Build Skills with our trainings

Sign up now!

BE-ja thërret ambasadorin e Federatës Ruse në Bashkimin Evropian, për pushtimin e Ukrainës

Shk 24, 2022

Në kuadër të reagimit të BE-së ndaj pushtimit rus të Ukrainës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell udhëzoi Sekretarin e Përgjithshëm të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, Stefano Sannino, që të thërrasë sot në Bruksel ambasadorin e Federatës Ruse në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov.

Në takimin e tyre, Sekretari i Përgjithshëm Sannino përcolli dënimin më të fortë të BE-së për pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga forcat e armatosura të Federatës Ruse, si dhe kërkesën ndaj Presidentit rus Vladimir Putin që t’i ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake dhe t’i tërheqë pa kushte të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake nga i gjithë territori i Ukrainës.

Kjo u shpreh në deklaratën e PLZP Borrell në emër të Bashkimit Evropian dhe në deklaratën e përbashkët të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.

Sekretari i Përgjithshëm Sannino e informoi ambasadorin Chizov se përgjigja e prerë e BE-së ndaj agresionit rus do të vendoset në takimin e sotëm të jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian, dhe do të përfshijë një paketë të re dhe të ashpër me masa kufizuese, sektoriale dhe individuale, të koordinuara plotësisht nga BE-ja me Partnerët transatlantikë dhe ata që ndajnë të njëjtin mendim.

 

Deklaratë e dhënë nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell në emër të Bashkimit Evropian në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së

 

Zoti Kryesues, në emër të BE-së, dëshiroj t’ju falënderoj për thirrjen e shpejtë të kësaj mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Përhershëm. Këto janë orët më të errëta për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore.

 

Bashkimi Evropian e dënon në termat më të ashpra të mundshëm pushtimin e Ukrainës nga forcat e armatosura të Federatës Ruse.

 

Ne kërkojmë nga presidenti Putin t’i ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake ruse dhe të tërheqë pa kushte të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake nga i gjithë territori i Ukrainës. Rusia mban përgjegjësi të plotë për këtë akt agresioni dhe të gjitha shkatërrimet dhe humbjet e jetëve që do të shkaktojë. Prej Rusisë do të kërkohet llogari për veprimet e saja.

 

Ne dënojmë edhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion kundër Ukrainës, si dhe i bëjmë thirrje t’i respektojë detyrimet e veta ndërkombëtare.

 

Sulmi ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës – një shtet i pavarur dhe sovran – është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe parimeve thelbësore mbi të cilat është ndërtuar rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla.

 

BE-ja me partnerët transatlantikë dhe ata që ndajnë të njëjtin mendim, kanë qenë të bashkuar në përpjekjet e tyre të palodhura për të arritur një zgjidhje diplomatike të krizës së sigurisë të shkaktuar nga Rusia. Rusia nuk i u është përgjigjur këtyre përpjekjeve, përkundrazi zgjodhi në mënyrë të njëanshme përshkallëzimin e rëndë dhe të paramenduar.

 

BE-ja e ka bërë të qartë që në fillim dhe në nivelin më të lartë politik se çdo agresion i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës do të ketë pasoja masive dhe kosto të rënda.

 

Prandaj, përgjigja e BE-së do të përfshijë masa kufizuese sektoriale dhe individuale të koordinuara plotësisht me partnerët tanë transatlantikë dhe ata që ndajnë të njëjtin mendim.

 

Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim se BE-ja do të mbetet e bashkuar me vendosmëri teksa ndërmerr hapat e ardhshëm në koordinim të ngushtë me partnerët.

 

BE-ja i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë nga Rusia përfundimin e menjëhershëm të këtij agresioni, i cili rrezikon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare në shkallë globale.

 

I bëjmë thirrje Rusisë që ta respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të lejojë qasje dhe ndihmë humanitare të sigurt dhe të papenguar për të gjithë personat në nevojë. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Rusisë që të garantojë sigurinë e Misionit të Posaçëm të Monitorimit të OSBE-së.

 

BE-ja përsërit mbështetjen dhe angazhimin e vet të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Ne qëndrojmë pranë popullit të Ukrainës dhe institucioneve dhe përfaqësuesve të saj të zgjedhur në mënyrë demokratike.

 

BE-ja përsërit gjithashtu mbështetjen dhe angazhimin e vet të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe të Republikës së Moldavisë.

 

Do të kërkoja që kjo deklaratë t’i bashkëngjitet gazetës ditore.

 

Deklaratë nga Presidentja von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg dhe Presidentin Michel

Gjendemi para një momenti vendimtar. Dhe ne të tre, me qëndrimin tonë të përbashkët këtu, e dëshmojmë edhe një herë se nga sa afër po reagojnë Bashkimi Evropian dhe NATO-ja ndaj veprimeve të Kremlinit. Le ta shohë bota se uniteti është forca jonë.

 

Herët këtë mëngjes, Presidenti Putin urdhëroi akte mizore agresioni kundër një shteti sovran dhe të pavarur, dhe qytetarëve të pafajshëm. Ne do të kërkojmë llogari nga Rusia për këtë shkelje skandaloze të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Dhe këtu nuk rrezikohet vetëm Donbasi, as vetëm Ukraina. Në rrezik është stabiliteti i Evropës dhe i gjithë rendit ndërkombëtar, rendi ynë i paqes. Presidenti Putin zgjodhi ta kthejë luftën në Evropë. Me përgjigjen e vet të vendosur dhe të bashkuar, Bashkimi Evropian do ta bëjë sa më të vështirë që të jetë e mundur për Kremlinin që të vazhdojë me veprimet e veta agresive.

 

Rreth 30 minuta më parë, pata një telefonatë me Presidentin Zelenskyy. Ai na kërkoi çdo gjë që palët e ndryshme të interesit mund të bëjnë për të dhënë ndihmë. Më vonë sot, do të shtrojmë për miratim nga udhëheqësit evropianë një paketë me sanksione masive dhe të targetuara. Ne jemi në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë – Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Norvegjinë, por gjithashtu, për shembull, edhe me Japoninë dhe Australinë.

 

Kjo paketë do të përfshijë sanksione financiare që e kufizojnë ashpër qasjen e Rusisë në tregjet e kapitalit. Këto sanksione do të kenë ndikim të rëndë. Ekonomia ruse është përballur tashmë me presion intensiv gjatë javëve të fundit. Dhe këto presione tani do të shtohen. Këto sanksione do ta ulin rritjen ekonomike të Rusisë; do të rrisin kostot e huamarrjes; do të rrisin inflacionin; do të intensifikojnë flukset dalëse të kapitalit; dhe gradualisht do të gërryejnë bazën industriale të Rusisë.

 

Shtylla e dytë kryesore e sanksioneve tona lidhet me kufizimin e qasjes së Rusisë në teknologji kruciale. Ne duam ta shkëputim industrinë ruse nga teknologjitë që sot janë të domosdoshme për të ndërtuar një të ardhme nesër. Masat tona do ta dobësojnë pozicionin teknologjik të Rusisë në fushat kyçe, nga të cilat elita fiton pjesën më të madhe të parave të veta. Dhe kjo shkon nga komponentët e teknologjisë së lartë deri te softuerët më të avancuar. Kjo gjithashtu do ta degradojë seriozisht ekonominë ruse në të gjitha fushat në të ardhmen. Më lejoni të jem shumë e qartë: Është presidenti Putin ai që duhet t’ua shpjegojë këtë qytetarëve të tij. E di që populli rus nuk e dëshiron këtë luftë.

 

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e kanë plotësuar njëri-tjetrin në punën e tyre, dhe kjo krizë do të na afrojë edhe më shumë. Është detyra jonë e përbashkët ta kundërshtojmë aktin më të rëndë të agresionit në tokën evropiane për dekada të tëra. Tek uniteti ynë qëndron forca jonë e vërtetë. Kremlini e kupton shumë mirë këtë dhe prandaj ka bërë të pamundurën që të na përçajë, por kanë arritur pikërisht të kundërtën. Jemi më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë. Ne jemi një Union, një Aleancë, të bashkuar në qëllime.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM