Build Skills with our trainings

Sign up now!

Komentet kërcënuese/fyese ndaj grave në rrjetet sociale, vepër penale apo injorim?

Shk 24, 2022

Mjafton publikimi i një lajmi me titullin “Burri rrah gruan” që rrjetet sociale të bombardohen me komente fyese dhe kërcënuese në drejtim të grave dhe kundër tyre.

“Mirë ia ka bo, qysh se ka mbytë krejt”, “I lumtë dora”, “Keq e paska rreh, por gruaja ka faj, unë edhe ma keq ia kisha bo”, janë vetëm disa nga komentet që çdo ditë mund të lexohen pas publikimit të raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Këso komentesh mund të lexohen edhe nëpër fotografi, në mesazhe private dhe kudo në rrjetet sociale ndaj një gruaje e cila mendon ndryshe nga ajo si është bartur me norma të pashkruara patriarkale.

Një rast të tillë e kishte përjetuar edhe Mërgime Kajtazi nga Mitrovica, kur para disa muajsh kishte rrëfyer publikisht të gjithë tragjedinë që i kishte ndodhur me personin që kishte vendosur ta kalonte jetën. Pasi kishte treguar të gjithë kronologjinë e ngjarjes se si ishte dhunuar nga bashkëshorti, Mërgimja ishte përballur me komente kërcënuese dhe ofenduese nga persona të panjohur në rrjetet sociale.

“Komentet që i kam marrë kanë qenë zemërthyese. Edhe në shëndetin tim mental kanë ndikuar tepër. Por nuk dua me zgjatë atë temë, të paktën për momentin”, tha Kajtazi për KosovaLive.

Kjo sepse, sipas saj, sa herë që e mendon këtë ngjarje e kthejnë në të kaluarën.

“Janë të tmerrshme (komentet) , edhe gjithmonë po më kthejnë mbrapa”, tha ajo.

E Mërgimja nuk është gruaja e parë e as e fundit që po vazhdon të përballet me këtë gjë, para saj ishin edhe dhjetra e qindra gra të tjera.

Luljeta Aliu nga kryeqyteti është viktimë e dhunës në familje. Për 13 vite me radhë sa ka qenë e martuar kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike nga burri i saj, për t’i dhënë fund martesës në vitin 2017.

Luljeta është themeluesja e organizatës Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi.

Luljeta Aliu tregon për KosovaLive se ishte kërcënuar shpesh, sidomos kur kishte folur për dhunën në familje dhe faktin se as organet e drejtësisë nuk i kishin dalë në ndihmë.

“Përpos shpifjeve shpesh vijnë edhe kërcënime. Natyrisht personat që kërcënojnë duhet dënuar. Unë kam marr edhe kërcënime me jetë, të cilat i kam adresuar te organet përgjegjëse. Disa nga ofendimet që kam marr kur kam folur për dhunën në familje më janë bërë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët edhe në profilet e tyre në Facebook paraqiteshin me uniformë”.

Aliu tregon se këta persona i ka denoncuar në polici para një viti, por se ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Pastaj edhe vendimet që janë marrë për dënimet e tyre kanë qenë aq qesharake, sepse kanë qenë aq të ulëta sa që nuk kanë ndonjë ndikim në disiplinim. Ia kanë ulur rrogën për dy-tre muaj për 20 për qind të pagës, kaq ka qenë dënimi”,  ka thënë Aliu për KosovaLive.

Sipas saj, sa herë që gratë tregojnë për situata të dhunshme nga rrethi i ngushtë, atyre u mveshen epitete fyese.

“Gratë kur flasin për të drejtat e tyre apo kur ndajnë përjetimet e tyre të dhunës në familje, ofendohen si të përdala, si lavire etj. Kjo është një përpjekje jo vetëm për ta mbajtur privilegjin e epërsisë ndaj gruas, por edhe përpjekje për t’i heshtur gratë të dalin haptazi të tregojnë për shkeljet që bëhen ndaj tyre”, tha ajo.

E të gjitha këto, sipas Luljetës, ndikojnë emocionalisht tek gratë, veçanërisht tek grupmoshat e reja dhe kjo mund të ndikojë negativisht sepse pastaj kanë frikë të tregojnë për dhunën.

Derisa Luljeta nuk ishte trajtuar aspak mirë në stacionin policor, ankesa e saj nuk ishte marrë me seriozitet por edhe ishte pritur me terma jo të mirë nga drejtuesit e atij institucioni, i njëjti institucion, me 27 tetor të këtij viti u “ngrit në këmbë” dhe barrikadoi shtëpinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkak të një kërcënimi në rrjete sociale. Ka mjaftuar një postim i një burri në një nga grupet në rrjete sociale, dhe i menjëhershëm ka qenë reagimi i forcave të rendit për të mbrojtur kryeministrin.

Deklarata Universale e të drejtave të Njeriut, garanton se para ligjit, të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe kanë të drejtë pa asnjë diskriminim të mbrohen në mënyrë të barabartë nga ligji.

