncerte muzikore, punëtori të fushave të ndryshme si ndërtimi i mobiljeve me dru, punëtori për shëndet mendor, intervenime në lagje, si dhe klube të ndryshme si klubi i filozofisë, klubi i hulumtimit, “Strofull” (Klub i shëndetit mendor) e shumë aktivitete tjera. Aktivistët e kësaj hapësire, që në artikull preferuan të citohen si “komuniteti Termokiss,” tregojnë më shumë edhe për pazaret e hapura që ata i organizojnë.

“Ideja për organizimin e flea market ka ardhë ngjashëm si për aktivitetet tjera – nga idetë dhe takimet e hapura për program. Programi ynë bazohet tërësisht në nevojat e qytetarëve dhe, kur na është propozuar të ndodh, e kemi parë si aktivitet të përshtatshëm e të lezetshëm,” tregon një pjesëtar nga komuniteti Termokiss.

Hera e fundit kur është bërë një organizim i tillë në Termokiss është më 30 tetor, ndërsa në planifikimet e tyre është që të mbahet një herë në muaj. Target i këtyre organizimeve janë bizneset e vogla, individuale apo familjare që ndoshta nuk kanë hapësirë të tyre për shitje apo edhe thjesht dikush që nuk ka as biznes por që dëshiron të shesë diçka që nuk e përdorë më e mund t’i hyjë në punë dikujt tjetër.

Foto nga një pazar i hapur i organizuar në Termokiss

Foto nga një pazar i hapur i organizuar në Termokiss

Komuniteti Termokiss pohon se nuk ka kritere të caktuara për pjesëmarrje në këto pazare të hapura që i organizojnë. Thirrjet janë të hapura në rrjete sociale për aplikim përmes një Google Form. Krejt kjo bëhet për arsye që të rezervohet vendi dhe të ketë një ide e përgjithshme mbi numrin e pjesëmarrësve për arsye logjistike.

“Ne shpresojmë të ndihmojmë sado pak ekonominë lokale, nismat e reja dhe hapat e tyre të parë drejt ekonomisë qarkore,” thonë në Termokiss.

Kohëve të fundit gjithnjë e më shumë vihet në pah ndikimi i pazareve të hapura drejt një ekonomie qarkore. Ekonomia qarkore është një sistem i ekonomisë që, në vend të mbetjeve, vlerëson restaurimin dhe ripërdorimin e produkteve që edhe projektohen në këtë mënyrë. Madje, përderisa lëvizjet mbi ambientalizmin dhe qëndrueshmërinë po rriten, ekonomia qarkore sa vjen e bëhet më tërheqëse për konsumatorët.

SHBA, 16% e bizneseve veçse kanë aplikuar sistemin e ekonomisë qarkore përderisa 62% e tyre synojnë që ta përfshijnë këtë sistem (ekonominë qarkore) në biznesin e tyre në të ardhmen.

Të gjitha këto tendenca dhe lëvizje kanë lejuar që pazaret e hapura të lulëzojnë. Për më tepër këto ofrojnë një përvojë të re, diçka tjetër që konsumatorët dhe bizneset kanë filluar ta vlerësojnë gjithnjë e më shumë.

Në pajtim me këtë, Endriti tregon mënyrën se si pazaret e hapura e ndihmojnë atë, jo vetëm nga ana e shitjes dhe promovimit mirëpo edhe në aspekte të tjera.

“Çka më ka ndihmuar mua më tepër pjesëmarrja në pazaret e hapura është që jam ndier më i guximshëm për t’i prezantuar dhe për t’i shitur produktet e mia, por në të njëjtën kohë kam marrë edhe komente, kritika dhe ide që më kanë ndihmuar shumë për t’i përmirësuar produktet,” tregoi ai.

Nga një studim i kryer përmes një ankete, ku fokus primar kanë qenë pikërisht bizneset pjesëmarrëse (shitësit) në “flea markets” dokumentohet fakti se shumë shitës mendojnë se qeveria duhet të subvencionojë dhe të investojë në krijimin e hapësirave lokale ku mund të zhvillohen pazaret e hapura, njëlloj si në Kosovë: 62% e të anketuarve ishin gra kurse 33% burra. Shitësit e anketuar besojnë se “mungesa e kapitalit”, “mungesa e infrastrukturës” dhe “kushtet e vështira atmosferike (moti)” pengojnë biznesin e tyre. Disa të tjerë përmendën “mungesën e sigurisë”, “kosto të larta të përgjithshme” dhe se “nuk kanë vend për të shitur”.

55% e shitësve kanë deklaruar se përfitimet e marra nga pjesëmarrja në “flea markets” janë i vetmi burim i të ardhurave në krahasim, me 45% që pohuan të kundërtën. Tutje, 77% u përgjigjën se ky aktivitet ndihmon familjen, përderisa 21% nuk i shohin “flea markets” si një ndihmesë shumë të madhe në raport me stabilitetin e tyre ekonomik brenda sistemit familjar.

Deri më tani, Endriti ndjehet i kënaqur me përfitimet që merr nga biznesi dhe pjesëmarrja e tij në pazare të hapura pasi thotë se në këto pazare ke mundësinë të takohesh drejtpërdrejt me konsumatorin. Ai e përmbyll rrëfimin e tij duke treguar se koleksioni i fundit që ka krijuar ka të bëjë me një koleksion vathësh duke përdorur produkte të ushqimeve tradicionale si vathë me fasule, oriz, çaj të zi e misër.

Arta Drenica

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM