Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gazetaret ende veprojnë në një ambient të pasigurt për punë në Kosovë

Shk 24, 2022

Më 13 tetor në veri të Mitrovicës, përkatësisht në lagjen e Boshnjakëve, gjatë raportimit për aksionin të prokurorisë anti-kontrabandë në këtë zonë, Albulena Rexha, gazetare e Kanal 10 është sulmuar në një transmetim të drejtpërdrejtë.

Ekipi i Kanal 10 u sulmua me një mjet shpërthyes, gjë që çoi në ndërprerjen e transmetimit televiziv.

“Ishin momente shoku. Emocion i fortë frike, që më ka përcjellë edhe për disa ditë të tjera me radhë. Atë ditë në veri janë sulmuar edhe disa gazetarë tjerë, shqiptarë dhe serbë”, rrëfen gazetarja Rexha.

As për këtë rast, por as edhe për shumë raste të tjera organet e drejtësisë, sipas saj, s’e kanë bërë punën e duhur.

“Pandëshkueshmëria ndaj sulmuesve të gazetarëve mbetet sfidë që kërkon përkushtim nga institucionet e drejtësisë. (Edhe) në ato pak raste ku janë dënuar sulmuesit, ata kanë marrë dënime qesharake”, ka thënë Rexha për KosovaLive.

Në raportin e fundit të  Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për të drejtat e njeriut në botë, për vitin 2020, kur bëhet fjalë për Kosovën, në pjesën ku flitet për lirinë e shprehjes dhe për mediat, është thënë që ekzistojnë raporte të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare, janë përpjekur t’i frikësojnë përfaqësuesit e medias.

“Disa gazetarë u tërhoqën nga raportimi kritik hulumtues, për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës”, thuhet në raportin e DASH-it.

Në këtë raport, gjithashtu thuhet se disa gazetarë janë ankuar se pronarët dhe menaxherët e medias, i kanë penguar ata të botonin ose transmetonin materiale kritike ndaj qeverisë, partive politike ose zyrtarëve të veçantë.

Mehmet Gjata, i cili për shumë vite ka punuar si redaktor, e së fundmi edhe si kryeredaktor i Gazetës “Zëri”, thotë se trajtimi që u bëhet gazetareve në Kosovë është pasqyrë e ngecjes së shoqërisë në zhvillimin e medias në përgjithësi.

“Tek ne, është akoma më keq se kudo edhe në trajtimin e gazetarëve në përgjithësi, edhe të gazetareve në veçanti, për shkak të brishtësisë së shtetit, tranzicionit të tejzgjatur në kalimin në sistemin e ri shoqëror dhe mungesës të pashembullt dhe të pamatë institucionale të përkujdesjes ndaj media në përgjithësi”, thotë ai për KosovaLive.

  Mehmet Gjata, redaktor

Sipas tij në Kosovë nuk ekziston mjedis i sigurtë për gazetaret që ta ushtrojnë profesionin e tyre pa ndikime.

“Në këtë numër enorm të portaleve (saktësisht as që dihet sa janë, por përflitet se në Kosovë ka mbi 450 portale të ndryshme) dhe me punësimet dosido në to, nuk mund të thuhet se në Kosovë ka një ambient të sigurtë për gazetarë dhe gazetare. Përkundrazi. Punësimi i gazetarëve e gazetareve pa kontrata pune dhe pa një status që e kanë kudo në botë, mosmarrja me rregull e pagave edhe ashtu fare minimale, dhe mungesa e përkujdesjes elementare si për një të punësuar në këto redaksi, gjithsesi krijojnë dhe paraqesin ambient të pasigurtë për përfaqësuesit e medies, krijon pozicion nënçmues dhe të pa vlerësuar për gazetarët dhe gazetaret kudo qofshin ata”, vlerëson ai.

Ai fajëson, gjithsesi, institucionet shtetërore edhe për rastin më ordiner të kërcënimit të gazetareve dhe gazetarëve, për mungesën e reagimit të dhe tyre për të parandaluar këtë të keqe, por edhe për neglizhencën e madhe dhe joefikasitetin e organeve të drejtësisë, pra shtetit  për të ndriçuar këto raste.

“Më konkretisht, te ne organet e drejtësisë janë bërë të gjalla në raste të sulmit të gazetarëve vetëm kur është bërë presion nga komuniteti i të punësuarave në mediet tona”.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, vlerëson se në Kosovë nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për të siguruar mbrojtjen e gazetareve, dhe gazetarëve  në përgjithësi.

“Në kuptim të sigurisë, Kosova nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për të siguruar mbrojtjen e gazetarëve. Si policia, ashtu edhe prokuroria, duket se rastet e sulmeve ndaj gazetarëve nuk i marrin me prioritet, e sa i përket gjykatave, në më shumë se tri raste gjykata ka dënuar sulmuesit e gazetarëve me gjoba qesharake”, ka thënë ajo.

Sipas saj “Shteti i Kosovës duhet të krijojë ambient të sigurtë për të bërë gazetari, por kjo nuk pritet të ndodhë meqë asnjë parti politike nuk është e interesuar që e drejta e lirisë së shprehjes dhe e drejta e lirisë së medias të jenë plotësisht të garantuara dhe të respektuara në Kosovë.

“Të bërit gazetari në Ballkan, në përgjithësi, është vështirë për shkak të ekonomisë së dobët, mungesës së modeleve të reja të financimit të mediave, gjuhës vulgare shpifëse dhe nxitëse të politikanëve kundër gazetarëve”.

Një raport i publikuar nga BIRN në vitin 2018 lidhur me Raportimin e Mediave të Kosovës për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin tregon se mediat në Kosovë janë subjekt i presionit nga politikanët dhe bizneset për të mos i lejuar ato që të raportojnë mbi çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Gazetarëve nuk u ofrohet siguri dhe kjo ndikon në raportimin e tyre në çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Institucionet e sundimit të ligjit janë pasive në komunikim me media, dhe qasja në dokumente zyrtare nuk aplikohet në të gjitha rastet, duke bërë kështu rrjedhjen e informatave burim të rëndësishëm për informim”, thuhet në raport.

Kastriot Berisha, anëtar i Këshillit për Media në platformën mediale, Kallxo.com thotë për KosovaLive se rastet kur gazetarët sulmohen apo edhe pengohen gjatë punës së tyre nuk janë të rralla.

“Në Kosovë pothuajse çdo muaj kemi raportime të sulmit të gazetarëve. Ne si media jemi të parat të cilat e ngrisim zërin në mbrojtjen e gazetarëve, njëkohësisht kërkojmë në çdo rast nga institucionet që të ndërmarrin veprimet adekuate për të garantuar punën e lirë të gazetarëve dhe vetëdijesimin e të tjerëve se sulmi ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së punës së tyre ndëshkohet me Ligj”, ka thënë ai.

Jo rrallë herë organet e drejtësisë i neglizhojnë rastet e sulmeve ndaj gazetareve.

“Ndonëse janë të shpeshta në raportim si rastet për gazetarë ashtu edhe për gazetare, jo të gjitha këto raste përfundojnë në procedura gjyqësore, kjo për shkak mbetet në diskrecionin e prokuroreve vlerësimi i kërcënimit dhe rrezikut nga to, ndërsa në rastet kur po vlerësohet kërcënimi dhe po paraqiten akuza, zakonisht këto raste po zgjidhen në procedura të tjera alternative si ndërmjetësimi”, shprehet ai.

Sipas tij, fatkeqësisht në vendin tonë është përhapur edhe dhuna mediale apo kibernetike e drejtuar ndaj gazetarëve.

“Individë të ndryshëm i shfrytëzojnë mediat për interesa personale dhe përmes lajmeve të rreme mundohen të pengojnë punën e ndershme të gazetarëve. Gazetarët që janë objekt i këtyre sulmeve mediale zakonisht i lidhin me parti politike apo edhe me interesa anti-shtetërore”.

Ndërsa, Hyrije Mehmeti, redaktore dhe menaxhere e programit të Kosova Law Institute  thotë se gratë gazetare në Kosovë, përballen jo rrallë herë me raste të dhunës fizike dhe psiqike gjatë punës së tyre.

“Kur vjen  te dhuna ndaj gazetarëve, ky është një problem tjetër me të cilin përballemi jo rrallë herë. Jo vetëm dhunë, por edhe kërcënime e presione të ndryshme. Fatkeqësisht, edhe IKD ka pasur raste të sulmeve verbale, ofendimeve dhe presionit ndaj monitoruesve të këtij instituti, lidhur me raportime të bëra në portalin ‘Betimi për Drejtësi’, për të cilat kemi reaguar edhe publikisht, e në disa raste edhe iu jemi drejtuar organeve kompetente”, ka thënë ajopër KosovaLive.

Pavarësisht faktit se kemi ligje që dënojnë sulmet, kërcënimet, dhunën, etj., një problem serioz sipas saj qëndron në ndjekjen e këtyre rasteve e më pas rol të rëndësishëm ka edhe politika ndëshkimore për këto raste.

“Duhet pasur parasysh se mbrojtja lirisë së shprehjes dhe demokracisë në Kosovë është detyrë e secilit nga ne”, thotë ajo.

Në anën tjetër, Behxhet Shala, kryetar i KMLDNJ ka deklaruar për KosovaLive se dhuna ndaj gazetarëve është prezente në Kosovë, duke filluar nga “dhuna në internet”, ku në artikujt që shkruajnë gazetarët ata hasen me komente lincuese, prej kërcënimeve e deri tek gjuha seksiste në të cilën bëhen pre më së shumti gratë.

“Ne si KMDLNJ mundohemi që të mbrojmë lirinë e shprehjes si dhe atë të medias, jemi shoqëri demokratike andaj duhet që të kemi kujdes që të gjithë të keni lirinë e të shprehurit lirshëm”, shprehet ai.

Ndërsa, Valmire Maliqi, nga Gazeta Express rrëfen se disa herë ka qenë pre e kërcënimeve direkte që i kanë ardhur nga zyrtarë të ndryshëm.

“Personalisht para tri vitesh, kam pasur rastin që të ndihem e kërcënuar. Tema kishte të bëjë për mospastrimin e rrugëve nga bora ndonëse Ministria e Infrastrukturës kishte ndarë miliona për të pastruar rrugët. Pas publikimit të tekstit, nga ministria kanë dërguar reagime në redaksi, por duke dashur që të kontaktojnë personalisht me mua. Pas thuajse 6 muaj, më ka rastisur që të takohem me zyrtarë të kësaj ministrie në një ngjarje e që kam marr sinjale përmes gjesteve të tyre, që kemi diçka të pasqaruar”, rrëfehet ajo për KosovaLive.

Sipas saj është tejet e vështirë të jesh gazetare, pasi që sulmet mund të vijnë nga të gjitha anët.

“Në Kosovë ambienti i punës nuk është i sigurt, për shkak se kritikat dhe argumentet nuk pranohen. Gazetarët e kanë të vështirë që të raportojnë dhe të hulumtojnë për rastet që ata i dinë dhe për informacionet që posedojnë. Sulmet po bëhen edhe më të shpeshta dhe kjo vërehet edhe në raportet qoftë vendore ashtu edhe ndërkombëtare”, thekson Maliqi.

Valmire Maliqi, gazetare

Në vitin 2019, Zyra për media e Policisë së Kosovës ka njoftuar se janë raportuar 11 raste që janë cilësuar si vepër penale “Kanosje”.

 “Një rast i është referuar prokurorive kompetente me raport të veçantë, 9 raste me kallëzim penal kundër kryerësve të njohur dhe 2 raste kundër kryerësve të pa njohur”, thuhet në një përgjigje të PK-së.

Një vit më pas, në adresë të Policisë janë raportuar 13 raste si kanosje, kurse në vitin 2021 për veprën penale “Kanosje” janë raportuar 11 raste, dhe 3 raste të sulmeve.

“Masat që ka ndërmarrë policia e Kosovës, kanë ndikuar pozitivisht në rënien e rasteve të sulmeve dhe kanosjeve ndaj gazetarëve në Republikën e Kosovës, krahasuar me statistikat e viteve të kaluara. Sapo të merret informacion apo të raportohet ndonjë rast i kanosjes apo sulmit ndaj gazetarëve, ne ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ta identifikuar të dyshuarin dhe për t’i proceduar më tutje në Prokurori”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Ndërkohë, Raporti “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve” 2018, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës AGK-ja thekson se gazetarët hulumtues janë më të kërcënuarit, si shkak i gjetjeve të tyre.

“Kërcënimet vijnë që prej zyrtarëve të lartë shtetërorë e deri të qytetarët e rëndomtë. Në bazë të këtij raporti, disa politikanë dhe institucione shtetërore shpesh dënojnë sulmet ndaj gazetarëve në deklaratat e tyre publike, por ende nuk i njohin mjaft këto sulme si një shkelje të lirisë së shprehjes. Sulme të tilla njihen si një shkelje e lirisë së shprehjes në reagimet publike të Avokatit të Popullit për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në raport.

Sipas AGK-së, mumri i rasteve të pazgjidhura të dhunës apo kërcënimeve është ende shumë i madh, ndërsa disa raste tashmë janë të vjetra.

Ndërkohë, numri i gazetarëve të burgosur në mbarë botën shënoi rekord të ri në vitin 2021, thuhet në raportin e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Aty theksohet 293 gazetarë janë burgosur gjatë këtij viti, për shkak të punës së tyre.

Në vitin 2020, gazetarë të burgosur kanë qenë 280. Është ky viti i gjashtë radhazi që Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve regjistron së paku 250 gazetarë të burgosur.

Për më tepër, sipas organizatës, 19 gazetarë janë vrarë në shenjë hakmarrjeje për punën e tyre deri më 1 dhjetor të këtij viti. Gjatë gjithë vitit 2020, numri i gazetarëve të vrarë ka qenë 22. Tetëmbëdhjetë të tjerë kanë vdekur në rrethana shumë të errëta dhe është e vështirë të përcaktohet nëse janë vrarë, tha raporti.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve pohon se tre gazetarë u vranë gjatë këtij viti teksa raportonin nga zonat e konfliktit, ndërkaq dy të tjerë u vranë gjatë mbulimit të protestave të dhunshme.

Eli Vula

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM