“Unë besoj fuqishëm që nuk ka grua në Kosovë që në një moment të saj nuk është ndier e stigmatizuar, sepse angazhimi gjithmonë është parakusht që t’i thyejmë barrierat me të cilat përballemi. Unë s’e kam menduar ta ndal angazhimit tim politik, për faktin e stigmatizimit, sepse fundja, ajo që bëjmë ne është të jemi të forta për ta thyer këtë stigmë”, kështu e sheh rolin e gruas në politik bërje në Kosovë, deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, e cila është një nga individët që u stigmatizua nga shoqëria kosovare së fundmi.
Për një deklaratë të saj kundrejt ministrës së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, Deliu–Kodra, përjetoi një “gozhdim” publik, i cili përkundër se ishte i rëndë nuk e ndaloi deputeten të sqaronte se ajo ishte keqinterpretuar dhe deklarata e saj ishte nxjerrë nga konteksi.
Përkundër kësaj, ajo beson në potencialin dhe zgjuarsinë që kanë vajzat e gratë në Kosovë, prandaj thotë se do të luftojë deri kur ato ta marrin vendin e duhur në shoqëri.
“Kosova ka shumë vajza e gra të forta që angazhohen për këtë qëllim. Për fat të mirë gratë çdo ditë e më shumë po përkrahen, votohen, e vlerësohen, dhe jam e bindur se e ardhmja e Kosovës do të jetë atëherë kur gratë ta kanë vendin e duhur në shoqëri”, potencoi Deliu-Kodra për KosovaLive.
Ajo thotë se gjitha institucionet vendore duhet të angazhohen që gratë të kenë përfaqësimin e duhur në shoqëri.
“A ka vend që të punohet edhe më shumë, a ka vend që ky angazhim i grave të kalojë 50% të jetë baraz me burra, natyrisht që mbetet ende shumë punë në gjitha drejtimet, sepse gratë duhet të përfaqësojnë jo për shkak të gjinisë, por për shkak të zotësisë, kualiteteve dhe përgatitjeve që i kanë. Një shoqëri e barabartë është një shoqëri që i duhet Kosovës, dhe për të cilën në punojmë çdo ditë”, thotë ajo.
Sfidat e të qenit një ndër kandidatet e pakta grua për kryetare të komunës
“Edhe pse kanë kaluar gjashtë vite pas miratimit të Ligjit për Barazi gjinore, në Kosovë ky ligj nuk gjen zbatueshmëri të duhur, madje ka tendenca që ky ligj vetëm të keqpërdoret, edhe atë më së shumti gjatë fushatave”, shprehet Leonora Morina–Bunjaku, e cila ishte një ndër gratë e pakta kandidate për kryetare të komunës. Ajo në zgjedhjet e 14 tetorit e kishte synuar ulësen e të parës së Komunës së Gjilanit, gjë që e nxorri atë si kandidaten e tretë më të votuar në këtë qytet.
Morina-Bunjaku thotë se gratë në Kosovë ende përballen me pabarazi në të gjitha sferat e jetës dhe se diskriminimi gjinor i raportuar nga hulumtime dhe burime të ndryshme është i përhapur sidomos për temat e trashëgimisë, pronës, dhunës në familje, dhunës seksuale, fyerjeve publike, mosdhënies hapësirë nëpër media, në vendimmarrje, punësim, si gra kryefamiljare e në shumë vende tjera.
“Propozim i partisë sime, e vendimi për kandidim është vendim i imi, i cili më ka bërë nder mua dhe figurës së gruas në përgjithësi. Kandidimi im nga PDK tregon se po rritet besimi për vlera politike dhe në këtë kontekst edhe për gruan. Është e vërtetë se ky mision është sfidues, por unë e quaj rezultat të një bashkëpunimi të mirë brendapartiak dhe një bashkërendim komunë-qender tok me besimin se dhënia e besimit grave në politikë është thelbësore për demokracinë e për të ardhmen e vendit sidomos në nivelin lokal”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku–Rexhepi, thotë se paragjykimet për një grua në politikë kurrë nuk tejkalohen me fjalë e kundërshtime, por me vepra dhe pa u tjetërsuar në diçka që kërkon opinion.
“Të arriturat e gruas në politikë, në një ambient ku gjithçka devalvuar dhe paragjykohet janë vlera të pa krahasueshme nëse gruaja tejkalon të gjitha sfidat që i dalin përpara e duke i vlerësuar para së gjithash vlerat e saja morale, profesionale dhe karakterin e fort që duhet ta ketë”, ka potencuar Bunjaku–Rexhepi për KosovaLive.
Më e keqja sipas Bunjaku–Rexhepit është kur gratë bien pre e disa mediave qoftë edhe për një fjalë të përdorur gabim në ndonjë fjalim, debat apo paraqitje publike.
“Rrjetet sociale janë bërë mjeti më i lehtë ku persona të zakonshëm ofendojnë tepër ulët, duke mos i menduar pasojat që bartin, e duke mos pasur asnjë argument ose arsye për diçka të tillë”, shtoi deputetja.
Çka po i shtyen gratë të mos ballafaqohen me burra në politikë?
Shqipe Gjocaj, aktiviste feministe, specialiste gjinore dhe gazetare e pavaruar, thotë se mediet u japin më pak hapësirë dhe mundësi grave në cilësinë e ekspërtëve, qofshin ato politikane, ekomoniste, juriste apo edhe grave në profesione dhe fusha të tjera.
Sipas saj, grave më shumë u jepet mundësi të flasin për fusha që njihen në mënyrë stereotipe si “profesione femërore” si për shembull, në arsim, shëndetësi, çështje sociale, dhe të ngjashme.
“Është përgjegjësi e gjithë shoqërisë dhe sidomos e institucioneve relevante, përfshi mediet, që të krijojnë ambiente dhe kushte që gratë të mos sulmohen, ofendohen, dhe të diskriminohen. Nuk duhet të kërkojmë vetëm nga gratë që të mbrojnë vetën, por edhe nga institucionet që (ashtu sikurse obligohen me ligj) të ushtrojnë me kompetencë rolin e tyre në mbrojtje të të drejtave të grave”, ka theksuar Gjocaj për Kosova Live.
Gjocaj thekson se përgjatë historisë, jo vetëm në vendin tonë por edhe globalisht, pavarësisht vështirësive dhe dhunës me bazë gjinore, gratë kurrë nuk janë tërhequr. Ajo thekson se gratë kanë gjetur forma të ndryshme rezistence për të mos u tërhequr nga paraqitja mediatike, apo edhe nga udhëheqja politike.
“Ne duhet të vazhdojnë t’i kërkojnë me shumë ngulm të drejtat politike, ekonomike dhe sociale që na takojnë si njerëz, qytetare, punonjëse, etj. Këtë duhet ta bëjmë duke u nisur prej faktit që ligjërisht i gëzojmë këto të drejta, dhe idealisht, duke iu bashkuar përpjekjeve feministe në vend që ndër dekada dhe në rrethana të ndryshme politike dhe ekonomike, avokon për të drejta të të gjitha grave”, thotë Gjocaj.
Ndërsa, në këtë aspekt e ka shpalosur eksperiencën e saj edhe gazetarja, Kimete Ibrahimi.
Ibrahimi thotë se temat që ajo ka trajtuar, shumicën e prononcimeve i ka pasur nga burrat. Kjo sipas saj se numri i tyre është më i madh në pjesëmarrje te shumë institucione, media dhe poashtu edhe në politikë.
“Shumë gra në politikë nuk është se kanë qenë të gatshme për tu përgjigjur në pyetjet që ju kam adresuar atyre. E them këtë për arsye se në dallim me meshkujt pjesëmarrës, në politikë, është shumë më e lehtë qasja me ta, në tema të ndryshme”, thotë gazetarja Ibrahimi.
Ajo mendon se pozita e gruas në pjesëmarrjen politike dhe më gjerë, ende nuk është në nivelin e duhur.
Sipas saj, kjo për shkak se ka ndikuar vazhdimësia e stilit të jetës tek populli ynë, ku një pjesë e tyre, gruan e sheh ende të paaftë për detyra të caktuara, dhe ka gra që e besojnë këtë.
Mungesa e figurës së gruas në media
Se mungesa e gruas në media dhe në skenën politike është e mangët e thotë edhe aktivistja feministe dhe profesoresha e Gjuhës Angleze në Universitetin “Hasan Prishtina”, Sadete Tërnava–Osmani.
Ajo mendon se gratë në media dhe politikë paraqiten si portrete stereotipike me qëndrime jo të favorshme.
“Paraqitja e grave nëpër media nuk është e mjaftuar në përgjithësi, në asnjërën prej temave të rëndësishme të jetës politke dhe publike”, duke theksuar se që edhe sot e kësaj dite, grave u bëhen portretizime të veçanta, të cilat sipas saj sillen me shumë rreh objektifikimi të gruas, pamjes dhe fizikut të saj”, thotë Tërnava-Osmani.
Ajo gjithashtu thekson se rrallë shohim edhe praninë e grave të suksesshme në skenën politike, ekonomike dhe atë shoqërore. Sipas saj, në këtë mënyrë mohohet rëndësia e rolit të gruas që prej parandërtimit të shtetit, gjatë ndërtimit dhe sot gjatë ndërtimit të proceseve demokratike.
“Ne jemi një shoqëri e pabarabartë, ne jemi në thellësi një shoqëri që akoma jeton me pabarazinë gjinore dhe pasi që ekziston pabarazia gjinore në familje, në shoqëri në familje, dhe kjo po që do të paraqitet pastaj edhe në jetën mediatike”, vlerëson ajo.
Kurse, aktivistja feministe nga organizata joqeveritare “Gratë Hyjnore”, Arjeta Maka, në një intervistë për Kosova Live thotë se shfaqja e gruas në media dhe në politikë ka filluar gradualisht të jetë më e lartë dhe më cilësore.
“Duke i marrë parasysh kushtet në të cilën kanë jetuar gratë shqiptare, gradualisht çdo vit ka filluar duke u përmirësuar, duke u vetëdijësuar”, ka thënë Maka, duke theksuar se këto tema kanë qenë shumë tabu për shkak se mentaliteti nuk i ka dhënë shumë rëndësi, mandje sipas saj i ka dhënë edhe kahje të kundërt paraqitjeve të grave.
Sipas aktivistës ka ende stigmatizime, por jo në atë kuptimin siç ka qenë para luftës. Pra, ajo konsideron se pas luftës shoqëria ka arritur në shkallë–shkallë që të largohet nga mentaliteti stigmatizues.
Përkundër kësaj, ajo thotë se edhe pse ekziston Ligji për Barazi Gjinore, zbatimi i këtij ligji është ende nën hije.
“Na duhet një shtysë e madhe në zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore”, tha ajo.
Aktivistja Maka thotë se nuk duhet dorëzuar gratë që stigmatizohen, ashtu siç nuk janë dorëzuar asnjëherë më parë.
“Pikërisht ata burra që po i sulmojnë ato kanë lindur nga një grua, kanë nënë një grua dhe poashtu kanë edhe motra”, shtoi ajo.
“Beso në vetvete që të besojnë të tjerët në ty” – deputetja Bunjaku–Rexhepi thotë se kjo ishte motoja e saj me të cilën edhe i ka mposhtur stereotipet ndaj saj, derisa ka theksuar vetëm duke qenë vetëvetja ka arritur në pozitën ku është sot, përkundër paragjykimeve që s’ishin të pakta.
“Ka momente kur për shkak të paragjykimeve kam menduar të tërhiqem dhe t’i kthehem profesionit tim, familjes dhe jetës normale, por, asnjëherë s’e kam menduar ta bëj këtë për shkakun se e kam konsideruar vetën të dorëzuar e të mposhtur në njërën anë, ndërsa në anën tjetër kam vlerësuar që sfidat të forcojnë”, ka shtuar ajo.
Ndërsa, deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj thekson se aktivizimi i grave në politik nuk ka datuar veç pas periudhës së luftës, duke shtuar kështu se gjatë etapave historike femra ka qenë e angazhuar duke dëshmuar guxim dhe përkushtim.
“Edhe pas lufte femrat që udhëheqin kanë menaxhuar shumë mirë pa asnjë aferë politike”, ka thënë Kadrijaj për KosovaLive.
Deputetja ka shpalosur edhe eksperiencën e saj, të filluar prej para luftës dhe gjatë saj, angazhim ky që deri tash nuk i ka paraqitur ndonjë vështirësi.
“Mjafton të punosh e të angazhohesh korrekt e gjatë etapave të jetës. Angazhimi, korrektësia e transparenca të bëjnë të qëndrosh gjatë në politikë”, ka thënë deputetja.
Sipas saj, të qenit grua në politikë lehtë nuk ësht sepse në këto gara ballafaqohesh me vështirësi të natyrave të ndryshme po megjithatë, ajo thekson se ia dalin.
Rrjeti i Grave të Kosovës pohon se paraqitja e grave në skenën politike publike, ndonëse ka shënuar përmirësim gradual, lë ende për të dëshiruar.
“Arsyet për këtë janë të shumta, duke filluar nga diskriminimi me bazë gjinore, e paragjykimet nga shoqëria. Megjithëkëtë, gratë duhet ta ruajnë vendosmërinë e tyre për t’i arritur synimet e veta, pa marrë parasysh problemet që mund t’i hasin gjatë rrugës”, thuhet në një përgjigje nga RRGK.
Ani pse ligji parasheh mundësi dhe kushte të barabarta punësimi për të gjithë, nga RRGK thonë se duhet përkushtim më i madh instituticional në mënyrë që këto Ligje të zbatohen në përpikëri.
Në një hulumtim të këtij rrjeti, të bërë në vitin 2018 theksohet se gratë në Kosovë, duke përfshirë gratë nga pakicat kombëtare, mbeten të nënpërfaqësuara si zyrtare të zgjedhura në kuvendet komunale (35%) dhe në Kuvend të Kosovës (32%); si nëpunëse civile në pozita të larta vendimmarrëse në nivel komunal (20%) dhe në nivel kombëtar (27%).
“Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGJ) ende nuk është institucionalizuar plotësisht, përkundër përmirësimeve, siç është përmendja e rregullt e BPGJ-së në qarkoret buxhetore, dorëzimi i të dhënave të zbërthyera sipas gjinisë nga disa ministri dhe komuna, dhe njohuritë e përmirësuara të ca zyrtarëve në vitet e fundit rreth BPGJ-së. Po ashtu, pjesa më e madhe e legjislacionit primar dhe sekondar në Kosovë nuk e përfshin pikëpamjen gjinore, duke mos vënë në shënjestër nevojat dhe prioritetet potencialisht të ndryshme të grave, burrave vajzave dhe djemve”, theksohet në atë hulumtim.
Se Kosova çalon në përfaqësimin e grave në politikbërje, theksohet edhe në raportin e Demos “Decentralisation and Municipal Support”, të publikuar në mars të vitit 2021.
“Pjesëmarrja e grave në pozita politike në Kosovë, vazhdon të jetë një ndër pikat më pak të zhvilluara. Sipas raportit të performancës së komunave, treguesi i cili ka pikën më të dobët është ai i emërtimit të grave në pozita politike, ku nga 420 pozita në kuadrin ekzekutiv komunal vetëm 119 prej tyre janë gra. E njëjta situatë ka qenë edhe në dy vitet e kaluara, 2017 dhe 2018, ku 29 komuna kanë raportuar se vetëm rreth 30 përqind e të emëruarve në pozita politike janë gra”, thuhet në raport.
Yllka Ramadani
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.