KosovaLive ka kontaktuar Policinë e Kosovës lidhur me rastet e komenteve fyese dhe kërcënuese në rrjetet sociale ndaj grave, por nga ky institucion i sigurisë kanë thënë se nuk kanë të dhëna kaq specifike në një fushë të caktuar ku shkruhen rastet të cilat raportohen për kërcënime dhe ofendime përmes rrjeteve sociale.

Sipas policisë, të gjitha këto raste i vendosin tek “Rastet e dhunës në familje” dhe se këto trajtohen në një mënyrë të veçantë.

Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, rastet kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë, prania e punëtorit të Qendrës për Punë Sociale është e domosdoshme”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Se gratë po diskriminohen e thotë edhe Adelina Tërshani, aktiviste feministe.

Gratë  në Kosovë diskriminohen në baza gjinore edhe nga vet shteti dhe vet institucionet e drejtësisë. Mungesa e ndjeshmërisë gjinore e cila u del në pah zyrtarëve të caktuar, sidomos në rastet të cilat bëhen publike e mediatike, e bënë të qartë se pse sistemi i drejtësisë i zvarritë me vite të tëra lëndët dhe rastet e grave”, thotë Tërshani.

Sipas saj organet e drejtësisë në Kosovë nuk po i marrin shumë parasysh kërcënimet që iu bëhen grave përmes rrjeteve sociale.

Institucionet e drejtësisë nuk i trajtojnë me seriozitet krimet kibernetike që ju ndodhin grave dhe vajzave në Kosovë. Siç ndodhë edhe për shumë forma të tjera të dhunës që gratë i përjetojnë në Kosovë, ashtu edhe për krimet kibernetike, rrallë ka raste që janë trajtuar në kohë dhe ndjeshmëri gjinore”, ka thënë Tërshani.

Të njëjtin mendim për injorimin e rasteve kur gratë denoncojnë për kërcenime e fyerje e ndanë edhe Zana Avdiu, aktiviste e Shoqërisë Civile.

Zana Avdiu, Aktiviste nga radhët e Shoqërisë Civile.

E pyetur nga KosovaLive se sa merren seriozisht denoncimet që bëhen nga gratë për rastet kur kërcenohen përmes komenteve ajo është shprehur e pakënaqur me institucionet e drejtësisë

“Është për keqardhje shkelja e ligjit, neglizhenca dhe injorimi që organet e rendit iu bëjnë denoncimeve të dhunës në baza gjinore. Domethënë, fare nuk merren seriozisht. Ka shkelje të mëdha në këtë drejtim. Për këtë ka kaq shumë dhunë ndaj grave, qoftë fizike, qoftë kibernetike”, ka deklaruar Avdiu.

Thirrje institucioneve të drejtësisë për të rritur vëmendjen ndaj kërcënimeve kibernetike u bën edhe avokati Arbër Jashari.

Mendoj që policia dhe prokuroria duhet të rrisin vigjilencën, në atë mënyrë që të ofrojnë siguri të mjaftueshme për të gjithë qytetarët që mund të jenë cak i kërcënimeve, të parandalojnë ndonjë të keqe eventuale ndaj tyre, si dhe përgjegjësit t’i vënë para drejtësisë”, tha Jashari.

Arbër Jashari, avokat, thotë se Kodi Penal përcakton se vepra penale është vepër e kundërligjshme e cila është e përcaktuar me ligj si vepër penale, tiparet e së cilës janë të përcaktuara me ligj dhe për të cilën me ligj është përcaktuar sanksioni penal ose masa e trajtimit të detyrueshëm

Jashari thekson për KosovaLive se fjalët e rreme apo ofenduese nuk përbëjnë vepër penale, por kjo varet prej rasti në rast.

“Se a përbën apo nuk përbën, vepër penale, një veprim i caktuar, varet nga rasti në rast, pasi të analizohen elementet (tiparet) e saj dhe rrethanat tjera që parasheh ligji. Shpifja, fyerja, gjuha ofenduese, nuk janë vepra penale, por për to mund të iniciohet padi për t’u mbrojtur nga to dhe për të kërkuar dëmshpërblim, në procedurë kontestimore”, ka treguar Jashari.

Urall Boshnjaku, drejtor në portalin “Mitropol” thotë se duhet që vet portali t’i cenzuroj fjalët që lejohen të përdoren nëpër komente të postimeve në portal në mënyrë që t’i shmanget këtyre rasteve.

“Zakonisht nuk i fshijmë komentet fyese ndaj grave, jo për ndonjë arsye speficike, por për shkak të fluksit të madh të lajmeve dhe ngarkesës së madhe në punë, andaj rrallëherë gjejmë kohë të lexojmë komentet e lexuesve”, deklaron Boshnjaku.

Ai ka bërë të ditur se në raste të caktuara komentet fshihen, për shembull atëherë kur raporton në portal personi që është ndikuar direkt nga ngjarja apo raportohet edhe nga familjarët. Boshnjaku mendon se personat që shkruajnë komente me diskurs të vrazhdë e që nxisin urrejtje qoftë ndaj grave apo burrave nëpër rrjetet sociale, duhet të dënohen.

Valona Hasani

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM