Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të punimeve të Forumit Diplomatik të Antalisë, sot ka marrë pjesë në panelin e liderëve ku u diskutua për temën “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”.
Sipas presidentes Osmani, paqja dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë dhe parakushte për një shoqëri progresive e të zhvilluar.
“Një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri, sepse ndikon në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror të një vendi”, ka theksuar Presidentja Osmani. Por, sipas saj, qëllimet e tilla asnjë vend nuk mund t`i arrijë i vetëm.
“Vendosja e bashkëpunimit rajonal dhe global do ta mundësojë paqen dhe stabilitetin, i cili favorizon zhvillimin ekonomik, prosperitetin dhe përparimin”, është shprehur Osmani.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka potencuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor domosdoshmërisht duhet t`i bashkohet strukturave euroatlantike. Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se e vetmja mundësi për ta ruajtur paqen është komunikimi i qartë dhe i drejtpërdrejt, megjithëse sipas saj, paqja është gjithnjë e kërcënuar.
“Përkundër përparimit të jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova si shtet, por edhe kontinenti ynë, sot të gjithë i shohim qartë kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë, të cilat janë të vazhdueshme dhe aktive”, ka thënë presidentja Osmani.
Diskutimin e saj, presidentja Osmani e përmbylli me një mesazh shprese për bashkëpunimin e botës demokratike për ruajtjen e paqes: “Ashtu siç u mblodh bota demokratike për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe gjenocidit në Kosovë në 1999, jam e sigurt që këtë do ta shohim edhe në rastin e Ukrainës dhe kudo tjetër në botë ku ka luftë dhe vuajtje”, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.