Studentja K.M, që deshi të mbetej anonime, tregon për ngacmimin, të cilin ajo e përshkruan si seksual, nga një burrë në transportin publik..
“Kur kam qenë në vitin e parë në fakultet, kam pasur mësim deri në ora shtatë të natës dhe më është dashtë të shkoj në konvikt ta marr kuferin. Kur kam hyp në autobus ka qenë terr dhe autobusi me ndriçim shumë të dobët. Kam qenë e ulur me një burrë rreth moshës 50 vjeçare. Ai filloi me shikime të njëpasnjëshme, më fliste te veshi e pastaj vazhdoi me prekje të këmbëve të mia me duart e tij”, tregon studentja përjetimin e saj shqetësues për KosovaLive.
Në ato çaste nuk kishte ditur si të vepronte.
“Në një moment kam dashur t’i bërtas, por i kam pasur kushërinjtë afër dhe heshta sepse nuk doja që familjarët ta kuptojnë,” thotë ajo.
Udhëtimet e vajzave dhe grave në transport publik, për çfarëdo arsye, shpeshherë kanë qenë shqetësuese për shkak të rasteve të ngacmimeve nga djemtë dhe burrat. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, në vitin 2019 ishin raportuar 40 raste të ngacmimeve, në 2020 – 48 raste, ndërsa nga janari i këtij viti e deri në tetor janë raportuar 45 raste të tilla ngacmimi.
Në rekomandimin e përgjithshëm nr. 19 të Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave “KEDKG”, ngacmimi seksual kundër grave përkufizohet si “Sjellje seksuale e padëshiruar, si kontakti apo afrimi fizik, vërejtje me ngjyresa seksuale, shfaqja e pornografisë dhe kërkesave seksuale, qoftë me fjalë, qoftë me veprime.”
Sipas legjislacionit të Kosovës kundër diskriminimit, ligji nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i miratuar në vitin 2015, ngacmimi konsiderohet si formë diskriminimi.
“Ngacmimi konsiderohet diskriminim, kur një sjellje e padëshirueshme (që përfshin por, nuk kufizohet në sjellje të natyrës së padëshirueshme seksuale dhe/apo psikologjike, që ka për qëllim apo pasojë shkeljen e dinjitetit të personit dhe krijimin e ambientit frikësues, armiqësor, degradues, nënçmues apo fyes) mbi bazat e përcaktuara në nenin një (1),” thuhet në Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi.
V.A. 15 vjeçare pranon se ajo nuk ndihet e sigurt në transport publik, dhe se ka pasur ngacmime nga burrat në moshë të shtyer.
“Një herë më është afruar një burrë 60 vjeçar dhe më lëshonte fjalë nga më të ndryshmet – “t’i hanksha buzët”; “lum nana që t’ka” – dhe nuk jam ndier fare e sigurt në atë rast,” shprehet ajo dhe pyetet se athua çfarë krejt do të mund të bënte ai burrë – i cili pa frikë njerëzve lëshon aso fjalë përpara shumë njerëzve – në rast se do të ishin vetëm.
Sociologu Jeton Brajshori thotë se së pari duhet bërë dallimi në mes flirtit dhe ngacmimit: me flirt nënkuptojmë kur dëshirojmë ta joshim ndokënd, ndërsa ngacmimi hyn të sjelljet ndër më negative në shoqëri.
“Çdo cënim i privatësisë, dhe sidomos gjatë udhëtimit, është irritues dhe ngjallë frikë te vajzat, ku krijohet një zonë jo e sigurt për ato”, shton ai.
Bashëbiseduesja tjetër, SH.M thotë se mirë e di dallimin në mes flirtit dhe ngacmimeve, por rastet kur dikush të prek në pjesët e trupit, t’i prek flokët, të lëshon fjalë të ndyta e me tendencë, për të normalisht paraqesin ngacmim dhe jo flirtim. Ajo rrëfen përjetimin e saj të ngjashëm në autobus.
“Sot burrave nuk iu intereson nëse ke një unazë martesore në gisht, ata prapë vazhdojnë me ngacmime të tyre,” thotë ajo.
Tek të tri rastet, ngacmimet kanë ardhur nga personat më të shtyer në moshë. Sociologu Brajshori konsideron se fatkeqësia më e madhe është se në të shumtën e rasteve këto ngacmime vijnë nga persona të moshuar, që është një presion shtesë që shkakton pasiguri, stres dhe ankth.
K.M, SH.M dhe V.A. kanë treguar se rastet e përjetuara nuk i kanë raportuar në polici dhe nuk i kanë ndarë me të tjerët. Adoleshentja ka thënë se për shkak të atij rasti, ka marrë frikë dhe e ka bërë atë që të mos shfrytëzojë transportin publik për shtatë muaj.
Sociologu Brajshori konsideron se arsyeja se pse këto raste nuk raportohen në polici është se viktimat nuk duan të shkaktojnë probleme duke i involvuar familjarët e tyre, ku do të mund të eskalonte dhuna dhe, njëherësh për t’iu ikur paragjykimeve nga shoqëria, “ku vajzat paragjykohen se përse i ndodhi kësaj dhe jo tjerave, çka ka bo kjo që e ngacmuan?”.
“Anipse unë nuk kam reaguar dhe nuk i kam bërtitur ngacmuesit, vetëm që të mos shkaktoj probleme në familje, disa nga udhëtarët i kanë vërejtur ngacmimet që m’i ka bërë, por as ata nuk kanë reaguar”, thotë SH.M.
Kjo, sipas sociologut ndodh pasi që njerëzit nuk duan t’i krijojnë probleme vetvetes duke ndërhyrë për të tjerët.
Brajshori u bën thirrje të gjitha vajzave dhe grave që në këto raste të reagojnë dhe ta mbrojnë vetën dhe menjëherë ta lajmërojnë rastin në polici.
“Në momentin që e lajmëroni rastin në polici, e shpëtoni, jo vetëm vetën, por edhe vajza të tjera që do të bijnë pre e një ngacmuesi,” thotë ai duke shtuar se për zhdukjen e këtij fenomeni duhet komunikim i vazhdueshëm për këto gjëra që nga fëmijëria, “sepse familja është baza e gjithçkafit dhe nga aty fillon gjithçka”.
Verona Krasniqi
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.