Build Skills with our trainings

Sign up now!

Përmes arsimit gratë po u kundërvihen fuqishëm stereotipeve gjinore

Mar 14, 2022

Valbona Kadriu, studente në nivelin Master në Fakultetin e Edukimit, nënë e dy fëmijëve, rrëfen për ngarkesat e mëdha me të cilat vazhdon të përballet si studente dhe si nënë njëkohësisht. Valbona është vetëm një prej atyre grave që bartin obligimet e punëve të shtëpisë dhe kujdesin ndaj të tjerëve. Përkundër faktit që ajo duhet të udhëtojë çdo ditë për të shkuar në ligjërata, për t’u kujdesur për prindërit e bashkëshortit, për t’a përgatitur ushqimin ajo nuk i sheh këto aq sfiduese sa e sheh atë të mëmësisë.

“Mëmësia është sfidë më vete, ajo kërkon përkushtim, vullnet, dashuri e çka jo tjetër.”

Brenga më e madhe për Valbonën është se a po mund t’i ndihmojë e t’i përqafojë fëmijët e saj kur ata kanë nevojë për të.

“Brenga se mos vallë nuk po mundesh t’i ndihmosh fëmijës kur ai ka nevojë, sepse je duke i mbajtur ligjëratat e tua. Brenga mos vallë kam mundur ta neglizhoj, pa dashje, sepse kam qenë duke u përgatitur për provime; këto kanë qenë dhe mbeten ende ndër me sfidueset”, shton ajo.

Një rast pak a shumë i ngjashëm është ai i Razie Kastratit, studente e nivelit Master në Degën e Sociologjisë. Ajo kishte qenë shtatzënë gjatë kohës së studimeve, por nuk e kishte parë të arsyeshme që t’i ndërprente ato. Fillimi kishte qenë i vështirë që të merret me të dyja përnjëherësh, por me kohë ishte mësuar. Ajo kategorikishte mohon të jetë ndier ndonjëherë e paragjykuar nga kolegët apo nga profesorët për shtatzëninë. 

“Jo, aspak. Përkundrazi kam qenë motiv për kolegët”, shton ajo.

Një përvojë të këtillitë të mirë me kolegët nuk e ndan Valbona: ajo në fillim ishte paragjykuar por edhe ishte kritikuar nga kolegët vetëm pse ishte nënë, meqë sipas tyre ishte e pamundur që ajo mund t’i përfundonte studimet.

“Kritikat kanë qenë nga më të ndryshmet, si: ti vetëm ke filluar se pas pak kohësh do ta lësh fakultetin; nuk do të mund të vazhdosh më tutje, vetëm 1 vit dhe do të dështosh.”

Fillimisht ajo ishte e ndikuar nga këto fjalë, por shumë shpejt i kishte kaluar këto barriera dhe kishte vazhduar ta jetësojë ëndrrën që e kishte pasur gjithmonë.

Sfida të tjera përveç këtyre, tregon edhe një kandidate e nivelit Doktoratë, e cila dëshiron të mbetet anonime. Për të, vetëfinancimi i studimeve kishte qenë një sfidë relativisht e madhe. 

“Niveli i studimeve doktorale përfshin shpenzime më të mëdha se ato semestrale, po ashtu edhe obligimet e botimit të punimeve shkencore në revista të indeksuara. Gjithashtu, sfidë në vete përbën edhe mungesa e qasjes online në biblioteka ku do të mund të grumbullonim materiale të shumta që na nevojiten në hulumtime dhe në studime.”

Albana Istogu, e diplomuar në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës (UP), thotë se nuk i ka vazhduar menjëherë studimet në nivelin Master, sepse fillimisht ka dashur të punësohej si mësimdhënëse e pastaj t’i vazhdonte studimet, por se nuk i është dhënë ende mundësia që të punojë.

Si shkaqe kryesore për mosvazhdimin e studimeve ajo potencon diçka specifike, ndonëse liston një mori faktorësh, ndër to situatën me pandeminë COVID-19, e cila e kishte shtyrë që të merret me diçka tjetër. 

Ajo, megjithatë thotë se gjithsesi e ka në plan t’i vazhdojë studimet në Master. 

“Po, patjetër. Në rastin e parë që do të më vijë mundësia do ta vazhdoj këtë rrugëtim të lënë në gjysmë, sepse dua ta çoj deri në fund dhe një ditë t’a jap edhe unë kontributin tim si mësimdhënëse”.

Sigurisht që pandemia është një ndër faktorët e kohëve të fundit, por ka edhe faktorë të tjerë që duhet të merren për bazë e kanë ekzistuar prej moti, e njëri ndër ta gjithsesi është edhe krijimi i familjes. 

Donika Lamaxhema-Mehmetaj, bashkëpunëtore për komunikim në UN Women thotë se mu krijimi i familjes është arsyeja kryesore e lënies së studimeve tek vajzat dhe gratë.

