Takimet në kuadër të Samitit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i vazhdoi me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Para se të diskutonin për projektet në fushën e energjisë dhe infrastrukturës dhe financimin e tyre, kryeministri Kurti tha se zhvillimet e fundit në Evropën Lindore e kanë bërë të qartë nevojën për angazhim më të madh me Kosovën në kuptim të bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërkombëtar dhe integrimit Evropian. Në të njëjtën kohë, ai e dënoi pushtimin dhe agresionin ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.
Sa i përket projekteve infrastrukturore dhe vlerës së tyre të lidhshmërisë, kryeministri Kurti veçoi autostradën Prizren-Tetovë, hekurudhën Prishtinë-Durrës dhe atë për në Leshak. Ndërkaq në lidhje me energjinë kryeministri Kurti foli për punën në hartimin e Strategjisë për Energji, synimet për tranzicion të drejt energjetik, planet për ngritjen e kapaciteteve prodhuese nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme, dhe projektet për rritjen e efiçiencës energjetike.
Gjithashtu u fol edhe për reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut si dhe për veprimet e fundit të qeverisë në shërbim të krijimit të një sistemi dual të edukimit që lidh tregun e punës me sistemin e arsimit.
Komisioneri Varhelyi dha mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në fusha dhe projekte të përbashkëta.
Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.