Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika dhe përfaqësuesit e këtij këshilli.
Përfaqësuesit shqiptar nga Mali i Zi e njoftuan kryeministrin për objektivat e punës së këtij këshilli, në fushat të cilat janë me interes jetësor për shqiptarët. Theksuan qëllimin për zhvillimin e aktiviteteve me qëllim të parandalimit të ndryshimit të strukturës etnike të popullsisë në zonat ku jeton popullata autoktone shqiptare.
U bisedua për thellimin e bashkëpunimit institucional, me qëllim mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe politike të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe avancimin e identitetit kulturor e gjuhësor.
U theksua nevoja për mbështetje nga Republika e Kosovës për çështje të arsimit në gjuhën shqipe në Malin e Zi, si dhe për realizimin e projekteve të ndryshme kulturore që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi: Smajl Maliq Çunmulaj, nënkryetar i Këshillit Kombëtar përfaqësues nga Malësia; Bujar Hasangjekaj, kryetar i Kuvendit të Komunës së Gucisë; Ali Gjeçbritaj, mësimdhënës në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krajë, përfaqësues i Krajës dhe Tivarit; Ali Daci, mësimdhënës në shkollën fillore “Dacaj” në Rozhajë, përfaqësues nga Rozhaja; si dhe Ariana Zherka–Hoxha, ambasadore e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Hydajet Hyseni, kryesues i grupit të miqësisë me Malin e Zi, dhe Gani Krasniqi, kryesues i grupit të miqësisë me Shqipërinë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.