“Barra kryesore bie mbi gratë për kujdes ndaj familjes. Jo vetëm ndaj fëmijëve të vet, por edhe ndaj burrit e familjarëve të tij.”

Gratë në Kosovë, pavarësisht sfidave, për dallim nga burrat/djemtë, kanë pjesëmarrje më të lartë në arsimin pasuniversitar. Ky është një “trend” i viteve të fundit, sepse, deri në këto dhjetë vjetët e fundit, pjesëmarrja e burrave në arsimin pasuniversitar ishte më e madhe se ajo e grave për shumë arsye.

Donika thotë se shtypja historike që u është bërë grave dhe vajzave e ka prodhuar një ambicie të jashtëzakonshme për avancim.

“Është kuptuar tashmë që edukimi është e vetmja forcë, e cila ndryshon ‘status-quo’-në për gjithsecilin, e sidomos për gratë e vajzat që në periudha të caktuara në vendin tonë, as nuk kanë pasur qasje në shkollim.”

Edhe Qëndresa Kadriqeli, sociologe thotë se gratë/vajzat në kohën e fundit, sidomos pas luftës, janë duke u shkolluar më shumë, sepse “fryma evropiane në ngritjen e vetëdijes së familjarëve ka ndikuar që ato të depërtojnë më lehtë në tregun e punës”.

Sipas saj, sfidë e vajzave dhe grave është edhe frika për mospërfshirje adekuate në tregun e punës.

“Si sfidë e shoh frikën e vajzave në mospërfshirjen në tregun e punës në atë profesion në të cilin studion dhe kjo mund të ndikojë edhe në lënien për gjysmë të studimeve.”

Ndërsa kandidatja e nivelit Doktoratë, e cila studion në Fakultetin Juridik thotë se sa i përket përfshirjes se vajzave/grave në tregun e punës, ndikim ka edhe fakti se ato janë ende të diskriminuara.

“Në Kosovë vajzat/gratë ‘de jure’ janë të barabarta para ligjit, por ‘de facto’  ende mbeten të diskriminuara në shumë aspekte, prandaj nuk kemi mbetur të kënaqura me gjendjen në të cilën ndodhemi, por të angazhohemi në identifikimin e faktorëve dhe avancimin e pozitës së gruas.”

Një kandidate e këtij niveli në Fakultetin e Ekonomisë (e cila po ashtu dëshiron të mbetet anonime) tregon se kishte pauzuar pas studimeve në Master për të vazhduar në Doktoratë. Ajo thotë se kishte zgjedhur UP-në për shkak se ishte më lehtë të ishte afër punës dhe afër familjes dhe për shkak të kostos më të ulët të studimeve në UP në krahasim me universitetet e tjera në rajon.

Në statistika vërehet që gratë dhe vajzat i ndjekin më shumë studimet se sa burrat dhe djemtë, gjë e cila po bëhet më shumë kohëve të fundit. Për këtë kandidatja e nivelit Doktoratë thotë se shumica e burrave dhe djemve i konsiderojnë si të mirëqena shumë gjëra në jetë, ndërsa gratë konsiderojnë se duhet të punojnë shumë për t’i arritur ato që burrat i shohin si të tilla. 

“Kjo gjë mendoj që ndodh për arsye të mënyrës së rritjes dhe të edukimit të djemve dhe burrave e vajzave e grave në shoqërinë tonë, ku djemtë/burrat kanë më shumë avantazhe të mirëqena nga familja, nga shoqëria etj. Kjo është një arsye, të cilën personalisht, e vërej të shumica e atyre që vazhdojnë studimet në këto nivele, arsye kjo e cila i nxit këto gra/vajza për zhvillimin e tyre në karrierë.”

Ajo gjithashtu thotë se studimet në Doktoratë janë sfiduese për shkak të kohës së paktë që e ka në dispozicion për t’iu përkushtuar si duhet.

Donika Lamaxhema-Mehmetaj konsideron se stereotipet gjinore po ndikojnë në perceptimet tona ndaj burrave dhe grave dhe pritshmëritë që mund t’i kemi ndaj tyre.

“Stereotipet gjinore janë ato që e shtrojnë rrugën për pritshmëri specifike nga burrat/djemtë dhe nga gratë/vajzat. Kjo i dëmton të dyja gjinitë. Përderisa dinamikat e jetës kanë ndryshuar, rolet gjinore kanë mbetur më statike, duke i disfavorizuar më shumë gratë se burrat.”

Se stereotipet gjinore ndikojnë në perceptimin e pritshmërive që mund të kemi nga burrat dhe gratë pajtohet edhe sociologia Kadriqeli.

