Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të rregullt ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.
Në takim është diskutuar për zhvillimet në vend, rajon dhe më gjerë pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.
Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka qëndrime të njëjta me aleatët tanë duke dënuar ashpër agresionin ushtarak rus dhe njohjen ilegale nga Federata Ruse të “pavarësisë” së të ashtuquajturave Republika Popullore të Luhanskut dhe Donetskut.
Ajo gjithashtu potencoi se Kosova qëndron me popullin e Ukrainës përderisa ata po përballen me agresionin rus dhe se vendi ynë do të vazhdojë koordinimin e plotë me aleatët në mënyrë që të parandalohet destabilizimi i rajonit tonë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.