“Duke e ditur që stereotipet gjinore janë mënyra se si shoqëria kategorizon gratë dhe burrat, fatkeqësisht ato ndikojnë në perceptimin e pritshmërive që mund të kenë ndaj tyre”,  thotë ajo.

Në një hulumtim të Institutit Riinvest, të bërë në vitin 2004, thuhet se në këtë periudhë kohore përqindja e burrave në arsimin para dhe pasuniversitar kishte qenë 55% më e lartë në raport me përqindjen e grave/vajzave në vitin 2002/2003. Këtë e dëshmon edhe një hulumtim i mëvonshëm i Bankës Botërore, i vitit 2012, nga i cili shihet se 12% e djemve dhe burrave kanë diploma universitare, ndërsa të vajzat dhe gratë janë vetëm 6% me këtë lloj diplome dhe kur e krahasojmë me ditët e sotme na del se është një ndryshim relativisht i madh.

Pavarësisht sfidave të sipëpërmendura, gratë dhe vajzat ia dalin që të regjistrohen e të diplomojnë më shumë sesa burrat dhe djemtë. Sipas statistikave nga Rektorati i UP-së, në vitin 2020/2021 numri i studentëve të regjistruar në nivelin Master ishte 2016, e nga ta ishin 1291 vajza/gra dhe 725 djem/burra. Ndërsa numri i kandidatëve që shkojnë në nivelin Doktoratë ishte shumë më i vogël se sa ai i nivelit Master. Në këtë nivel, në vitin akademik 2020/2021 në UP ishin pranuar 108 studentë, prej tyre 52 vajza/gra dhe 56 djem/burra. Statistika të njëjta gjenden edhe tek Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK).

Statistikat dallojnë pak tek ata që kanë diplomuar në vitet 2019/2020 dhe 2020/2021. Edhe tek të diplomuarit, vajzat dhe gratë dalin në numër më të madh në nivelin Master, por kjo ndryshon tek ata që diplomojnë në nivelin Doktoratë. Sipas statistikave nga Rektorati dhe nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT), del se numri i të diplomuarve në nivelin Master, në vitin 2019/2020 ishte 1238, prej tyre 721 vajza/gra dhe 517 djem/burra. Ndërsa në Doktoratë, në vitin 2020/2021 kishin diplomuar 44 studentë, prej tyre 23 djem/burra dhe 21  vajza/gra. 

Ndërsa, nga statistikat e fundit për vitin aktual të studimeve nga Rektorati i UP-së del se në vitin akademik 2021/2022, në nivelin Master janë pranuar 2114 studentë, prej tyre janë 1404 vajza/gra dhe 710 djem/burra. Në të njëjtën vit akademik kanë diplomuar 1208 studentë, prej tyre 804 vajza/gra dhe 404 djem/burra, ndërsa nivelin Doktoratë kanë kryer 30 studentë, prej tyre 15 vajza/gra dhe 15 djem/burra.

Nëse e krahasojmë Universtitetin e Prishtinës me atë të Bosnjës dhe Hercegovinës sipas Agjencisë se Statistikave të Bosnjës dhe Hercegovinës, statistikat dallojnë për nga numri i studentëve/eve, por edhe në këtë universitet për një përqindje të vogel vajzat dhe gratë i vazhdojnë studimet më shumë se djemtë dhe burrat. Sa i përket gjendjes në Universitetin e Bosnjës dhe të Hercegovinës qëndrojnë kështu: Në vitin akademik 2019/2020 janë të regjistruar gjithsej 47607 vajza/gra dhe 33621 djem/burra, ku prej tyre të diplomuar janë 10670 vajza/gra dhe 7065 djem/burra. Ndërsa në nivelin Master janë 2120 vajza/gra dhe 1268 djem/burra. Për dallim nga numri i lartë në nivelet Bachelor dhe Master, ky numër bie dukshëm në nivelin Doktoratë ku prej tyre janë 69 vajza/gra dhe 97 djem/burra.

Në vitin akademik 2020/2021, janë regjistruar 46221 vajza/gra dhe 32122 djem/burra, teksa të diplomuar po në këtë vit ishin 15936 vajza/gra dhe 10646 djem/burra. Ndërsa në nivelin Master janë 2040 vajza/gra dhe 1118 djem/burra. Ndërsa ne nivelin Doktoraturë kanë diplomuar në këtë vit 58 vajza/gra dhe 90 djem/burra. 

Problemet financiare janë problemi kryesor për braktisjen e shkollimit dhe vetëm 7% e studentëve marrin bursë për shkollim, e cila në shumicën e rasteve është 50 – 100 €. Kjo vlen si për studentët djem/burra ashtu edhe për vajza/gra. Në vitin 2020, në BiH kishte 10.8% më shumë vajza/gra të diplomuara nga kolegj/akademi/universitet sesa djem/burra.

Blerona Zariqi, Vesa Avdiu, Dragoslav Šarac

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM